Minishengeni Ballkanik i propozuar nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuqiq projekt skandaloz që mbështetet nga Qeveria Hoti

Minishengeni Ballkanik i propozuar nga Edi Rama dhe Aleksandër Vuqiq projekt skandaloz që mbështetet nga Qeveria Hoti

Gani Qarri

  • 02 August 2020 - 08:00

Shkruan: Gani Qarri

“Madje në samitin virtual të organizuar së fundi nga Këshilli Atlantik, ku morën pjesë liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryeministrin Avdullah Hoti, ku shpreh nevoja për avancim bashkëpunimi, veçmas në fushën e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave, veçanërisht kryetari i Qeverisë aktuale z. Hoti, ka dhënë sinjale të qarta se është pro bashkimit të tregut mes vendeve të rajonit, pavarësisht faktit se iniciativa për Minishengenin Ballkanik, gjatë gjithë kohës është kundërshtuar në masë të madhe në Kosovë”.

Mënyra se si ka filluar Hoti ti qaset dialogut me Serbinë,i cili megjithëse që nga fillimi e ka gojën plotë transparancë, por nuk sqaron asgjë mbi temat as përmbajtjen e bisedimeve, të bënë të dyshosh se ai është gati ta kthej Kosovën në një organizatë joqeveritare të Serbisë dhe jo të përfaqësohet edhe vendi ynë denjësisht dhe si shtet i barabartë, në tavolinë të bisedimeve, ku duhet të arrihet një marrëveshje dypalëshe gjithëpërfshirëse dhe siç që po premtohet, të përmbyllet me njohje reciproke. Për aq më tepër qeveria Hoti, duket se po përpiqet tërthorazi, që përmes marrëveshjes me Serbinë, kinse për çështje të interesit të madh ekonomik ndërshtetëror dhe rajonal, ta pranojë në tavolinë të bisedimeve edhe projektin Rama Vuçiq për Minishengenin Ballkanit, krijesë strukturore gjeopolitike dhe ekonomike rajonale kjo, që e rikthen Kosovën serish nën ndikimin dhe dominimin praktik të Serbisë. Madje në samitin virtual të organizuar së fundi nga Këshilli Atlantik, ku morën pjesë liderët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe kryeministrin Avdullah Hoti, ku shpreh nevoja për avancim bashkëpunimi, veçmas në fushën e lirisë së qarkullimit të njerëzve dhe të mallrave, veçanërisht kryetari i Qeverisë aktuale z. Hoti, ka dhënë sinjale të qarta se është pro bashkimit të tregut mes vendeve të rajonit, pavarësisht faktit se iniciativa për Minishengenin Ballkanik, gjatë gjithë kohës është kundërshtuar në masë të madhe në Kosovë.

Kryeministri Hoti, për këtë ndryshim u arsyetua duke thënë të ketë barriera, që për burim e kanë burokracinë, prandaj ai e ka parë të nevojshme që të lëvizet nga kjo situate, ngase sipas tij, qasja e bashkëpunimit shumëpalësh dhe ideja se nëse dy shtete kanë marrëveshje dypalëshe, ajo marrëveshje dhe ato kushte duhet të jenë në dispozicion të të gjitha shteteve të tjera, pa shpjeguar se në këtë mënyrë,vendi ynë po rrëshqet drejtë Minishengenit Ballkanik, i cili deri më tani, na u tha se nuk ishte i mirë për Kosovën. Hoti shkoi edhe më tej, duke shtuar se kemi punuar shumë për integrimin e rajonit, por duhet pranuar se rajoni është i fragmentuar, kur është në pyetje integrimi ekonomik, ndaj heqja e barrierave burokratike që kemi, ndihmon Ekonomitë tona, të cilat individualisht janë të vogla në aspektin e fuqisë së tregut dhe kërkesës së tregut dhe vetëm nëse bashkëpunojmë mund ta plotësojmë njëra tjetrën. Por nëse vetëm pak muaj më parë, Minishengeni vërtetë ishte aq i dëmshëm për Kosovën, ku që në nismë Serbia me miratimin e Edvin Ramës e vizatonte Republikën e pavarur të Kosovës, si pjesë të saj, në hartën e shteteve të Minishengenit Ballkanik, tani duhet të kundërshtohet edhe më me vendosmëri dhe akoma më fuqishëm një projekt i tillë kur dihet së është pikërisht lufta për dominim të tregut dhe resurse ekonomike në Kosovë dhe rajon, ajo që po e shtyn shtetin serb për ta lansuar planin Minishengen. Plan misterioz ky që i bënë të pa rëndësishëm dhe jo ekzistent edhe kufijtë nacional e ata shtetëror, në mes të vendeve në rajon, gjë që Serbia ka kohë që po lufton për tu rikthyer, qoftë edhe në këtë mënyrë, edhe një herë në Kosovë, në hapat fillestar, edhe me një nismë të tillë, të kamufluar me emër imponues si "Minishengen" madje të ekzagjeruar edhe si ballkanik”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".