Stop konfliktit të interesit dhe pasurimit të kundërligjshëm, me deri 6 vende të punës

Stop konfliktit të interesit dhe pasurimit të kundërligjshëm, me deri 6 vende të punës
Stop konfliktit të interesit dhe pasurimit të kundërligjshëm, me deri 6 vende të punës

Muhamet Kelmendi

  • 13 April 2021 - 17:51

Shkruan: Analist - Prof. Muhamet Kelmendi

Çështja e përfitimeve të paligjshme dhe në kundërshtim me etikën e prokurorit dhe të gjyqtarit është dukuri që e kanë dhe po e kryejnë shumë nga ata që punojnë në sistemin e drejtësisë. Pozita si anëtar i KGJK-s a KPK-së, si gjyqtarë dhe prokurorë ka bërë që ata të kryejnë detyra të ndryshme brenda orarit të punës dhe në kundërshtim me Ligjin mbi konfliktin e interesave, në subjektet e ndryshme që janë objekt i "hetimeve" të ndryshme kriminale dhe gjyqësore.

 

Kështu kemi të punësuar nga këta nëpër firma të ndryshme, nëpër shkolla profesionale dhe në shumë kolegje të Kosovës, nëpër organizata civile që nuk u dihen nga vijnë burimet financiar etj. Puna e tyre kërkohet edhe  nga shoqata gjoja shkencore, fetare, "analitike" dhe në shërbime të ndryshme. Ka gjithashtu që punojnë edhe në shërbim të shërbimeve të ndryshme shumë të rrezikshme dhe të dëmshme.

Elementët e tillë nuk kanë fare kulturë dhe etikë. Ata nuk respektojnë ligjet. Për ta është çdo gjë paraja. Ajo qëndron mbi interesat e shtetit. Ndaj nuk është fare çudi për të dhënat që tregojnë se nga KGJK dhe KPK, nga Gjykata Kushtetuese, nga Gjykata  e Apelit dhe nga Gjykata Supreme mbi 70% marrin punë jashtë punës së tyre zyrtare. E keqja këtu është se shumë punë që kryejnë nga gjyqtarët dhe prokurorët është në kundërshtim me ligjin dhe natyrisht  e ndaluar për të kryer ato punë nga prokurorët dhe gjyqtarët. Ua ndalon ligji dhe natyrisht se është kundër detyrës dhe etikes që e kanë. Në sistem të drejtësisë ata janë të punësuar për të mbrojtur të drejtën dhe për të ndarë drejtësinë. Për atë paguhen me paga jashtëzakonisht të larta. Të ardhurat personale shkojnë deri në 2500-3000 euro në muaj. Dhe këto paga këtyre nuk u mjaftojnë. Ndërsa, duke punuar kështu, vijnë me punën e  tyre në  kundërshtim edhe me drejtësinë në vend. Ka subjekte private që tërësisht mund të kontrollojnë sistemin e drejtësisë dhe tërë pushtetin. Ministra dhe zëvendëskryeministra, këshilltar etj., punojnë në të njëjtën kohë nëpër institucione private. Angazhohen në kolegje, në institucione private civile, në organizata dhe shoqata  civile jo qeveritare etj. Ata i gjejmë në çdo "analizë" që bëhet nga shtetet e mekanizmat  e ndryshëm. Faktet e tilla tregojnë se Kosovës domosdo i duhet një spastrim i thellë i sistemit të drejtësisë në tërësi. Këtu nuk bënë punë vetëm Ligji mbi spastrimin e sistemit të drejtësisë, por duhen edhe masa për të ndëshkuar veprimet e tilla, të cilat e devijuan ligjin dhe shkatërruan shumë sistemin në tërësi. Natyrisht se këta njerëz janë të fortë.  Mjafton vetëm një ditë të shkosh nëpër vendet e punës dhe shikon se sa gjinden në vendin e punës! Nëpër gjykata dhe nëpër prokurori ikin ata nga puna. Nuk gjinden aty. Ata gjinden në sektorin privat, në analiza gjoja  duke kryer punë të ndryshme. E dëmshmja është se edhe puna e tyre është e dyshimtë dhe shkon ndeshur me interesat e punës publike dhe etiken juridike të punës që  e kryejnë dhe me vetë institucionet e shtetit. Këtu nuk është fjala vetëm për punë të drejtë dhe ligjore, por për punë të dyshimtë dhe shumë konfliktuoze. Këtej nuk kanë guxim organet e shtetit, si institucionet e luftimit të dukurive antishtetërore, të intervenojnë. Ata janë të fortë sepse shërbimet e tyre janë  në  interes të subjekteve të jashtme që kanë shumë financa dhe ndikim në vend. Këto subjekte po i futin në zbatim interesat e tyre politike dhe këtej edhe njerëzit e gjykatave dhe prokurorive e ndiejnë veten të fortë. Ata janë aktualisht të paprekshëm në punën që e kryejnë. Lidhshmëria në mes tyre është e fortë. Gjyqtari mbron gjyqtarin, kolegun, subjektin dhe prokurorin. E prokurori e mbron kolegun dhe mikun që i ka ndihmuar. Pra, janë shumë të lidhur dhe është e rëndë thyerja e këtij zingjiri të lidhshmërisë së tyre. Po shteti nuk mund t'i toleroj më. Është koha e fundit që duhet të intervenohet dhe masat përgjegjëse të thellohen. Kësaj pune i ndihmon shumë Ligji mbi spastrimin e sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë. Këtu e kemi Ligjin mbi konfliktin e interesave dhe atë duhet vënë në jetë. Nuk duhet lejuar punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, të organeve  të pushtetit, të ministrave etj. Nëpër institucione private e organizata gjoja civile po shumë të rrezikshme për shtetin. Ekzistimi me qindra organizata civile në vend, me qindra shkolla dhe firma që nuk u dihet puna; shumë kolegje dhe firma të ndryshme nuk jetojnë vetëm me punë të pastra. Kosova nuk ka kapacitete. Kosova nuk është vend me 10 a 15 milionë banore që të kemi numër të tillë të organizatave civile dhe të shkollave e të kolegjeve. Është mbushur vendi me analistë! Jo. Ato financohen nga burimet e dyshimta dhe këtu nuk duhet lejuar punën e këtyre subjekteve të dyshimta dhe të rrezikshme.  Nuk duhet lejuar ministrin, gjykatësin a prokurorin të punon nëpër kolegje dhe institucione civile. Me punën atje vetëm dëm i sjellin sistemit të drejtësisë.

 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".