Qeveria Hoti në dialog me Serbinë vazhdon me pazaret aty ku e ka lënë Hashim Thaçi

Qeveria Hoti në dialog me Serbinë vazhdon me pazaret aty ku e ka lënë Hashim Thaçi

Gani Qarri

  • 31 July 2020 - 07:29

Shkruan: Gani Qarri

“Po gjatë kësaj fundjave, të enjten dhe të premten,në Bruksel janë takuar edhe delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë, siç është thënë, në nivel ekspertësh, por megjithatë, serish nuk janë dhënë detaje të temave të diskutuara,madje edhe vet koordinatori shtetëror i Kosovës për dialog, Skënder Hyseni u tregua shumë i mbyllur, i cili theksoi vetëm shkurt, se kinse ka pajtim rreth elementeve të caktuara dhe se gjoja biseda ka qenë konstruktive. Ndërsa për të hedhur poshtë krejt ato që deklaroi ai vet, Hyseni tha se nuk ka marrëveshje për kapituj të veçantë përderisa nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse, gjë që dëshmon edhe njëherë më tepër, se edhe kjo përbërje e përfaqësuesve të Kosovës, po vazhdon me traditën e krijuar nga Hashim Thaçi të mbajtjes sekret të temave të diskutuara në dialog me Serbinë, kur dihet mirëfilli fakti se përkundër premtimeve pa kursim, Qeveria Hoti, as që e ka dërguar fare për diskutim dhe miratim platformën e bisedimeve në Kuvendin e Kosovës”.

-Përderisa Kosova, ende nuk është pranuar nga Serbia si shtet i pavarur, madje statusi i saj, vijon të konsiderohet i pazgjidhur përfundimisht edhe nga pesë vende të Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia nuk mund të konsiderohet se nisen nga rrafshe të njëjta dhe pozicione të barabarta të bisedimeve, por edhe më tej, Serbia përpiqet të vendosë me pre impotencë, pretendime të hapura territoriale, ndaj vendit tonë, gjë që nuk premton premise për marrëveshje të arsyeshme e të drejtë dhe as paqe të qëndrueshme në rajon. Shto kësaj edhe faktin se kuislingu Hahim Thaçi, qysh në fillim të bisedimeve e damkosi shtetësinë e Kosovës me fusnotë,përkundër ndërrimit të delegacioneve, dialogu me Serbinë, përsëri vazhdon të mbetet tërësisht i pabarabartë, jo transparent dhe i pa përgatitur mirë, sikur që është vepruar edhe në të kaluarën, pavarësisht se në këtë proces kemi një formacion të ri politik, nga LDK-ja, të zotuar për transparencë dhe llogaridhënie, madje shumë të zëshëm me kritika për mandatin e kaluar Qeverisës të kryesuar nga PDK me ish partnerët e kontrolluar nga Hashim Thaçi. Përveç vazhdimit të avazit të vjetër edhe nga qeveria Hoti, nuk ka ndonjë ndryshim në këtë proces lidhur me deklarimet e zyrtarëve të shtetit të Kosovës për temat e diskutuara që po bien ndesh edhe me ato të zyrtarëve evropian, ku me 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidenti Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE, janë takuar në Bruksel, takim ky për të cilin Kryeministri aktual ka theksuar se janë diskutuar vetëm dy tema, si ajo për ekonominë dhe të pagjeturit.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".