Të arrestuarit nga Gjykata Speciale nuk lejohen të mbrohen në liri, i rrezikojnë dëshmitarët

Të arrestuarit nga Gjykata Speciale nuk lejohen të mbrohen në liri, i rrezikojnë dëshmitarët

Gani Qarri

  • 20 December 2020 - 09:03

Shkruan: Gani Qarri

Dhomat e Specializuara, Gjykata Speciale dhe Prokuroria, sikur ishin të "detyruara" nga vetë të akuzuarit, që qysh në fillim ti hidhnin poshtë unanimisht kërkesat e tyre për lirim me kusht, dhe siç u hodh poshtë kërkesa e bërë nga ekipi i avokatëve mbrojtës të Hashim Thaçit edhe kërkesat tjera që është thënë se janë në shqyrtim për të akuzuarit tjerë , Rexhep Selimin dhe Kadri Veselin, Gjykata Speciale, po ashtu pritet ti hedhë poshtë, jo nga frika se këta do të mund të iknin dikund, sepse edhe ashtu nuk i do më as vendi i vet, e lëre më të ketë treguar interesim dikush tjetër që ti mbajë dhe ofrojë strehim asnjërit prej tyre, por nga droja se me tu liruar me kusht, do ti frikësonin serish dëshmitarët dhe shantazhonin familjet e tyre, siç është vepruar edhe më herët, në Kosovë dhe jashtë saj.

-Veprimet e kundërligjshme të Hashim Thaçit & CO, para se të arrestoheshin nga Specialja, me organizimin e postimit të kopjeve nga aktet e Gjykatës, duke nxitur udhëheqësit e OVL që dërgesat e transportuara me korrier të porositur, ti bënin publike për shantazhimin e Gjykatës, si dhe frikësimin e dëshmitarëve dhe familjeve të tyre, kanë bërë që Gjykata Speciale ta humbë tërësisht besimin në këta njerëz dhe të hedhë poshtë qysh në raundin e parë, kërkesat për lirimin me kusht të tyre.

Vetëm nga marsi i vitit 1998 deri në shtatorin e 1999-tës,në aktakuzë thuhet se u kryen krime të rënda të luftës, arrestime, ndalime arbitrare ,trajtim mizor, torturë, burgosje, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë të personave civil, në të dy shtetet tona. Ndërsa për periudhën janar 1998-dhjetor 2000, akuzohen për qindra vrasje, kidnapime, torturë, keqtrajtime të civilëve të paarmatosur dhe pjesëtarëve të partive rivale, shumica prej të cilave në Kosovë, numër trishtues dhe përmasa që rrallë kush është akuzuar deri më tani, për të cilat Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, akuzohen se mbajnë përgjegjësi penale si udhëheqës të strukturave të UÇK dhe si individë, për krimet e paraqitura në aktakuzë.

Enigmë mbeti se pse dhe si nuk u arrestuan edhe korrierët e "panjohur" fantom të cilët ditën për diell, u angazhuan me aq zell, për transportimin spektakolar, të "dosjeve" me veshje "anonime" që përbëhej vetëm prej një maske anti-Covid dhe kapele komuniste, postën e porositur nga Thaçi & CO deri në zyrat e OVL, apo ndoshta janë arrestuar edhe ata, por nuk i dha kush rëndësi punës së tyre, pasi që u burgosën aktorët e "popullit" dhe skenaristët e "merituar" të kësaj loje amatore me z. Thaçi në krye.

Madje akti në fjalë, fletë shumë edhe për vet seriozitetin e aktakuzës, pasi që sipas mediave vetëm të arrestuarit aktual, akuzohen për qindra vrasje dhe megjithëse ata që të tre i janë përgjigjur ftesës së Prokurorisë për tu vete dorëzuar, dhe kanë shkuar pa asnjë refuzim, duke mos pritur të arrestohen, sikur ka ndodhur me Jakup Krasniqin, lirimi i cilitdo, do të ishte joserioze edhe për vet Gjykatën, si dhe fyerje e rëndë edhe për familjet e viktimave, të cilat pas mbi dy dekadash të kaluara, presin që përfundimisht Gjykata Speciale ti zbardhë autorët e vrasjes së bijve të tyre dhe qojë drejtësinë për ta, në vend.

Krejt kjo për shkak se shteti i kapur i Kosovës, për më tepër se 21 vite në liri, nuk lejoi kurrë të zbulohet asnjë vrasje dhe dënohet qoftë edhe një autor i vetëm i këtyre akteve kriminale, për të cilat urgjentisht duhet të vihen para përgjegjësisë penalo-ligjore edhe vet kryeprokurori Lumezi me të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar që penguan drejtësinë dhe nuk zbardhën asnjë vrasje apo rast kriminal në vend, të cilat, që të gjitha i kanë pasur mirë të ditura, por i kanë mbajtur kundërligjshëm të fshehura, këto dhe akte të tjera makabre.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".