Kujdes për delegacionin e Kosovës në samitin e Washingtonit, propozimi për “Mini-Shengenin” ballkanik strategji e kurdisur e lobit serb

Kujdes për delegacionin e Kosovës në samitin e Washingtonit, propozimi për “Mini-Shengenin” ballkanik strategji e kurdisur e lobit serb

Gani Qarri

  • 22 June 2020 - 19:00

Shkruan: Gani Qarri

“Tani më kur nuk ka mbetur as edhe një javë e plotë deri në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, ku liderët e Kosovës dhe ata të Serbisë do të takohen me ndërmjetësimin e emisarit të Donald Trump, Richard Grenell,si dhe do të priten edhe nga këshilltari kryesor i presidentit amerikan, Robert O’Brien, duhet pasur kujdes, që në samitin e Washingtonit duke anashkaluar temat e diskutimit politik, përmes temës së marrëveshjeve të karakterit ekonomik, nisma gati e harruar e “Mini-Shengenit", me insistimin e Serbisë, ka rrezik që sërish të nxirret në tavolinë të bisedimeve, për të rikthyer qoftë edhe me këtë metodë sado fiktive në dukje, Kosovën brenda hartës "ekonomike" të Serbisë”.

-Delegacioni i Kosovës, duke e ditur mirë dhe me kohë, se nismën për të ashtuquajturin “Mini-Shengeni” ballkanik, e ka përkrahur edhe i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Mattheu Palmer, kërkohet të jetë tepër i kujdesshëm në veprime e i përgatitur në mënyrën më optimale të mundshme dhe nuk duhet të shkojë, siç thotë populli,vetëm sa “për ti marrë brirët, e të lë edhe veshët” në Washington! Bojkotimi i drejtë i nismës së ashtuquajtur “Mini-Shengeni” ballkanik, është çështje që jo vetëm ndanë deri në pafundësi edhe si ide Kosovën dhe Serbinë, por që nga inicimi ka ftohur marrëdhëniet edhe ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, sepse nën hilet e improvizimit politik të kësaj nisme konspirative, Serbia kishte për qëllim të bënte ri-gllabërimin praktik të Kosovës, si dhe dominimin ekonomik mbi shtetet tjera në rajon, pasi që pothuajse secila nga vendet që parashihej ti bashkoheshin kësaj pjelle djallëzore të Serbisë, përveç importimit të mallrave serbe, pothuajse asnjëra prej tyre,nuk prodhojnë asgjë me rëndësi që do të mund edhe të eksportohej nga ato, në Serbi.

Për aq më tepër edhe Edi Rama, duke avokuar me këmbëngulje deri në inat, për këtë nismë fantazmë serbe ka rënë në konfrontim të hapur me udhëheqësin kosovare , sa që edhe shkrirjen e kufirit Kosovë-Shqipëri e ka shtyrë deri në aprovimin e “Mini-Shengenit” ballkanik, si dhe ka ngrirë pothuajse të gjitha marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve shqiptare duke lëshuar ato në pikën më të ulët të mundshme dhe ngrirë përkohësisht edhe të gjitha marrëveshjet e nënshkruara ndër vite ndërmjet dy vendeve tona.

Kjo edhe për faktin se sipas deklarimit të përsëritur në vazhdimësi nga emisari i presidentit Trump, tema bosht e diskutimit do të jetë e karakterit ekonomik dhe jo atij politik e statusor që do të lëvizte procesin drejtë marrëveshjes finale, takim për të cilin është deklaruar edhe ambasada Amerikane në Prishtinë, duke siguruar se do t’i hap dyert për zhvillimin ekonomik të rajonit, rast të që pa asnjë dyshim, do të përpiqet gjithsesi ta keqpërdor me të gjitha mjetet dhe mundësitë Serbia, për gjunjëzimin e Kosovës edhe para emisarëve amerikan në Washington.

SHBA-ja shpreson që liderët e Kosovës dhe Serbisë do të shfrytëzojnë këtë mundësi, në Shtëpinë e Bardhë që i hap dyert për investime dhe një zhvillim të ri ekonomik, për t’u rikthyer në dialog dhe nisur një etapë të re të stabilitetit dhe prosperitetit, sepse njerëzit e rajonit e meritojnë këtë, thuhet edhe në postimin e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Iniciativa në fjalë, duke pasur parasysh faktin se Kosova ka marrëveshje të nënshkruara rajonale, por as ato nuk i zbaton Serbia për arsye politike,jo vetëm se është e pakuptimtë por edhe e papranueshme pasi që Serbia ende nuk e njeh Kosovën dhe deklarata e “Mini-Shengenit” është miratuar pa praninë e Kosovës, ndaj duke njohur insinuatat që di ti prodhojë dhe kthej në favor të vetin shteti serb, delegacioni i Kosovës që nga fillimi i takimit duhet të tregohet syçelë e i kujdesshëm maksimalisht dhe në asnjë mënyrë të mos lejojë që përmes diskutimit për çështje të ekonomisë, të rikthehet sërish tema e të ashtuquajturit “Mini-Shengen Ballkanik”, për të cilin është folur e debatuar mjaft deri më tani dhe është konstatuar njëzëri se Serbia me te,i shkakton vetëm pengesa Kosovës.

Madje këtë nismë të dyshimtë serbe,papërmbajtje substanciale dhe të kamufluar me improvizime politike, kinse me qëllim të rritjes së bashkëpunimit ekonomik në rajon, çuditërisht e ka mbështetur edhe Edvin Rama, por që është kundërshtuar fuqishëm nga vendet si Kosova dhe Mali i Zi, pikërisht për shkak të frikës së natyrshme nga dominimi serb dhe tentativa tinëzare serbe e ri krijimit të një Konfederate të re a mini Federate të dominuar, jo vetëm në treg dhe ekonomi, por edhe në politikë nga ana e Serbisë.

Ndaj dhe delegacioni i Kosovës që nga fillimi duhet të jetë shumë i kujdesshme dhe siç thotë shprehja popullore, ” të mos shkoj për ti marrë brirët e ti lë edhe veshët“, në washington por të tregohet i gatshëm dhe i mirë përgatitur, për ta kundërshtuar me vendosmëri dhe argumente bindëse një opsion të tillë të kamuflimit të improvizuar eventual të idesë serbo ruse për “Mini-Shengenin ballkanik”, i cili jo vetëm që paraqet rrezik për Kosovën por rrit ndikimin rus në rajon dhe kërcënon interesat e SHBA-s, NATO-s dhe aleatëve evro perëndimor në këtë pjesë të Ballkanit”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".