Dy dekada dështuan ta mbajnë Veriun në sovranitetin kushtetues të Kosovës e tash bëjnë zhurmë për vota në parlament

Dy dekada dështuan ta mbajnë Veriun në sovranitetin kushtetues të Kosovës e tash bëjnë zhurmë për vota në parlament
Dy dekada dështuan ta mbajnë Veriun në sovranitetin kushtetues të Kosovës e tash bëjnë zhurmë për vota në parlament

Ragip Guraziu

  • 07 November 2020 - 09:23

Shkruan: Ragip Guraziu

Duke debatuar kot dhe pa fuqi vendimmarrëse për Veriun, partitë politike në Kuvendin e Kosovës u munduan me akuza jo serioze që të hedhin topin e përgjegjësisë si patate të nxehtë nga njëri grup tek tjetri, duke harruar se dy dekada pas lufte dhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë, nuk mbeti asnjë parti politike pa e shijuar pushtetin dhe pa marr hise në testin provues për ta qeverisur shtetin, por nuk arritën asnjëra që ta fitojnë betejën me strukturat kriminale, ilegale serbe që e mbajnë të tensionuar dhe pa ndonjë nivel sigurie, pjesën veriore të Kosovës e cila po zbrazet gradualisht nga shqiptarët dhe po popullzohet me ardhacakët serb, për sistemimin e të cilëve angazhohet dhe investon pa pendueshëm qeveria e Serbisë përmes qendrës së saj koordinuese në Beograd.

-Kuvendi i Kosovës e ka humbur tërësisht imazhin pozitiv të cilin e ka pasur në fillim të mandatit, nga besimi qytetar se të zgjedhurit do të angazhohen për interesin e përgjithshëm të shtetit, por nuk ka qëndruar në këtë mision duke ndryshuar mandat pas mandati, dhe tani është bërë një institucion i kapur për partitë e inkriminuara politike për interesin e tyre. Ky institucion ka dështuar të merret seriozisht edhe me temat nacionale, sikur që e kemi temën e nxehtë të veriut të Kosovës, ku dora e shtetit vazhdon të mos arrij të shtrihet dhe të përkujdeset si duhet e sa duhet për shtetasit e vetë. Tani, pas dy dekada dështimi, partitë politike kanë filluar të llafosen në Kuvend dhe me shumë zhurmë po mundohen që të ja hedhin përgjegjësinë njërit apo grupit tjetër politik në qeverisje të vendit, për dështimin e shtrirjes së sovranitetit të shtetit në Veri, kur dihet mirëfilli se Veriu i Kosovës dhe mbetja jashtë kontrollit të tij, me situatën e rrezikshme të sigurisë për banorët shqiptar që janë në pozitën e pakicës, është përgjegjësi e përbashkët e të gjitha partive politike në këto dy dekada pas lufte dhe 13 vjet pas shpalljes së pavarësisë.

Tani 20 vite pas çlirimit, Kuvendi i Kosovës po shfrytëzohet nga partitë politike kryekëput vetëm për tema të mashtrimit elektoral të qytetarëve të Kosovës, sikur që u dëshmua edhe në debatin për situatën në Veri, dhe gjendjen e shqiptarëve në këtë pjesë të territorit të Kosovës të populluar me shumicë serbe, e ku shqiptarët nuk e kanë të siguruar mbrojtjen e institucioneve të shtetit të Kosovës, ndjehen të diskriminuar dhe të rrezikuar nga strukturat kriminale, paralele të serbëve lokal të mbështetur nga qendra zyrtare e qeverisë në Beograd. Partitë politike të përfaqësuara në Kuvend po krijojnë vetëm një mjegull mashtruese me karakter elektoral, duke u përpjekur që secili subjekt politik, ta arsyeton dështimin e vetë në mandatin e qeverisjes, për ta instaluar autoritetin e plotë shtetëror dhe ligjshmërinë kushtetuese në këtë pjesë të territorit të Kosovës të banuar me shumicë serbe.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".