Qeveria Hoti po izolohet nga opozita, pa pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse në dialog me Serbinë rrezikohet ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend

Qeveria Hoti po izolohet nga opozita, pa pjesëmarrjen gjithëpërfshirëse në dialog me Serbinë rrezikohet ratifikimi i marrëveshjes në Kuvend

Gani Qarri

  • 23 July 2020 - 07:37

Shkruan: Gani Qarri

”Nëse shkohet deri në fund kështu siç ka filluar, pa asnjë konsensus politik dhe pa pjesëmarrje gjithëpërfshirëse të partive më të mëdha politike në ekip të bisedimeve, do të rrezikohet edhe ratifikimi i marrëveshjes eventuale në Kuvend, edhe nëse Qeveria Hoti e qon deri në fund këtë proces pa konsensus politik dhe pa gjithë përfshirje në përmbylljen e finales së dialogut, pasi siç duket PDK nuk dëshiron, apo edhe druan në gjendjen që është, ta marrë fare në dorë këtë patate të nxehtë”.

-Duke pasur parasysh faktin se si LDK, vetëm pak muaj më parë e rrëzoi LVV-n, me mocion mosbesimi nga pushteti si dhe gjendjen në të cilën ka rënë aktualisht PDK, me kryetarin aktual Kadri Veseli dhe ish liderin shumëvjeçar të saj Hashim Thaçi, që të dy, përnjëherësh të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, nuk është fare për tu habitur se si tani vazhdon të injorohet dhe izolohet Qeveria Hoti në procesin e dialogut me Serbinë nga shumica parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës që kryesisht e përbëjnë po këto dy parti kryesore politike të opozitës.

Shto kësaj edhe personin që është caktuar pothuajse kokë më vete nga Avdullah Hoti për koordinator të bisedimeve me Serbinë, refuzimi i tillë i pjesëmarrjes së PDK-së dhe LVV-së në të ashtuquajturin forum të liderëve politikë, më duket se është plotësisht i arsyeshëm, ku edhe ashtu kanë marr pjesë vetëm përfaqësues dytësor të koalicionit, aq të brishtë, nga AAK-NISMA dhe nga AKR-ja që akoma zyrtarisht nuk është deklaruar pro këtij koalicioni, ndaj kjo, jo vetëm se është sinjal shumë i keq për të ardhmen e Qeverisë Hoti, por edhe dëshmon se në rastin më të mirë dhe mundësinë e parë që do tu jepet, edhe partitë që ndodhen aktualisht në opozitë, do ta shprehin njëjtë mosbesimin e tyre ndaj kësaj qeverie dhe rrëzojnë Hotin nga pushteti.

Madje PDK, nga frika se në situatën në të cilën ndodhet, edhe një Qeveri e tillë e pakicës, siç është kjo e Hotit, mund të shënojë ndonjë sukses ku PDK, nuk do ta ketë fjalën kryesore, në vijimësi shprehet vetëm me kritika, duke deklaruar publikisht edhe se takimet e tilla janë eksperimente të pa kuptimta dhe se eksperimentimi dhe improvizimi nuk ka vend për tema të rëndësisë së madhe siç është dialogu final në mes të Kosovës dhe Serbisë, ku gjoja sipas tyre vetëm PDK ka qenë gjithmonë e gatshme dhe konstruktive në raport me temat e mëdha e me rëndësi të veçantë për Kosovën, por kinse ata, serish janë injoruar nga mënyra e të bërit të ftesës nga Avdullah Hoti.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".