A do të jetë angazhimi i SHBA-ve në dialog me Serbinë shpresa e vetme e shpëtimit të Kosovës nga projekti Thaçi- Vuçiq për shkëmbim të territoreve

A do të jetë angazhimi i SHBA-ve në dialog me Serbinë shpresa e vetme e shpëtimit të Kosovës nga projekti Thaçi- Vuçiq për shkëmbim të territoreve

Gani Qarri

  • 19 June 2020 - 18:57

Shkruan: Gani Qarri

"Pikërisht fakti i dështimit të BE-së për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pas përfundimit të luftës me Serbinë, është ajo që tani po i detyron SHBA-të ta marrin vet rolin prijës dhe bëhen ndërmjetësuesi kryesor në vazhdimin e dialogut për arritjen e marrëveshjes finale, ndaj dhe Presidenti Trump ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm duke ftuar për takim në Washington me 27 qershor, përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë në përpjekje për të zgjidhur, përfundimisht problemin shumëvjeçare ndërmjet të dy vendeve”.

-Shteti ynë i brishtë,jo vetëm se është çliruar dhe nga ajo kohë,mbrohet ushtarakisht nga SHBA dhe NATO, por edhe sa i takon çështjes së Kosovës, që nga ndihma për çlirimin nga Serbia e deri më sot, SHBA ka bërë shumë më shumë se çdo vend tjetër në botë dhe ka mbështetur në vijimësi vendin tonë si shtet i ri,shtet ndërtimin, njohjet ndërkombëtare, ngritjen e institucioneve shtetërore, forcimin e demokracisë, vendosjen e rendit e të ligjit, zhvillimin ekonomik, mirëqenien sociale, specializimin e studentëve, aftësimin e kadetëve të policisë dhe atyre të forcës së sigurisë e deri te shndërrimi i FSK-së, në Ushtri të Kosovës, që pa ndihmën e SHBA-ve, në situatën çfarë ndodhet tash e sa kohë vendi ynë, as që do të mund të ishte imagjinuar.

Ndaj në delegacionin që do të udhëtoj për në Washington, për bisedime me Serbinë do duhej të merrte pjesë edhe Anton Çuni si ish-luftëtar dhe përfaqësues i komunitetit katolik në Kosovë si dhe Nenad Rashiqi përfaqësues i komunitetit të serbëve kosovar, i cili njeh shtetin tonë të pavarur, kundërshton me këmbëngulje Aleksandër Vuçiqin dhe nuk ka pranuar asnjëherë ndarjen e Kosovës, si delegacioni më kompatibël që do të përfaqësonte komunitetet kryesore, si dhe nuk do të kishte përmbajtje vetëm të një komuniteti e as të shfaqej si përfaqësues vetëm njëfetar, gjë që nuk përkon me përbërjen e popullsisë së vendit.

Populli i Kosovës po dëshmon se nuk e ka bërë mirë dhe si duhet detyrën e vet përderisa për gjithë këto vite ka lejuar të udhëhiqet nga një figurë kaq e dyshimtë e kontraverse si kuislingu Hashim Thaçi, i cili për shkak të rrezikut që paraqet për vendin, do duhej të përjashtohej urgjentisht nga bisedimet dhe delegacioni, pasi që së fundi edhe deputeti i partisë konservatore gjermane CDU, Peter Beyer, gjatë debatit parlamentar në Bundestagun gjerman e ka akuzuar rëndë Thaçin për përgatitjen e një pazari të ndyrë në kurriz të Kosovës, dhe përkundër faktit që BE dhe SHBA, kurrë nuk kanë kërkuar ndarjen as përpjesëtimin e tokave të Kosovës me Serbinë , ky kuisling e ka fut vet në agjendë dhe nxjerrë në tavolinat e bisedimeve ndarjen dhe copëtimin e Kosovës si pjesë e pazareve për shpëtimin e vetes dhe shpërbërjen e Gjykatës Speciale, siç shprehet edhe z. Beyer.

Duke shpresuar se një Kosovë e lirë e sovrane dhe e njohur si shtet i pavarur në kufijtë e vet aktual, është me interes për qytetarët e vendit dhe për SHBA-në, e cila duhet të vazhdojë ta mbështes Kosovën edhe më tej në përpjekjet e saj, lajmi se pas mese dhjet vitesh dialog shterp me ndërmjetësimin e pashpresë të BE-së, rolin prijës në procesin e riaktivizimit të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, e ka marrë SHBA, në përpjekje për të zgjidhur problemin shumëvjeçare ndërmjet të dy vendeve dhe arritjen e marrëveshjes për pajtim dhe njohje reciproke, e shohë me interes për vendin tonë.

Kjo edhe për faktin se pa SHBA-në si fuqia më e madhe në botë, pothuajse nuk ka mundur të zgjidhet asnjë problem jetik dhe arrihet çfarëdo marrëveshje ndërkombëtare edhe ndërmjet vendeve më të mëdha, e cila duke ftuar për takim në Shtëpinë e Bardhë përfaqësuesit e Kosovës dhe ata të Serbisë, jep shpresë se përfundimishtë Shtetet e Bashkuara do ta marrin primatin kryesor dhe rolin vendimtar edhe në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, për ta detyruar përfundimishtë shtetin serb në pranimin definitiv të realitetit, heqjen e Kosovës nga preambula e kushtetutës së këtij shteti ish okupator dhe njohjen e vendit tonë si shtet i lirë dhe i pavarur në gjithë territorin e vet.

Por me gjithë rolin aktiv që së fundi ka ndërmarrë SHBA, unë mendojë se BE, nuk duhet dhe as që mund të përjashtohet fare nga procesi i bisedimeve, për vet faktin se Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar janë dy mbështetësit kryesor të Kosovës, ndërsa ne edhe ashtu, jemi vend evropian, jetojmë në këtë hapësirë gjeografike dhe kemi synim integrimin në BE, ndaj BE të paktën duhet të ketë rol dytësor dhe mbetet në cilësinë e bashkëpjesëmarrësit në zhvillimin e dialogut, për të siguruar dhe bashkërenduar garantimin e zbatimit të marrëveshjes e cila, gjithsesi shtytjen kryesore, tash e tutje pritet dhe duhet ta ketë nga diplomacia amerikane.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online"