Abuzimet pushtetare s’kanë të ndalur, shpenzohen milionat për të shpëtuar nga ligji rrjeti i politikës së inkriminuar

Abuzimet pushtetare s’kanë të ndalur, shpenzohen milionat për të shpëtuar nga ligji rrjeti i politikës së inkriminuar
Abuzimet pushtetare s’kanë të ndalur, shpenzohen milionat për të shpëtuar nga ligji rrjeti i politikës së inkriminuar

Riza Smaka

  • 06 August 2020 - 12:46

Shkruan: Riza Smaka

“Praktikimi i pagesave tejet të larta të avokatëve të jashtëm për të mbrojtur disa funksionarë vendorë të pandehur e vijimisht të akuzuar për krime të cilësuara, nuk mund të jetë tjetër, pos abuzimeve të autorizimeve publike të pushteteve ekzekutive si më parë ashtu në vijim. Aq më parë kur, në vendin tonë, ka jo pak avokatë kompetentë dhe meritorë për mbrojtje efikase të disa funksionarëve publikë të pandehur përkatësisht të akuzuar për krime të cilësuara, të cilët ,shumëfish më pak do të inkasonin shpërblime për shërbime nga kolegë të tyre të jashtëm”.

Abuzimet pushtetare, në radhë të parë qeveritare, në vendin tonë, nuk kanë të ndalur! Abuzimet përfshijnë të gjitha format korruptive që manifestohen gjatë ushtrimit të pushteteve publike. Ndër të tjera, mungesa e sensit, në një anë si dhe e aplikimit të përgjegjësisë objektive, morale e politike, në anën tjetër. Aktualisht, në ditën e fundit të korrikut 2020, Kosova, jo për të mirë, por ,mjerisht, për të keq, është radhitur në vendin e parë në botë për shkallën më të lartë të mortalitetit në botë nga Covid 19. Për gjendje të tillë tmerruese dhe për aq edhe turpëruese, në miljeun tonë, nuk mund të pritet asnjë farë formë e aplikimit të përgjegjësisë objektive, politike, funksionale apo morale, së pakut, në formë të shkarkimit apo të dorëheqjes se funksionarëve të caktuar! Në cilin do shtet të së drejtës, për shkak të tillë do të dorëhiqej përkatësisht do të shkarkohej qeveria si një nga tri pushtetet më të përgjegjshme për shëndetin e popullit e të qytetarëve, ndryshe të pa mbrojtje shëndetësore, invalidore as pensionale!

Së andejmi, përshtypjet dhe opinionet publike ndërkombëtare në kontekstin e shkallës së lartë të korrupsionit, të krimit të organizuar, të jo efikasitetit të tri pushteteve – ekzekutive, legjislative e gjyqësore, pashmangshëm do të devalvojnë dhe deklasojnë imazhin, edhe ashtu, kurrfarë dhe tejet të dobët të vendit tonë. Edhe pse, për funksionarë publikë të caktuar, nder të tjera, për të krijuar precedentë perverziv të volitshme për rastet vijuese të ngjashme e të mundshme, ndryshe, të mirënjohur për pasuri marramendëse, madje, të fituar në mënyrë nebuloze, falë abuzimeve të funksioneve publike të pushteteve ekzekutive dhe legjislative, në rast të sëmundjes, nga paraja e popullit të varfër, janë siguruar e për të qenë edhe më keq do të siguroheshin financime për mjekime speciale ,tepër të shtrenjta, jo në vend por jashtë jashtë vendit! Ose, praktikimi i pagesave tejet të larta të avokatëve të jashtëm për të mbrojtur disa funksionarë vendorë të pandehur e vijimisht të akuzuar për krime të cilësuara, nuk mund të jetë tjetër,pos abuzimeve të autorizimeve publike të pushteteve ekzekutive si më parë ashtu në vijim. Aq më parë kur, në vendin tonë, ka jo pak avokatë kompetentë dhe meritorë për mbrojtje efikase të disa funksionarëve publikë të pandehur përkatësisht të akuzuar për krime të cilësuara, të cilët ,shumëfish më pak do të inkasonin shpërblime për shërbime nga kolegë të tyre të jashtëm. Aq më parë, Ad Fortiori, dot nuk mund të dyshohet fare se, avokatët vendorë, do të përfaqësonin dhe mbronin shumë më me sukses se sa kolegët e tyre të jashtëm funksionarët dhe personat e pandehur e vijimisht të akuzuar për krime të cilësuara!”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".