Kuvendi dhe Qeveria e këtij mandati, e keqja e madhe e këtij shteti

Kuvendi dhe Qeveria e këtij mandati, e keqja e madhe e këtij shteti

Gani Qarri

  • 01 August 2020 - 09:15

Shkruan: Gani Qarri

”Kjo qeveri dhe këta parlamentar, po tregojnë hapur se nuk janë faktor i zgjidhjes së problemeve në vend, por sfidë e vërtetë dhe më serioze për shtetin e Kosovës dhe popullin e saj, ndaj qytetarët medoemos duhet të veprojnë sa s`është bërë tepër vonë dhe të mos presin, që të shohin edhe më keq, për tu bindur se është koha e kërkimit të alternativave krejtësisht të reja politike, ngase këta të cilët tani janë në pushtet dhe opozitë, po e dëshmojnë publikisht që nuk janë përfaqësues të votës qytetare, por zhvatës të pa skrupull të buxhetit të shtetit dhe mbrojtës të interesave të para politikës, deri te ato të grupeve kriminale”.

-Nuk ka gjë më të pahijshme dhe më të sikletshme, për votuesin e vendit,qytetarët e Kosovës por dhe vëzhguesit e huaj diplomatik, se sa të shohin, se si një deputet i cili vitin e kaluar u atakua personalisht brenda sallës së Kuvendit, nga një ish "kolegë", tani të sulmoj ai vet i dyti-fizikisht një deputet tjetër, po brenda institucioneve të Kuvendit, për të "sqaruar" mosmarrëveshjet politike. Mjerisht kjo dëshmon edhe njëherë më tepër se nga të gjitha dështimet më të mëdha që kanë pësuar institucionet ligjvënëse të Republikës së Kosovës në dy dekadat e kaluara, legjislatura aktuale e Kuvendit të saj, zë vendin e parë,e cila, sot të gjithë jemi dëshmitarë se edhe është kthyer në sfidë të vërtetë, për shtetin tonë të brishtë, ndaj në krye të top-dështimeve të institucioneve të vendit,që nga shpallja e pavarësisë, në 12 vjetshin që lamë pas, mund të vendoset lirisht, legjislatura aktuale e parlamentit të Kosovës, e përbërë me deputetët më të pa aftë e sharlatan, që ka pasur ndonjëherë ky vend. Me parlamentar dhe udhëheqje të tilla, Kosova përveç ngecjeve alarmante, për zhvillim e prosperitet të brendshëm si dhe dështimit total në garantimin e njohjeve të reja dhe forcimin e subjektivitetit të vet ndërkombëtar, si shteti më i ri evropian, ajo tash e sa vite, ka probleme të theksuara edhe sa i takon rrugës së integrimit euro-atlantik dhe assesi të arrij ta përcjellë hapin e suksesshëm të vendeve fqinje,në krahasim me Kosovën, të cilat ecin pareshtur drejt Bashkimit Evropianë.

Madje me udhëheqjen dhe ligjvënësit e tillë, Kosova jo vetëm që nuk ka perspektivë të qartë evropiane,ku qytetarët e saj,të vetmit nga i gjithë rajoni, janë izoluar si në geto dhe nuk mund të lëvizin pa viza në Zonën Schengen, por edhe deputetët palaço e gjysmë analfabet, që kanë probleme të theksuara edhe me të lexuar dhe mezi u shkojnë fjalimeve të veta deri në fund, tani janë shndërruar në hit të kohës së pandemisë, jo për zgjidhjen e problemeve të mëdha shëndetësore dhe ekonomike të atyre që kanë nevojë, dhe pak kohë më parë i kanë votuar e bërë deputetë, por për sulmet fizike, me të cilat, ata kanë filluar ti atakojnë hapur edhe në objektet institucionale kundërshtarët politik. E gjitha kjo dëshmon se qeveria dhe legjislatura aktuale,janë bërë shkaku kryesor,që po vazhdon të degradohet në mënyrën më të rëndë imazhi i Kuvendit dhe reputacioni i shtetit të Kosovës, si dhe deputetëve të njëmendtë, zgjedhur nga vota e lirë e popullit, me eskalimin e disa prej tyre deri në akte dhune dhe të përleshjeve fizike kundër njëri tjetrit, jo për interesin e qytetarëve por për poenë politike, që në këtë mënyrë, shpresojnë kot, se nuk do të mund ti arrijnë kurrë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".