Paraqitja e Thaçit në Hagë para Prokurorisë Speciale, gaboi që nuk dha dorëheqje nga pozita e Presidentit

Paraqitja e Thaçit në Hagë para Prokurorisë Speciale, gaboi që nuk dha dorëheqje nga pozita e Presidentit
Paraqitja e Thaçit në Hagë para Prokurorisë Speciale, gaboi që nuk dha dorëheqje nga pozita e Presidentit

Gani Qarri

  • 15 korrik 2020 - 16:08

Shkruan: Gani Qarri

“Madje, megjithëse ai kishte shkuar nga posti i Presidentit për tu marrë në pyetje nga prokuroria, para Gjykatës Speciale në Hagë ishin mbledhur vetëm dhjetëra qytetar nga diaspora, gjë që dëshmon se sa poshtë ka rënë autoriteti i tij, pas keqpërdorimit të vazhdueshëm të pushtetit dhe pozitës së presidentit, për ndarjen e Kosovës. Për aq më tepër përcjellja në heshtje dhe gati pa kurrfarë buje e interesimi të veçantë të këtij rasti, nga opinion publik, partitë politike dhe qytetarët e vendit, është edhe një lajm i keq që flet hapur për humbjen totale të besimit të qytetarëve në figurën kontroverse të Hashim Thaçit edhe si president i vendit i cili gjatë mandatit të tij u apostrofua dhjetëra herë brenda dhe jashtë vendit për tentativa të rrezikshme të pazareve të ndyta me territore të vendit dhe faljen e pjesëve më vitale të Kosovës, Serbisë okupatore, për tu amnistuar pikërisht nga kjo ndjekje e Gjykatës Speciale”.

Duke pasur parasysh faktin se menjëherë pas publikimit të aktakuzës kundër Hashim Thaçit, Bashkimi Evropian filloi të distancohet tërësisht nga ai dhe të mos e shohë më si president të Kosovës dhe as të përshtatshëm për pjesëmarrje në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, kjo flet më së miri, se me çfarë padie të koklavitur mund të përballet Thaçi në Hagë. Ndaj sapo filloi përballja e tij me Prokurorinë Speciale atje, pas një intervistimi maratonik mbi 6 orësh, të ditës së parë, u njoftua se të paktën edhe për një ditë më tepër, do të vijojë marrja e Hashim Thaçit në pyetje “për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”, nga Gjykata Speciale. Kështu që duke parë kompleksicitetin e maratonës së aktakuzës, Thaçi bëri gabimin më të madh e ndoshta edhe gabim jetësor, që nuk dha dorëheqje para se të shkonte në Hagë, por udhëtoi edhe nën akuzë, që nga pozite e presidentit të vendit të përballet me prokurorët e Gjykatës Speciale. Me këtë akt të pamatur, Thaçi po rrezikon seriozisht edhe imazhin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës nga egoja e tij personale për ta mbajtur pushtetin edhe nën aktakuzën tashmë të shpallur,deri në objektet e Gjykatës Speciale dhe provuar të mbahet në mbrojtje nga aktakuza me imunitetin e të qenurit i veshur me mandatin e presidentit të shtetit të brishtë të Kosovës. Vetë fakti se pas më shumë se gjashtë orësh marrje në pyetje të ditës së parë, brenda zyrave të Prokurorisë së Specializuar, u bë e ditur se intervistimi i Hashim Thaçit, do të vazhdojë edhe ditën e nesërme, flet qartë se sa e rëndë dhe e koklavitur mund të jetë aktakuza kundër tij, ndaj dhe do të ishte akt tejet patriotik në shërbim të shtetit, që edhe ai njëjtë si Haradinaj më parë, të bënte paraprakisht tërheqjen e vullnetshme nga pozita e presidentit, në mënyrë që nëse rastësisht drejtësia e shpall të pa fajshëm, të kthehet me mburrje dhe riaktivizohet serish në skenën vendore politike.

Intervistimi gati gjithë ditor i Hashim Thaçit nga Prokuroria e Gjykatës Speciale me Seli në Hagë,dhe lajmi se marrja e tij në pyetje do të vazhdoj edhe për një ditë më tepër, dëshmon se sa e rëndë dhe e komplikuar mund të jetë aktakuza e shpallur kundër tij.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".