“Kombi kosovar”  i dështuar  si “kombi jugosllav” i Eduard Kardelit  dhe i Titos

“Kombi kosovar”  i dështuar  si “kombi jugosllav” i Eduard Kardelit  dhe i Titos
“Kombi kosovar”  i dështuar  si “kombi jugosllav” i Eduard Kardelit  dhe i Titos

Prof. Dr. Mehdi Hyseni

  • 19 March 2021 - 09:41

Shkruan: Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Nuk ka asnjë dilemë se fabrikuesi dhe patentuesi i “kombit kosovar” Nexhemdin Spahiu, edhe si ide, edhe si koncept e ka imituar “kombin jugosllav” të  Eduard Kardelit, i cili pati faleminetuar, sepse shumica dërrmuese e popujve të ndryshëm të RSFJ-së as që ia “varën” atijfarë kombi politik të imagjinuar artificial, mbase kishte për qëllim shkrirjen-asimilimin e kombeve, të kombësive dhe të grupeve të tjera etnike, që jetonin në Jugosllavinë e Titos e të Kardelit.

Fatkeqësisht, të njëjtin qëllim  e ka edhe “kombi kosovar”, që pikësëpari  t’ia asgjësojë vetëdijen kombëtare, gjenezën historike, gjuhën shqipe, kulturën, traditat dhe qytetërimin e mbi 90% të shqiptarëve si pjesë përbërëse e KOMBIT SHQIPTAR në Kosovën e Shqipërisë Etnike. Me një fjalë, formimi dhe përqafimi i “kombit kosovar”, do të thotë shkatërrimin dhe tjetërsimin nga  kombi shqiptar. Mirëpo, turp dhe diletantizëm nuk duhet pranuar asnjë shqiptar as brenda e as jashtë Shqipërisë Etnike.

Më se qindra here ia kemi rikujtuar Nexhmedin Spahiut, se në Kosovën e pavarur (17 shkurt 2008) nuk është krijuar kurrfarë “kombi kosovar”, por vetëm një shtet i pavarur dhe sovran. Këtë shtet e ka njohur Amerika dhe mbi 100 shtete të tjera të bashkësisë ndërkombëtare, jo kurrfarë “kombi kosovar”, ashtu si po gënjen dhe po shpërndanë mjegulla të dendura pseudeoshkencore dhe shpifarake Prof.Dr. Nexhmedin Spahiu.

Pra, nuk është e vërtetë se Amerika ka formuar “kombin kosovar” të Nexhmedin Spahiut, por ka krijuar shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo është e vërteta. Mirëpo, Spahiu ende nuk di ta bëjë dallimin e nocionit “shtet”  nga nocioni “komb”. Ky është problemi pazgjidhur për  “teoricienin” e “kombit kosovar”.

Pse nuk mund të formohet “kombi kosovar”?

Sepse  pikësëpari në shtetin e pavarur të Kosovës me shekuj në Kosovë jetojnë mbi 90% shqiptarë, që janë pjesëtarë të KOMBIT SHQIPTAR.

Prandaj, pavarësisht nga politika propaganduese për formimin e “kombit kosovar” të “autorit” Nexhmedin Spahiu, shqiptarët e Kosovës, kurrë nuk do të pranojnë kurrfarë “kombi kosovar”, sepse e kanë kombin e vet, i cili njihet si “komb shqiptar”.

-Vetëm nëse shqiptarët  i “përpin cunami”, e Kosova shndërrohet në ndonjë oqean, det apo vullkan, ku nuk nuk do të mbijetojë asnjë njeri, atëherë Nexhmedin Spahiu “do të mund të formonte  kombin kosovar”. Ndryshe jo, derisa të ketë shqiptarë në Kosovë. Pavarësisht nga megalomania  dhe  nga sëmundja pluraliste, multietnike dhe globaliste e Kardelit dhe e Nexhmedin Spahiut, në Kosovë (as sot e as nesër) dot nuk ka gjasë që të formohet “kombi kosovar” nga vaksina e “inkubatorit foshnjor” të “shkencëtarit” Nexhmedin Spahiu.

Në Kosovë nuk ka “komb kosovar”, por vetëm një parullë e imagjinuar nga një ëndërr dekadente

Edhe për të krijuar një komb politik artificial të imagjinuar (për qëllime dhe interesa politike, shtetërore dhe gjeopolitike  me prapavijë kolonialiste dhe neokolonialiste) nga ndonjë shtet, siç po ngulmon dhe po  propagandon me bori në masemdiat shqiptare, edhe Nexhmedin Spahiu (plus 2 libra të botuara), “kombi kosovar” nuk e plotëson asnjë kriter të elementeve përbërëse të përkufizimit të nocionit “komb”.

Edhe pse me dhejtra here iu kemi referuar  fenomenit ekzistencialist abstrakt të ashtuqujatur :komb kosovar”, sërish po na imponohet nga intervistat, deklaratat dhe panelet e ndryshme të masmediave shqip, që ta rikujtojmë “autorin” e tij, Nexhmedin Spahiu, si dhe opinion e indoktrinuar dhe të manipuluar se në kuptimin shkencor nuk ekziston asnjë element i vlefshëm, që do të mund të justifikonte përmbajtjen përkufizuese të nocionit “komb kosovar”.

Siç kemi theksuar, edhe në shkrimet e tjera autoriale, shqiptarët në Kosovë (mbi 90%), si dhe në territoret e tjera të Shqipërisë Etnike, po ashtu edhe ata në diasporë nuk kanë nevojë që të konvertohen në “kombin kosovar” dhe, në asnjë komb tjetër me çfarëdo emërtimi qoftë ai, sepse kanë KOMBIN  e vet SHQIPTAR.

Fundja, një njeri apo një popull nuk mund t’i ketë “dy kombe”, 2 a 3 religjione, PO!

Prandaj, është nonsens , padituri, tradhti dhe verbëri, që shqiptarët e Kosovës të thirren për t’u regjistruar në “kombin kosovar”, që nuk është gjë tjetër vetëm se  një “lojë” e rrezikshme  e  “vremçave” provinicialistë, kozmopolitë dhe internalsionalistë, argatë vullentarë të integralistëve për fshirjen e identitetit kombëtar të popujve dhe të shteteve të ndryshme në dimensione botërore.

Ja pse “kombi kosovar” nuk është kurrfarë kombi, ngase pjesëtarët e tij të imagjinuar nuk kanë:

(1)  Origjinë të përbashkët etnike;

(2) Histori të përbashkët;

(3)  Gjuhë të përbashkët;

(4) Kulturë të përbashkët;

(5) Qytetërim të përbashkët;

(6)  Vetëdije kombëtare të përbashkët;

(7) Tradita, zakone, doke, kujtime, simbole, mite të përbashkëta;

(8) Atdhe të përbashkët;

(9) Fatin historik të përbashkët;

(10) Religjionin e përbashkët;

(11) Mentalitetin psikologji të përbashkët;

(12) Bazë të qëndrueshme historike dhe shoqërore të bashkëjetesës;

(13) Lëvizje kombëtare çlirimtare për krijimin e kombit;

(14) Territorin e përbashkët;

(15) Historinë dhe zanafillën e përbashkët;

(16) Ndjenjën e lirisë, të atdhedashurisë dhe të nacionalizmit të përbashkët.

Sa më sipër, duke qenë se deri tani (2005 -2021) nuk është publikuar asnjë statistikë sesa qytetarë të Kosovës janë regjistruar në “kombin kosovar” (me gjasë asnjë përpos Nexhmedin Spahiut), atëherë shtrohet pyetja, pse masmediat e ndryshme shqiptare po vazhdojnë me propagandimin dezinformues të të ashtuqujaturit “komb kosovar”, i cili nuk ekziston as në tokë e as në qiell.

Kur do të bindet Nexhmedin Spahiu, se në “kombin kosovar” të tij nuk dëshirojnë të regjistrohen as shqiptarët  ( sepse e kanë KOMBIN SHQIPTAR), as pakicat kombëtare e as grupet e tjera të ndryshme etnike në Kosovë?

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".