E zbulon analisti i njohur: Ja ku kalon rruga e vështirë e Ramush Haradinajt deri në pozitën e presidentit të shtetit

E zbulon analisti i njohur: Ja ku kalon rruga e vështirë e Ramush Haradinajt deri në pozitën e presidentit të shtetit

Gani Qarri

  • 23 January 2021 - 13:33

Shkruan: Gani Qarri

Nëse AAK, edhe nga zgjedhjet e reja del me rezultat të respektueshëm pozitiv, dhe vet Haradinajt i shprehet besimi i SHBA-ve për postin e të parit të vendit, AAK me siguri, do të ketë rol vendimtar edhe në krijimin e koalicionit të ri pas zgjedhor, që nënkupton kushtëzimin edhe më të fuqishëm të pretendimit të Haradinajt për postin e Presidentit, ndaj cilit do segment politik, që mund ta marrë mandatin nga sovrani për formimin e Qeverisë së re. Ai tanimë ka filluar të kërkojë edhe mbështetjen ndërkombëtare, duke lobuar pikësëpari tek shtetet më me ndikim në politikën kosovare, si SHBA-të, por edhe Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar, të njohura për përkrahjen e tyre miqësore në vijimësi dhe mbështetjen e pa-rezervë të shtetit tonë të brishtë, për mos-ndryshimin e kufijve dhe ruajtjen e tërësisë territoriale të Republikës së Kosovës, mu në kohën kur kuislingu Thaçi përpiqej me çdo mënyrë, ta ndante Kosovën dhe falte pjesët më vitale të vendit tonë, Serbisë okupatore.

-Siç duket zgjedhjet e reja, do të imponojnë edhe situata të panjohura deri më tani, me paralajmërime serioze, për koalicionin e mundshëm pas zgjedhor, si kandidatura e Haradinajt për president të ardhshëm të Kosovës dhe letra informuese që ky me pretendimin e të parit të vendit, i ka dërguar edhe presidentit të ri amerikan Joe Biden për shpalljen e kandidaturës në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 14 shkurtit, të cilat do të mbahen pas rrëzimit të qeverisë kukull dhe kundër kushtetuese të Hotit.

Madje, në vijën e fushatës parazgjedhore, Haradinaj ka ngritur edhe shkallën e pretendimi të tij, duke mos hezituar që t’i bëjë ftesë edhe presidentit amerikan për ta vizituar Kosovën, në emër të kandidatit kryesor për postin e presidentit, në mandatin që pretendon ta ketë, pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe njoftuar paraprakisht Joe Biden-in, se në zgjedhjet e ardhshme parlamentare më 14 Shkurt, edhe Haradinaj ka paraqitur kandidaturën për President të Kosovës.

Për aq më tepër, Haradinaj edhe konsideratën ndaj presidentit amerikan,nuk e shprehë më në emër të AAK-së, si kryesues i saj, por në emër të shtetit dhe thotë se, Ne si Kosovë; jemi të nderuar t’ju mirëpresim në vendin tonë, ku ju z. President tashmë jeni pjesë e historisë dhe unë kam besim dhe jam optimist se së bashku do ta shkruajmë edhe kapitullin për të ardhmen e Kosovës”, akt i cili mund të shihet jo vetëm si peshore për matjen e animit politik të z. Biden por edhe si thirrje për ndihmë, që të përkrahet kandidatura e tij për president.

Në fakt pas formimit të ushtrisë me miratimin e SHBA-ve dhe hapjes së dyerve po ashtu nga SHBA-të, për pjesëmarrjen e ushtarëve të Kosovës bashkë me forcat e SHBA-së dhe ato të NATO-së, në misione paqësore ndërkombëtare, i gjithë populli i Kosovës, shpreson me të drejtë se me Joe Biden-in president të Amerikës, jo vetëm çështja e presidentit, por edhe pjesa e pa-kryer e misionit të: Kosovës-shtet, do të përmbyllet me sukses.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".