Paradoksi i një (pseudo)shkencëtari (ar)mik

Paradoksi i një (pseudo)shkencëtari (ar)mik
Paradoksi i një (pseudo)shkencëtari (ar)mik

Halim Hyseni

  • 09 October 2020 - 09:56

Frashër Demaj, duhet  të mbajë përgjegjësi  për fyerjen publike ndaj kombi shqiptar!

Jam  shqetësuar shumë për  atë që ka ndodhur me “Projektin e Historisë së Përbashkët “, por nuk  doja të deklarohem. Vendosa të shpreh  kundërshtimin tim ndaj prepotencës dhe arrogancës së reagimit  të Frashër Demajt, i cili në vend se në mënyrë të qetë ë dhe me  argumente t’i qartësojë para opinionit publik të Kosovës shkaqet dhe  arsyet e lëshimeve të këtilla, sulmon dhe atakon Shkelëzen Gashin, një person, i cili  ka bërë analizën e teksteve të historisë në gjuhën shqipe dhe serbe, me një tolerancë dhe  paanshmëri, edhe pse personalisht mendoj se edhe ky ka bërë një balancim jo të qëndrueshëm.

Z. Frashër Demaj, përpiqet  të argumentojë se këta libra janë “dokumentarë” sepse në ata janë prezantuar burimet e ndryshme të dokumenteve. Prezantimet e tilla  janë në kundërshtim me shkencën e historisë dhe të vërtetën historike. Paraqitja e këtillë e dokumenteve nuk i qartëson gjërat, por krijon nebuloza dhe huti. Shkenca e historisë   duhet bazuar në argumente shkencore.

Autori dhe hulumtuesi i të kaluarës duhet të ndajë “shapin” nga “sheqeri”, të vërtetën nga gënjeshtrat. Si historian që është, nuk duhet bazuar vetëm në  dokumente, sepse zakonisht historinë e kanë shkruar fituesit, të cilët gjithnjë veten e kanë shfajësuar nga krimet dhe mizoritë e bëra.

Reçaku nuk ka qenë larg. Ky zotëri, ka mundur si historian që është  dhe si shkencëtar që përpiqet ta paraqesë veten, ta argumentojë të vërtetën e argumentuar shkencore me fakte të shumta të pakundërshtueshme. Nëse këtij zotërie nuk iu është dhënë mundësia ta bëjë këtë është dashur të tërhiqet sepse   dëmi i shkaktuar kombit tonë para opinionit botëror dhe të ardhmes së tij është i pallogaritshëm.

Këta libra alternativë nuk mund të jenë tekste të përbashkëta të historisë. Me këta libra si zakonisht   kanë fituar nacionalizmi serb dhe grek. Si mund të jenë tekste të përbashkëta të historisë këto tekste  alternative kur në to shkruan: “Gratë shqiptare janë të paarsimuara, nuk flasin asnjë gjuhë tjetër dhe konsiderohen si bagëtia e tyre”, ndërsa për gratë serbe shkruan: “Gruaja serbe ua kalon të gjitha grave më të shquara të të gjitha kombeve në botë”. Të krahasosh femrat shqiptare  me bagëti me dijen e një shqiptari në një tekst ndërkombëtar alternativ të historisë, thënë me  eufemizëm, është antikombëtare. Pikë. A ka dëgjuar, ky doktor shkencash dhe a ka lexuar ndonjë gjë për dhe nga  Elena Gjika apo Dora D’Istria (1828 -1888) e cila në shekullin XIX ka qenë një ndër 10 femrat intelektuale më të shquara të  botës. A di ky zotëriu se femrat shqiptare sot dominojnë në botë në fushën e muzikës, sportit, shkencës, artit etj. A ka dëgjuar ky farë akademiku për: Ermonela  Jahon, Rita Orën, Dua Lipën, Bebe Rexhën, Amanda Ava Kocin, Eleni Foueira (shqiptare  të cilën grekët e paraqesin si greke) Era Istrefin,  sportisten Majlinda Kelmendin etj. A ka ndonjë serbe me famë  botërore në këto fusha.

Jo, asnjë. A e dinë serbët, se shqiptarët i kanë dy nobelistë (Nënë Terezën dhe  Ferid Muratin), ndërsa serbët një dhe atë, një racist, kroat i serbizuar. A e dinë serbët se shtetin e tyre  e kanë krijuar shqiptarët. Po ashtu, a e dinë serbët, se Beogradi nga turqit është çliruar me kontributin e shqiptarit Jani Kondo?  Meritat më të mëdha të serbëve janë gënjeshtrat e tyre patriotike përmes të cilave veten e kanë shpallur hyjnorë. Ata, duke shtrembëruar historinë, po arrijnë  të mashtrojnë botën me gënjeshtra dhe insinuata.

Por, Frashër Demaj,  është pasqyra më domethënëse  e qeverive të deritashme të Kosovës, pjesës më të madhe të deputetëve  të deritashëm dhe të sotëm, institucioneve arsimore në krye me Akademinë (e hiçit)  të Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ku kanë gjetur strehim edhe individë me mendje  të pashkolluar dhe pseudoshkencëtarë. 

Kjo  çfarë shkruan në librat alternativë të historisë  nga fillimi ka qenë e planifikuar dhe e orientuar  ndaj atakimit të kombit shqiptar. Vetë nisma nga Selaniku i një OJQ-je, e cila gjoja ka qasje   demokratike, humaniste, të bazuara në edukologjinë e paqes, pedagogjinë e barazisë, pos që ka pasur  për qëllim të sigurojë fonde, ajo ka synuar dhe ka arritur të mbulojë krimet e tmerrshme dyshekullore  greke dhe serbe ndaj popullit shqiptar, por edhe të vërtetojë tezën e përhapur serbe se shqiptarët janë të prapambetur, të paarsimuar, pa ndjenjë shtetësie, dhe të malit, siç e deklaroi hapur kryeministresha  e Serbisë, Ana Brnabiq, para disa vitesh.

Në këta libra, karrikatura e mëposhtme konsiderohet nacionaliste sepse krijon urrejtje, ani pse me të katërçipërisht shprehen tendenca e atëhershme edhe të sotme të Serbisë dhe  Greqisë për krijimin e Greqisë së Madhe dhe të Serbisë së Madhe, të cilat asnjëherë nuk kanë hequr dhe nuk heqin dorë për shfarosjen e popullit shqiptar. 

Kjo  karikaturë e cila   shpreh qartë synimet  e kohës dhe të tashme të Serbisë dhe të Greqisë, është cilësuar si nacionaliste  dhe që nuk duhet të jetë në tekste. Pikërisht kjo karikaturë duhet jetë jo vetëm në tekstet e historisë  por edhe në tekstet tjera, sepse përgatitë gjeneratat e reja te mos jenë pre e re e gjenocidit dhe holokaustit serb dhe grek 

Kam analizuar  tekstet e historisë së shkruar nga ky autor, me  disa autorë të tjerë. Të gjitha janë në disproporcion me të vërtetën shkencore dhe historike, sepse në ato nuk pasqyrohen faktet e dëshmuara  historike. Në ata libra ideologjike dhe pa taban kombëtar, faktet madhore historike të këtij kombi, siç është lufta heroike dhe legjendare  e UÇK-së, zëvendësohet me fakte triviale dhe paliative.

E theksoj këtë sepse tendenca e akademikut zulmëmadh për t‘u ikur ngjarjeve të rëndësishme   historike të kombit, duke i zëvendësuar me ngjarje dhe fakte terciare dhe gjysmë të vërteta, është dashur t’u bjerë në sy institucioneve tona shkencore dhe t’ia ndalin turrin  këtij njeriu të rrezikshëm, i cili për motivet të cilat ai i di, ka bërë dhe po i bën dëme të mëdha kombit.

Kjo çështje  duhet të zbardhet deri në fund. Pasi  të zbardhet në tërësi dhe në mënyrë objektive duhet  vërë para përgjegjësisë të gjithë ata të cilët qëndrojnë prapa këtij   komploti antikombëtar.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".