LDK-ja zbulon skenarin e zgjedhjeve të reja, 'ujqërit e vjetër' pa vija të kuqe kundër Lëvizjes Vetëvendosje

LDK-ja zbulon skenarin e zgjedhjeve të reja, 'ujqërit e vjetër' pa vija të kuqe kundër Lëvizjes Vetëvendosje

Gani Qarri

  • 04 October 2020 - 08:56

Shkruan: Gani Qarri

Nuk është i rastësishëm as pa qëllim deklarimi i nënkryetarit të LDK-së Lutfi Haziri se nëse dëshirojmë të kalojmë zgjedhjen e presidentit dhe aktakuzat e Speciales, atëherë Kosova ka nevojë për stabilitet si oksigjeni. Ndaj ai thotë se e kemi ofruar veten për stabilitet, e nëse të tjerët nuk dëshirojnë stabilitet dhe marrëveshje me dialog politik, atëherë opsion janë zgjedhjet, ndërsa pas zgjedhjeve do të zgjidhet edhe presidenti. Kështu që në zgjedhjet që do të vijnë Lutfi Haziri ka paralajmëruar bashkim të forcave të vjetra politike dhe izolim total të VV-së-përderisa sipas tij, para zgjedhjeve të 6 tetorit të vitit të kaluar, partia më e izoluar ishte PDK-ja, pas zgjedhjeve të 6 tetorit partia më e izoluar është Vetëvendosje sepse askush s’dëshiron të hyjë në qeverisje me ta.

Në stuhinë e sapofilluar të operacioneve të EULEX-it,dhe nisjes së seancave të para gjyqësore të Gjykatës Speciale, duket se muajt e fundit të këtij viti, do të jenë tejet dramatik për komandantët e kriminalizuar dhe udhëheqësit e inkriminuar të partive të ashtuquajtura “të dala nga lufta”. Ndaj nga frika e humbjes së pushtetit dhe etheve të ballafaqimit me Gjykatën Speciale, sidomos pas arrestimeve të këtyre ditëve me urdhër të Dhomave të Specializuara, partitë e lidhura fuqishëm me krimin e organizuar, mafio-oligarkinë, korrupsionin dhe tenderomaninë, me të cilat kanë mbijetuar dhe mbajtur tash e mbi 21 vite majat e pushtetit, të vetëdijshme se pa to, nuk mund të qëndrojnë më në krye të udhëheqjes së vendit, qysh tash kanë filluar përgatitjet për rigrupimin e tyre në një koalicion dhe hyrje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme që mundë të na befasojnë së shpejti. Parti pirate të cilat për më tepër se plot dy dekada me radhë, e zhvatën dhe përvetësuan çdo gjë të mundshme me vlerë të këtij shteti më të riut në rajon, duke e kthyer me forcë në pronësi të tyre private dhe varfëruar deri në mjerim pjesën më të madhe të popullit të Kosovës, rinia e të cilës, shkaku i qeverisjes së kriminalizuar nga ta, detyrohet të ikë përditë nga vendi. Për aq më tepër,edhe LDK, parti e cila, që nga vdekja e Rugovës e këndej, shkon zvarrë si “Muqa pas daive” prapa këtyre subjekteve, sipas nënkryetarit Lutfi Haziri, ka vendosur që vijat e kuqe të cilat LDK-ja i kishte vendosur ndaj PDK-së në zgjedhjet e kaluara, gjegjësisht ndaj Kadri Veselit, më tepër për inate personale të Isa Mustafës (mendojë unë), pasi që Veseli si kryetar i koalicionit të kaluar qeverisës, dhe udhëheqës i subjektit politik të PDK-s, e kishte "prerë në besë" atë duke ngritur mocionin për rrëzimin e Qeverisë,që në atë legjislaturë udhëhiqej nga Isa Mustafa. Ndaj në zgjedhjet që po vijnë, ato vija të kuqe, pas vendimit të sapo lansuar publikisht nga Isa Mustafa, për heqjen e tyre, nuk do të funksionojnë më,në mes të partive politike në fjalë, përveç në raport me LVV-në, të cilën sipas Hazirit, qysh tash kanë planifikuar që ta izolojnë dhe të mos bashkëpunojë më askush për përfshirjen e saj në qeverinë e ardhshme. Madje duke komentuar deklaratën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli i cili e ka quajtur Qeverinë Hoti, “qeveri të lodhtë" që duhet të rrëzohet nga pushteti, Haziri u shpreh se në interes të vendit është ballafaqimi i përbashkët me situatën e krijuar nga Gjykata Speciale dhe zgjedhjen e presidentit të ardhshëm, por nuk e ka përjashtuar as opsionin e zgjedhjeve të reja poqë se dështon një marrëveshje politike për vazhdimin e stabilitetit të qeverisjes së tanishme.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".