Protestat e 9 Korrikut nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, a do të kërkohet përgjegjësia edhe nga Hashim Thaçi

Protestat e 9 Korrikut nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, a do të kërkohet përgjegjësia edhe nga Hashim Thaçi

Gani Qarri

  • 06 July 2020 - 07:03

Shkruan: Gani Qarri

“Nëse nuk arrihet që të paktën Gjykata në fjalë të vendoset në Kosovë dhe ti trajtoj të gjitha krime pa dallim etnie, do të ishte më se e drejtë dhe shumë korrektë, që për një ligj të tillë i cili amniston të gjitha krimet serbe dhe gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, të jep përgjegjësi pikërisht Hashim Thaçi nën presionin e të cilit janë detyruar deputetët ta votojnë ligjin dhe të formohet Gjykata Speciale, që të ndjek vetëm dyshimet për krimet e supozuara të shqiptarëve, duke lënë krejtësisht jashtë trajtimit krimet që kanë bërë serbët dhe gjenocidin që ka kryer Serbia në mënyrë të organizuar, si shtet okupator në Kosovë.

-Fakti se parim i vet Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, është që të mos merret me organizata të caktuara, por me persona të veçantë dhe vetëm për përgjegjësi individuale, duke pasur parasysh që Hashim Thaçi nuk ka qenë kurrë komandant i përgjithshëm i UÇK-s, por vetëm drejtor politik dhe udhëheqës i një dikasteri të vetëm të saj, nga 9 sosh sa ka pasur ajo,shpallja e aktakuzës ndaj tij nuk donë të thotë në asnjë mënyrë se Gjykata Speciale akuzon edhe UÇK-n, si organizatë dhe luftën e saj çlirimtare, por vetëm Thaçin si individ.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës luftoi për dëbimin e okupatorit serb nga vendi dhe çlirimin e Kosovës nga Serbia, ndaj pas përfundimit me ndihmën e NATO-s, të misionit të saj çlirimtar me aq sukses, me të drejtë, jo vetëm në Kosovë por edhe më gjerë, ajo gëzon statusin më të lartë patriotik dhe konsiderohet si organizata me heroike ushtarake e kombit, pas Lidhjes Kombëtare Shqiptare të Prizrenit, në të gjitha kohët, në krejt trojet tona etnike dhe kudo ka shqiptar.

Në anën tjetër senatori famëkeq zviceran Dick Marty u bë sa i njohur për të keq, aq edhe më i urryer nga shqiptarët në Kosovë e më gjerë, për shkak se i nxitur nga diplomatët rus dhe serb, ka disa vite që ngriti akuza tepër të rënda pikërisht kundër Ushtrisë tonë Çlirimtare-UÇK-s, duke e lidhur atë padrejtësisht edhe me vepra të rënda si vrasje, tortura, tregti droge etj, gjë që është përgjithësim tepër cinik e i papranueshëm dhe nuk përkon fare me të vërtetën.

Por mjerisht, kërkesën e Dick Marty-it për formimin e Gjykatës Speciale, e realizoi pikërisht Hashim Thaçi, madje duke bërë presion të pashembullt tek të gjithë deputetët për votimin e saj në parlament, e për aq më keq, edhe që ajo ta kishte selinë në një shtet të tretë, në vend se qysh atëherë, të insistohej që të paktën, kjo Gjykatë të vendosej në Kosovë dhe të mos merrej vetëm me krimet e supozuara të shqiptarëve por edhe me krimet reale të serbëve dhe gjenocidin e paprecedent të Serbisë të shkaktuar në mënyrë shtetërore ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë.

Ndaj, pasi që Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së paska paralajmëruar protestë më 9 korrik në Prishtinë, qëllimi i së cilës qenka ndryshimi i ligjit për Gjykatën Speciale, lind pyetja se nga kush duhet të kërkohet përgjegjësi tani, kur dihet që Kosova vet ka votuar krijimin e një gjykate në baza etnike, si Gjykata Speciale për të ndjekur vetëm krimet e supozuara të shqiptarëve, praktikisht të shqiptarëve të shtyrë për vetëmbrojte nga agresioni gjenocidial serb.

Kështu që përkundër komunikatës për media, të OVL-UÇK-s, se pas takimit të mbajtur mes kësaj organizate dhe Shoqatës së të Burgosurve Politikë, me nëntë korrik do të organizojnë protestë gjithë popullore në Prishtinë me moton “Në mbrojtje të Luftës Çlirimtare”, për të kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që të ndryshojë ligjin për Gjykatën Speciale në mënyrë që të gjykohen të gjitha krimet dhe gjenocidi i kryer nga Serbia në Kosovë”, duke pasur parasysh mënyrën dhe autoritetet e formimit të saj, duket se protesta mbahet kot dhe fare pak mund të kenë sukses në këtë drejtim.

Duke qenë se parim i Gjykatës Speciale për Kosovën në Hagë, është që të mos merret me organizata të caktuara,por me persona të veçantë dhe vetëm për përgjegjësi individuale, vet motoja e kësaj proteste, me apo pa qëllim, parashtrohet në mënyrë shumë të gabuar dhe bëhet përgjithësim i papranueshëm, për shqiptarët dhe bashkësinë ndërkombëtare, sepse Gjykata Speciale, nuk ka ngritur asnjë padi kundër UÇK-s, si organizatë, as kurrsesi aktakuzë kundër Luftës Çlirimtare të shqiptarëve.

Përkundrazi aktakuza është shpallur kundër individëve të caktuar, të cilët atë kohë nuk ishin komandantë të përgjithshëm, kanë udhëhequr ndonjë dikaster por jo gjithë organizatën e UÇK-s, ndaj krejt ajo që Kuvendi mund të bëjë në këtë situatë, është votimi i një rezolute, për zhvendosjen e Gjykatës Speciale nga Haga në Kosovë dhe parashtrojë kërkesë të gjitha instancave relevante ndërkombëtare që kjo Gjykatë të përfshij trajtimin e të gjitha krimeve të kryera pa dallim etnie, megjithëse tanimë duket të jetë tepër vonë për çdo gjë.

Nëse nuk arrihet që të paktën Gjykata në fjalë të vendoset në Kosovë dhe ti trajtoj të gjitha krime pa dallim etnie, do të ishte më se e drejtë dhe shumë korrektë, që për një ligj të tillë i cili amniston të gjitha krimet serbe dhe gjenocidin e Serbisë ndaj shqiptarëve të pafajshëm në Kosovë, të jep përgjegjësi pikërisht Hashim Thaçi nën presionin e të cilit janë detyruar deputetët ta votojnë ligjin dhe të formohet Gjykata Speciale, që të ndjek vetëm dyshimet për krimet e supozuara të shqiptarëve, duke lënë krejtësisht jashtë trajtimit krimet që kanë bërë serbët dhe gjenocidin që ka kryer Serbia në mënyrë të organizuar, si shtet okupator në Kosovë”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".