Po udhëheq Qeveria apo po sundon mafia, gjithçka po ecën mbrapsht në shtetin e brishtë të Kosovës

Po udhëheq Qeveria apo po sundon mafia, gjithçka po ecën mbrapsht në shtetin e brishtë të Kosovës
Po udhëheq Qeveria apo po sundon mafia, gjithçka po ecën mbrapsht në shtetin e brishtë të Kosovës

Dr. Hysni Aliu

  • 12 August 2020 - 07:32

Shkruan: Dr. Hysni Aliu

“Ndërkombëtaret, është e rëndësishme, që në çfarëdo situate që të jetë, të mos lejojnë që Kosova të zgjedh ndonjë president apo kryeministër të ri nga radhët e të korruptuarve apo të akuzuarve të mundshëm nga Gjykata Speciale. Kosova duhet të shkoj në zgjedhje të reja, në momentin që situata e kërkon, e jo të bëhen sërish martesa fiktive të cilat po sjellin qeveri të cilat mbrojnë krimin dhe korrupsionin e jo qytetaret e vendit”.

-Zhvillimet e fundit në skenën politike kosovare nuk janë aspak befasuese. LDK me djallëzitë e saj të njohura, po tenton ta sjell AAK-në në situatë që ata vetë të largohen nga koalicioni, në mënyrë që të ofrohet me PDK në, sepse vetëm në prehrin e tyre Isa Mustafa me shokë, e gjen qetësinë. E njëjta sjellje ka qenë me VV-në, kur LDK nëpërmes Veliut dhe Hotit bënte diversion të vazhdueshëm ndaj qeverisë Kurti, derisa e detyroj ta shkarkoj Veliun dhe si rrjedhojë gjeti arsyen për votë mosbesimi ndaj qeverisë Kurti. Ia kujtoj z. Isa Mustafa, mesazhin që ju patë dërguar deputetëve të LDK-së pak para rrëzimit të qeverisë Kurti , ku thoshte që ” Ju premtoj që nuk do të ketë koalicion me PDK-në, në asnjë rast e asnjë rrethanë”. Edhe AAK ja po tregohet dyfytyrëshe, duke përkrahur një qeveri që ishte e gatshme ta ndanë Kosovën, po mos të ja ndalte rrugën në gjysmë BE ja Thaçit dhe Hotit. Tani është e kotë që Haradinaj të shet patriotizëm, sepse ai ishte edhe pjesëmarrës në qeverinë që hoqi edhe reciprocitetin ndaj Serbisë.

Unë befasohem me të vërtete, kur Haradinaj thotë ”Unë dua me e pas njeriun tim, që unë i besoj, në bisedimet me Serbinë”. Kjo është shumë e çuditshme, sepse në këtë sistem funksionon vetëm mafia, ndërsa në një shtet normal, ju besohet institucioneve e jo individëve. Pra Haradinaj po tregon që po e përkrahë një qeveri, së cilës nuk i ka besuar që nga fillimi, as për çështjet madhore, siq janë bisedimet me Serbinë. Si mund ti besoj populli një qeverie që po funksionon në stilin mafioz, ku as ata që e kanë formuar këtë qeveri, nuk i besojnë vetvetes. Kjo është një pikëpyetje e madhe??!! Pra, z Haradinaj, njeriut qe nuk i beson, mos e zgjedh për kryeministër sepse ai ta copëton shtetin. Unë besoj që Kosova duhet të koncentrohet në ruajtjen e qetësisë dhe sigurisë së brendshme sepse është pran dy rreziqeve shumë të mëdha. E para është Serbia dhe bisedimet në Bruksel, të cilat janë një fushë tejet e minuar. Dhe e dyta, aktakuzat e mundshme nga Gjykata speciale ndaj ish komandantëve të UÇK- së. Të dyja këto çështje, janë rrezik permanent për destabilizimin e situatës në vend. Serbia, punon natë e ditë, për të shfrytëzuar rastin që të ndërhynë në Kosovë, dhe nuk përjashtohet ndonjë inskenim i ndonjë situate të dhimbshme në Kosovë, vetëm që bisedimet të ndalen. Ndërsa, reagimet e mundshme të veteranëve të UÇK-së në rast të akuzave ndaj komandantëve të UÇK-së, janë rreziku tjetër i mundshëm për destabilizimin e vendit. Si rrjedhojë, unë personalisht, nuk jam për të rrëzuar këtë qeveri në këso rrethanash. Pra , le të merren vetë këta, me gjërat që vetë i sollën deri këtu, me këtë situatë që e krijuan në Kosovë, në këtë kuadër edhe me Gjykatën Speciale dhe bisedimet me Serbinë, e mos të përballet me këtë fortune z. Kurti, sepse nuk e meriton, edhe me faktin që ka votuar kundër kësaj gjykate.

Qeveria Kurti, duhet të filloj punën, pas epokës Thaçi, Mustafa, Haradinaj Limaj, epokë e cila është në përfundim e sipër. Kjo qeveri, nuk duhet të rrezohet tani, edhe me faktin që është e zgjedhur nga Grenell, për të zgjidhur çështjet kontestuese me Serbinë, epo, le ta bënë këtë kjo qeveri, e pastaj shohim. Ramja e kësaj qeverie në këtë kohë, do të ishte edhe në dobi të Serbisë, pikërisht për shkak të bisedimeve në Bruksel, sepse siç po duket hapësira manovruese e Vuçiqit është ngushtuar, andaj ai do të jetë para një presioni të madh në lidhje me Kosovën. Kurti, duhet të vazhdoj me mençurinë, largpamësinë, dhe qetësinë e tij, qetësi e cila po e zotëron muajve të fundit. Duhet vetëm ti shtoj aderimet e intelektualeve të vërtetë në partinë e tij. Ndërkombëtaret, është e rëndësishme, që në çfarëdo situate që të jetë, të mos lejojnë që Kosova të zgjedh ndonjë president apo kryeministër të ri nga radhët e të korruptuarve apo të akuzuarve të mundshëm nga Gjykata Speciale. Kosova duhet të shkoj në zgjedhje të reja, në momentin që situata e kërkon, e jo të bëhen sërish martesa fiktive të cilat po sjellin qeveri të cilat mbrojnë krimin dhe korrupsionin e jo qytetaret e vendit”.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".