Kreu i shtetit i dyshuar nga Gjykata Speciale, politika e jashtme në kolaps

Kreu i shtetit i dyshuar nga Gjykata Speciale, politika e jashtme në kolaps

Gani Qarri

  • 22 July 2020 - 12:45

Shkruan: Gani Qarri

”Veçanërisht politika e jashtme me një ministre të pa përvojë dhe tërësisht amatore e anonime, si dhe diplomacia e dalë jashtë përdorimit vendore, e përbërë nga njerëz jo adekuat në krye të saj, po tregohen tërësisht të dështuara, që në fillim të mandatit të ri qeverisës dhe në kohën kur i pari shtetit, gjendet në pozicionin më të vështirë që mundë ta ketë si shef i politikës së jashtme, duke u përballur më drejtësinë ndërkombëtare për dyshime të rënda si krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit”.

-Pas makinacioneve makabre për rrëzimin e Qeverisë Kurti, janë bllokuar pothuajse të gjitha veprimet e njëmendta të diplomacisë së lodhët vendore dhe ka pushuar gati tërësisht edhe ndihma e shteteve mike për forcimin dhe konsolidimin e shtetësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, ndërsa në vend është krijuar pasiguri e madhe politike, shëndetësore, ekonomike e sociale si dhe pakënaqësi totale tek qytetarët e vendit me ministrinë e jashtme dhe diplomacinë e kolapsuar kosovare në tërësi, si asnjëherë më parë deri më tani, në Kosovën e pasluftës.

Emërimi i njerëzve jo sipas meritave dhe aftësisë por për arsye të lidhjeve familjare, personale dhe përkatësive partiake në krye të Ministrisë për Punë të Jashtme, paaftësia dhe mungesa e profesionalizimit të tyre ka bërë që edhe në këto momente vendimtare për shtetin dhe të ardhmen e vendit të krijohet pikërisht situatë heshtjeje dhe mosveprimi total, sikur të mos kishte Kosova fare ministri të jashtme.

Kjo dëshmon edhe një herë më tepër, se sa thellë është bastarduar dhe deformuar politika e jashtme e Kosovës, nga njerëz me lidhje familjare dhe partiake, të emëruar vetëm për interesa të përkohshme klienteliste politike që tash e sa vite, në vazhdimësi e kanë penguar krijimin e një diplomacie të mirëfilltë, ndaluar ecjen e shtetit përpara dhe dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës kudo në botë.

Kështu që,sidomos Ministria e Punëve të Jashtme, si njëra ndër tri shtyllat kryesore të shtetit të Kosovës, e ngulfatur deri në frymë nxënie nga njerëz pa autoritet dhe me mungesë totale të përvojës dhe rejtingut politik, jo vetëm se nuk kanë arritur kurrë të krijojnë grupe të miqësisë bilaterale ndërkombëtare që do të lobonin në favor të Kosovës, por pikërisht tani në këto momente kaq të vështira kur shteti sfidohet rëndë në dy drejtime, si dialogu me Serbinë dhe shpallja e aktakuzave kundër figurave të luftës para Gjykatës ndërkombëtare, pothuajse asgjë nuk funksionon si duhet dhe po dëmtohet rëndë në të gjitha aspektet shteti edhe ashtu ende i pa konsoliduar dhe i brishtë i Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".