Hashim Thaçi të shkon në Hagë për intervistim nga Prokuroria Speciale vetëm si qytetar i Kosovës, i zhveshur nga mandati i Presidentit

Hashim Thaçi të shkon në Hagë për intervistim nga Prokuroria Speciale vetëm si qytetar i Kosovës, i zhveshur nga mandati i Presidentit

Gani Qarri

  • 12 July 2020 - 08:15

Shkruan: Gani Qarri

“Akuzimi i të parit të shtetit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, janë barrë tepër e rëndë edhe për ndonjë shtet tejet më të fuqishëm dhe më të madh e më të konsoliduar se vendi ynë, se lëre më për popullin dhe shtetin e brishtë të Kosovës, i cili ende nuk i ka marrë si duhet, as këmbët e veta. Ndajmegjithëse Hashim Thaçi nuk e tha se në çfarë cilësie është ftuar në Hagë, si i akuzuar apo dëshmitar dhe nuk e bëri të ditur as përmbajtjen e intervistimit, siç vepronin pararendësit e tij, duke kujtuar se Ramush Haradinaj dy herë dha dorëheqje nga posti i kryeministrit, herën e parë si i akuzuar, ndërsa herën e dytë si i dyshuar nga Tribunali i Hagës, këto janë argumente të fuqishme dhe më se të mjaftueshme, që pa marrë parasysh cilësinë në të cilën ai është ftuar, Hashim Thaçi medoemos duhet të jap menjëherë dorëheqje të parevokueshme e të shkojë në Hagë si qytetar i thjeshtë dhe jo si president i Republikës së Kosovës. Përndryshe ai do ta rëndojë edhe më tepër seç ka bërë deri më tani, pozitën e shtetit të Kosovës, tanimë edhe si klient i akuzuar i Gjykatës Speciale në Hagë”.

ditur faktin se Hashim Thaçi kurrë më nuk do të jetë ai që ishte në politikë dhe pushtet, dhe as ndonjë faktor relevant me rëndësi në vend, është koha e fundit që të reflektojë dhe jap urgjentisht dorëheqje, në mënyrë që të mos e dëmtojë shtetin e Kosovës edhe në minutat përfundimtare,të rrugës pa kthim të paktën politik, duke ndjekur shembullin e ish kryeministrit Haradinaj, pasi që ditën e hënë ai do të udhëtojë i ftuar edhe zyrtarisht, për tu intervistuar nga prokuroria e Gjykatës Speciale në Hagë. Është koha e fundit, që pas ofertave të gabuara të bëra në emër të lidershipit të vendit, Aleksandër Vuçiqit, përfshi edhe ato të llojit që konsiderohen tradhti e lartë kombëtare, si falja e veriut dhe ndarja e shtetit tonë të brishtë, ai të paktën tani duhet të dijë ta mbrojë Kosovën si luftëtar nëse vërtetë ka qenë ndonjëherë ushtar i njëmendtë, si Ramush Haradinaj. Të shkojë në Hagë, i pari i vendit me aktakuzë të shpallur për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, si paditë më të rënda penale në juridiksionin botëror dhe të drejtën ndërkombëtare, nga posti i presidentit të shtetit të Kosovës, jo vetëm populli i shumëvuajtur, që nuk do t’ia harronte asnjëherë, por nuk do t`ia falte kurrë as historia, një mëkat kaq të rëndë Hashim Thaçit! Një president i cili me politikën e tij të mbrapsht, tash e sa vite ka vu në rrezik tërësinë territoriale dhe shtetin e Kosovës, për ta ndarë e copëtuar dhe fal tokat më të vlershme me pasuritë tona më të mëdha kombëtare e shtetërore, Aleksandër Vuçiqit dhe Serbisë së madhe, deri më tani do duhej ta kishte rrëzuar vet populli dhe jo të priste që ai të ofrojë dorëheqje,kur dihet se një gjë të tillë, sundimtarët dhe diktatorët nuk e kanë bërë asnjë herë me vetë-dëshirë,madje as në momentet më të rënda për vendin. Mjafton fakti se ai është detyruar që të hënën, të jetë në Hagë, për tu përballur personalisht dhe drejtpërsëdrejti me Prokurorinë e Gjykatës Speciale, ku duke pasur parasysh se z.Thaçi dhe 9 persona të tjerë, janë akuzuar për vrasjen e mese 100 personave, përfshi edhe vrasjet politike, ai mund të përfundoj shumë lehtë edhe me arrestim dhe mbajtjen e tij në ambientet e burgut deri në përfundimin e gjykimit, pasi që momentalisht,siç dihet, është në procedurë edhe ngritja e aktakuzës kundër tij, nga Gjykata e Hagës. Ndaj pavarësisht se në çfarë cilësie është ftuar, duke pasur parasysh vet peshën e përmbajtjes së aktakuzës së shpallur, ai do të merret hollësisht në pyetje atje edhe për krimet, para dhe pas luftës , ndaj Thaçi assesi nuk do të duhej të udhëtonte në Hagë në postin e presidentit, që ta dëmtojë edhe më rëndë imazhin e shtetit të vogël të Kosovës. Kjo edhe për faktin se njëjtë si me rastin e shpalljes së aktakuzës, të gjitha mediet me renome ndërkombëtare në paraqitjet dhe faqet e para të tyre do të raportonin serish me shumë bujë, se si presidenti i shtetit të Kosovës, është ftuar në cilësinë e të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Hagë, gjë që do të ishte goditja më e rëndë e mundshme për vendin në këto momente, dhe në sytë e krejt botës Kosova do të shihej si shtet i krijuar nga krimi, dhe vendosur mbi themelet e krimit. Por megjithëse që nga publikimi i aktakuzës kundër tij, shumë figura të ndryshme shoqërore dhe politike kanë kërkuar me ngulm dorëheqjen e Thaçit nga posti i presidentit, ai deri më tani nuk e ka bërë një gjë të tillë, edhe pse tanimë e ka parë edhe vet, se orët e tij në politikë dhe pushtet, janë të numëruara dhe nuk ka më, se çfarë të ruaj as të humbë më tepër. Kështu që medoemos ai duhet të dëshmojë se të paktën në minutat e fundit para shkuarjes në Hagë dhe përballjes me Prokurorët e Gjykatës Speciale, është në gjendje të jap dorëheqje dhe "sakrifikojë" sado pak, për mbrojtjen e imazhit të shtetit të brishtë të Kosovës. Ai nuk duhet të harrojë se më 8 mars të vitit 2005, vetëm pak muaj pasi kishte marrë detyrën e kryeministrit,me shpalljen e aktakuzës së parë të ngritur kundër tij për krime lufte nga Tribunali i Hagës, Ramush Haradinaj dha dorëheqje, për të mos e njollosur shtetin e Kosovës. Më 9 shtator 2017, Haradinaj u zgjodh përsëri në postin e kryeministrit të Kosovës, por më 19 korrik të vitit 2019 për herë të dytë ai jep serish dorëheqje, vetëm pse ishte ftuar si dëshmitar në të njëjtin Tribunal. Me bërjen publike të aktakuzës për krime lufte kundër Hashim Thaçit, Kosova është goditur shumë rëndë si shtet, me jehonën e madhe negative që iu dha në të gjitha mediat ndërkombëtare, ndaj pas shpalljes së aktakuzës me 24 qershor 2020 nga Prokuroria Speciale, e tërë përgjegjësia bie pikërisht mbi Hashim Thaçin, që të reflektoj seriozisht dhe të plotësoj detyrimin e tij ligjor e moral para shtetit dhe popullit të Kosovës, duke ofruar dorëheqje të parevokueshme para udhëtimit në Hagë. Duhet ta rikujtojmë me këtë rast se shkak i vendimit për dorëheqjen e dyte të Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, ishte ftesa për t’u marrë në pyetje vetëm si i "dyshuar" nga Dhomat e Specializuara në Hagë, e megjithatë ai dha dorëheqje në mënyrë që të ruhet imazhi i Kosovës dhe nderi i institucionit të kryeministrit. Ndaj në mënyrë që Kosovës, as me këtë rast,të mos i bëhet presion i padrejtë për fajësi të supozuara të individëve, që tanimë kuptohet mirë se sa rëndë e dëmton imazhin e shtetit tonë të brishtë, as Hashim Thaçi nuk duhet të vazhdojë edhe në këtë gjendje ta mbajë të “uzurpuar” postin e Presidentit të Kosovës, por pas publikimit të aktakuzës nga Gjykata speciale kundër tij, ai duhet të jap dorëheqje të menjëhershme, gjë që në këto momente vendimtare me të drejtë pritet nga populli i Kosovës dhe do duhej të ndodhte gjithsesi nga ana e tij.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".