Presidenti Thaçi të jep dorëheqje, një Qeveri e re gjithëpërfshirëse me Ekip Uniteti të vazhdon dialogun për marrëveshje me Serbinë

Presidenti Thaçi të jep dorëheqje, një Qeveri e re gjithëpërfshirëse me Ekip Uniteti të vazhdon dialogun për marrëveshje me Serbinë

Gani Qarri

  • 30 June 2020 - 07:07

Shkruan: Gani Qarri

“Në situatën çfarë për momentin ndodhet Kosova, mundësia më optimale për mënjanimin e problemeve dhe tejkalimit të kaosit të krijuar politik, do të ishte që pikësëpari të jap dorëheqje të parevokueshme edhe nga atje ku është, presidenti i akuzuar për krime lufte Hashim Thaçi, si dhe të dorëhiqet urgjentisht edhe qeveria kukull e tij, si parakusht për ti hapur rrugë formimit të një Qeverie gjithëpërfshirëse ekspertësh e cila do ta krijonte edhe një Grup Unik për përfundimin e bisedimeve me Serbinë, në mënyrë që Kosova të mos i vuaj pasojat e individëve të akuzuar nga Gjykata Speciale si Thaçi & CO dhe për shkak të tyre, bie pre e trysnisë dhe presionit ndërkombëtar edhe për kompromise territoriale ndaj Serbisë”.

-Duke pasur parasysh faktin se që nga konferenca e forumit të vendeve ballkanike, me 25 gusht të vitit 2018 në Alpbach të Austrisë, panel në të cilin të pranishëm ishin edhe Alexandër Van der Bellen President i Austrisë, Johanes Hahn Komisioner i Bashkimit Evropian për Zgjerim, Borut Pahor President i Sllovenisë, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi, ku z. Thaçi u deklarua publikisht para gazetarëve dhe kamerave të televizioneve më prestigjioze evropiane, për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve të saj,si dhe zellin e tij nga atëherë e deri më sot për kthimin me çdo kusht të bisedimeve ndërshtetërore Kosovë-Serbi në negociata private të tij, me Aleksandër Vuçiqin, shihej katërçipërisht se ai kishte një Hall të madh me Gjykatën Speciale, të cilës mundohej ti ikte me çdo mënyrë, duke shkuar deri atje, sa të bënte pazare edhe me tokat e Kosovës dhe premtonte faljen e Veriut të vendit tonë, Serbisë, ndaj prej kohësh kjo pritej do të ndodhte dhe Gjykata shpalli aktakuzën për krime ndaj tij.

Nisur edhe nga përvoja e mëhershme se Hashim Thaçi me 2003 ishte ndaluar edhe në Hungari, përderisa Fatmir Limaj, që në shkurt të vitit 2003, jo vetëm qe ndaluar në Slloveni, por nga atje edhe u transferua direkt në Tribunalin e Hagës, kurse Ramush Haradinaj me 2017 u bllokua në Francë etj, ka mundësi që publikimi i aktakuzës mu gjatë udhëtimit jashtë shtetit, kur Thaçi ndodhej në Austri, të jetë bërë pikërisht, në mënyrë që ai të kapet më lehtë dhe të mos mund ti ikë arrestimit, apo të pengohet arrestimi i tij nga individ dhe grupe të caktuara në Kosovë, gjë që nëse edhe sot Hashim Thaçi nuk kthehet në vend, mund të ndodh shumë lehtë që edhe ai të mbahet në arrest përkohësisht në Austri e nëse vërtetohet aktakuza e Gjykatës Speciali kundër tij, nga Austria të dërgohet direkt në Hagë.

Përndryshe duke pasur parasysh faktin se qeveria aktuale përveç inkorporimit të Listës serbe, as për vendimet me rëndësi jetike, nacionale e shtetërore, nuk mund të arrijë numrin minimal prej 61 votash të deputetëve, ndaj nëse nuk dorëhiqet dhe formohet një qeveri gjithëpërfshirëse edhe dialogu me Serbinë do të futet përsëri në një fazë të re të bllokimit, për shkak të publikimit të aktakuzës kundër Hashim Thaçit dhe mbajtjes pezull të institucioneve kryesore të shtetit, Thaçi të pozitës së të parit të shtetit nga arresti, dhe Hoti të qeverisë së vendit, praktikisht të dala jashtë funksionimit.

Kjo edhe për faktin se pas publikimit të akuzës për krime nga prokurori i Gjykatës Speciale kundër tij, Hashim Thaçi nuk mund të negociojë me Serbinë në emër të Kosovës, madje nuk do të pranonte SHBA as BE që Thaçi edhe nën domenin e aktakuzës për krime kundër njerëzimit, të guxojë të ulet në tryezën e bisedimeve, për aq kohë sa është i dyshuar, e aq më pak tash, kur nga deklarata e Speciales u konfirmua publikisht se përpjekjet e tij ishin shumë të rrezikshme, jo vetëm për ta zhbërë Gjykatën, por edhe për ti falur krimet serbe dhe shpallur amnisti për gjenocidin e Serbisë në Kosovë, në kuadër të pazarit me Aleksandër Vuçiqin.

Kosovës në këtë situatë të paprecedent, ku i akuzuari kryesor për krime lufte, është vet i pari i shtetit, i duhet medoemos një qeveri gjithëpërfshirëse e liruar nga elementet e krimit dhe e përberë prej ekspertëve më të mirë të vendit, e cila po-ashtu do ta formonte një ekip gjithëpërfshirës të dialogut, të tipit të Ekipit të Unitetit me përfaqësimin konsensual të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, të pozitës dhe opozitës, në mënyrë që të jetë e pranuar dhe bashkëpunuese edhe në këtë situatë me të gjithë spektrin politik të Kosovës, për të pasur sukses e besueshmëri të plotë brenda dhe jashtë vendit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".