Sherri i madh i Hashim Thaçit, 18 shtete i kanë tërhequr njohjet për Kosovën

Sherri i madh i Hashim Thaçit, 18 shtete i kanë tërhequr njohjet për Kosovën

Gani Qarri

  • 06 August 2020 - 07:46

Shkruan: Gani Qarri

“Pikërisht fillimi i dialogut me Serbinë dhe ideja kuislinge e lansuar disa herë nga Thaçi dhe Vuçiqi, për korrigjim të kufijve, ishte një nga elementet vendimtare që ka ndikuar tek hamendja dhe zmbrapsja e shumë shteteve të cilat ishin afër ose në prag të deklarimit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe për një dështim kaq të madh, përgjegjësinë kryesore politike duhet ta mbajë vet Hashim Thaçi”.

-Krizat e përsëritura që kasta e degjeneruar politike dhe grupet kriminale imponuan viteve të fundit, u kthyen në bumerang përcaktues dhe determinuesin kryesor të dështimit të plotë të përpjekjeve për njohje të reja, duke kolapsuar kështu, tërësisht diplomacinë e plogësht kosovare, përballë ofensivës së egër serbe tek shtetet e ndryshme të botës, për ti tërhequr njohjet e tyre të deklaruara në vitet e kaluara, për pranimin e Kosovës si shtet i pavarur. Për tu bërë edhe më zhgënjyes ky fakt, madje deri në brengosje shtetërore, Kosova fatkeqësisht, me ndërrimin e shpeshtë të qeverive, po vazhdon ta humbë edhe më thellë hapin dhe sensin e saj diplomatik, në sigurimin e njohjeve të reja, për ta forcuar pozitën ndërkombëtare dhe synimin final për anëtarësim në Kombet e Bashkuara. Siç dihet,shteti i fundit që e ka njohur Kosovën ishte Ishulli i Barbadosit, më 15 gusht të vitit 2018, ndërsa megjithëse nga atëherë tanimë po bëhen dy vjet e gjysmë të plota dhe vendi gjatë kësaj kohe ka ndërruar hiq më pak se tri qeveri, Kosova nuk ka marrë më, as edhe një njohje të vetme të re nga shtetet tek të cilat i ka drejtuar kërkesat e saj. Në anën tjetër, Serbia jo vetëm se për asnjë moment nuk e ka ndalur fushatën e ç’njohjeve, po sipas saj, deri më tani, 18 shtete i kanë tërhequr njohjet për Kosovën. Pikërisht fillimi i dialogut me Serbinë dhe ideja kuislinge e lansuar disa herë nga Thaçi dhe Vuçiqi, për korrigjim të kufijve, ishte një nga elementet vendimtare që ka ndikuar tek hamendja dhe zmbrapsja e shumë shteteve të cilat ishin afër ose në prag të deklarimit të njohjes së shtetit të Kosovës dhe për një dështim kaq të madh, përgjegjësinë kryesore politike duhet ta mbajë vet Hashim Thaçi.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".