Dorëheqja si akti guximshëm dhe moral i Hashim Thaçit, për ta pastruar vetën dhe shpëtuar Kosovën

Dorëheqja si akti guximshëm dhe moral i Hashim Thaçit, për ta pastruar vetën dhe shpëtuar Kosovën
Dorëheqja si akti guximshëm dhe moral i Hashim Thaçit, për ta pastruar vetën dhe shpëtuar Kosovën

Skender Kapiti

  • 03 July 2020 - 07:04

Shkruan: Skënder Kapiti

”Burrit të shtetit i takon të tregohet i guximshëm që edhe të sakrifikojë e të dorëhiqet në mënyrë që burrërisht dhe patriotikisht të përballet me Gjykatën duke u paraqitur para saj jo si President i Shtetit por si qytetar i thjeshtë. Është shumë e rëndë që në opinionin politik, diplomatik e mediatik botëror të flitet e të qarkullojë si lajm e informacion edhe disa muaj të tjerë deri sa të shprehet Gjykata se: Presidenti i Kosovës është i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. A e kupton Thaçi dhe ata që e këshillojnë atë se sa e dëmshme është për imazhin kombëtar dhe atë shtetëror të Kosovës kjo sjellje e Thaçit, mos dorëheqja e tij dhe përballja me Prokurorinë Speciale si qytetar i thjeshtë?!”.

-E mira e parë do të kishte qenë që Hashim Thaçi të mos kishte qenë fare Presidenti i Kosovës, pasi dihet se u zgjodh në kushte të një gjendjes jo normale mes kundërshtish politike dhe protestave popullore kundër zgjedhjes së tij. Mos dorëheqja e Hashim Thaçit nga posti i Presidentit sado që ai p.sh. mund të jetë qoftë edhe i pafajshëm, kjo tregon se ai është jo vetëm i papërgjegjshëm moralisht por edhe njw frikacak i madh, pasi mendon se duke qenë President do të ishte më imun dhe më i mbrojtur nga akuzat e Gjykatës Speciale. Kjo është një tipar i të gjithë pushtetarëve shqiptar, sidomos i atyre të Shqipërisë të cilët qëndrojnë në politikë e pushtet vetëm për t’u mbrojtur dhe shmangur drejtësisë. Prandaj në Shqipëri SHBA dhe BE bënë VETING-un e Drejtësisë. Akuza kundër Thaçit është një pështjellim dhe i ka sjellë dëm të madh Kosovës, pasi nuk është akuzuar një qytetar i thjeshtë apo një politikan dosido, por është akuzuar Presidenti i Kosovës. Historia botërore është e mbushur me plot raste kur kryetarë shtetesh dhe kryeministra kanë dhënë dorëheqje edhe për gjëra fare të thjeshta e jo më si rasti në fjalë i Presidentit të Kosovës. Opinioni publik në Kosovë është kundër kësaj akuze ndaj Presidentit, sepse dihet që nuk ka kryer asnjë krim lufte dhe as kundër njerëzimit UCK-ja, dhe prandaj është edhe kundër kësaj akuze ndaj Presidentit të Kosovës. Por, përderisa Gjykata Speciale është miratuar nga Kuvendi i Kosovës, pra edhe me dakordësinë e PDK-së dhe të Thaçit atëherë askush nuk duhet ta pengojë Gjykatën por ta respektojë dhe të përgjigjet çdo i akuzuar nga ajo. Thaçi duhet të jepte dorëheqjen jo vetëm se ka aktakuzë ndaj tij, por këtë duhet ta bënte edhe sikur thjesht po të thirrej qoftë edhe si dëshmitar. Kjo pasi ai është akoma President dhe jo qytetar i thjeshtë, gjë e cila do t’i shërben prestigjit dhe imazhit të Shtetit të Kosovës. Akuza ndaj Thaçit nga Prokuroria Speciale faktikisht ia ka hequr atij të drejtën për të qenë e marrë pjesë në bisedimet Kosovë-Serbi. Kjo akuze momentalisht është një favor dhe avantazh jo i vogël për politikën anti Kosovë te Beogradit. Por ky fakt, që Presidenti i Kosovës nuk mund të marrë pjesë në bisedimet Kosovë-Serbi në pjesën më të madhe të opinionit shikohet e gjykohet si pozitive, pasi projekt ideja serbo-ruse për ndarjen e Kosovës ka qenë mbështetur edhe nga Thaçi, gjë të cilën e kanë kundërshtuar fuqishëm pothuajse e gjithë politika shqiptare por edhe ajo e BE-së si politikë kundër Kosovës dhe kundër linjës së politikës së Bashkimit Evropian”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".