Hashim Thaçi të jep dorëheqje, Kosovës nuk i duhet një President nën aktakuzë

Hashim Thaçi të jep dorëheqje, Kosovës nuk i duhet një President nën aktakuzë

Gani Qarri

  • 07 July 2020 - 07:12

Shkruan: Gani Qarri

“Vetëm shpallja e të qenurit nën një aktakuzë kaq të rëndë penale të Hashim Thaçit si President i një vendi në përpjekje për mbijetesë e shtet ndërtim siç është Kosova, me një ngarkesë aq trishtuese për krime lufte e krime kundër njerëzimit dhe përgjegjësi për 100 vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë, edhe nëse ajo nuk konfirmohet fare nga gjykatësi i procedurës paraprake, bërja publike e së cilës shokoi gjithë opinionin botëror, do të duhej të mjaftonte që Hashim Thaçi të jepte dorëheqje të menjëhershme dhe koncentrohej kryekëput në organizimin e mbrojtjes para Gjykatës Speciale, për të mos e dëmtuar edhe më tepër imazhin e shtetit të Kosovës edhe ashtu gati të shkatërruar nga po ky njeri”.

Megjithëse përmbajtja e plotë e aktakuzës për popullin e Kosovës do të bëhet publike pasi që ajo të konfirmohet nga gjykatësi i procedurës paraprake, Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë, me shpalljen e saj, e tronditën opinionin vendor dhe atë ndërkombëtar, duke njoftuar se me 24 prill kanë paraqitur një aktakuzë kaq të rëndë për shqyrtim, e cila ngarkon drejtpërsëdrejti presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, ish-kryetarin e Kuvendit dhe deputetin aktual të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli,si dhe persona “të tjerë” për krime kundër njerëzimit dhe krime lufte.

Për aq më tepër, duke pasur parasysh faktin se edhe mos konfirmimi i një aktakuze si kjo, nuk e ndalon prokurorin e rastit që ta ndryshojë a plotësoj të njëjtën, apo edhe të paraqes aktakuzë tjetër kundër Thaçit & CO, me gjithë pritshmërinë e madhe të popullit të Kosovës dhe gjithë spektrit politik të vendit për ofrimin e dorëheqjes nga ana e Hashim Thaçit, të akuzuar për krime lufte kundër njerëzimit, ai në vend të këtij vendimi, në video-incizimin e publikuar përveç një deklarate patetike e gati të pakuptueshme dhe pa asnjë përmbajtje, nuk dha ndonjë njoftim për tu përmendur, përveç një gjysmë premtimi se nëse aktakuza kundër tij vërtetohet, kinse nuk do të shkojë në Hagë nga pozita e presidentit.

Madje ai e kishte ftuar në ndihmë edhe sharlatanin Edvin Kristaq Rama, i cili për tu shitur më interesant se që është në të vërtetë, kishte ardhur i veshur në hekur e antiplumb, sikur në Kosovë të kishte plasur Lufta e Tretë Botërore,vetëm për të bindur edhe partitë tjera dhe institucionet e vendit që të mos insistonin në dorëheqjen e Hashim Thaçit.

Kështu që edhe paraqitja e tij në video-incizim, nuk ishte asgjë më tepër përveçse një mesazh i thatë dhe paraqitje oportuniste, për blerje kohe dhe në funksion të dëmtimit akoma më shumë të imazhit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, refuzim i llojit të Hashim Thaçit për të mënjanuar dorëheqjen nga pozita e të parit të shtetit, megjithëse tanimë është publikuar aktakuza dhe pritet konfirmimi i saj nga Gjykata Speciale, duke na ngushëlluar se do të jap dorëheqje, nëse aktakuza konfirmohet.

Kujt i duhet një president i tillë, duke pasur parasysh faktin se edhe vet mos konfirmimi i aktakuzës, nuk e ndalon prokurorin e rastit që ta ndryshojë a plotësoj të njëjtën, apo paraqes edhe aktakuzë tjetër, për vrasje, zhdukje me forcë, persekutim dhe torturë, kur Hashim Thaçit & CO u vihen në barrë përgjegjësi kaq të rënda penale për afro 100 vrasje.

Ndaj pas situatës së krijuar me shpalljen e aktakuzës kundër tij,ai po të kishte sado pak moral, do të ishte shumë më e ndershme e serioze dhe në interes parësor për imazhin e shtetit të Kosovës dhe procesin e dialogut me Serbinë, që Hashim Thaçi të jepte dorëheqje urgjente.

Kjo për vet faktin e ditur se një aktakuzë kaq e rëndë, do të përdoret qëllimisht si sulm serioz kundër shtetit të Kosovës, madje vetëm të qenurit e tij si president i vendit nën akuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, pavarësisht se ajo ende nuk është e konfirmuar, do ta përdorin edhe faktorët ndërkombëtar kundër Kosovës, sidomos ata që janë të luhatshëm ndaj pavarësisë së Kosovës, si dhe të tjerët që janë të pozicionuar kundër vendit tonë dhe në mbështetje Serbisë”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".