Fasada e ndërtesës ishte ianugurua me ngjyrë demokracie, veprimet ishin tjera

Fasada e ndërtesës ishte ianugurua me ngjyrë demokracie, veprimet ishin tjera
Fasada e ndërtesës ishte ianugurua me ngjyrë demokracie, veprimet ishin tjera

Shefik Shkodra

  • 22 May 2021 - 15:56

Shkruan: Shefik Shkodra

Tash kur po do dikush (i zgjedhur i popullit) të rregullojë diç për të zhvilluar shtetin ashtu sikur do të duhej, zërat e opozitarëve, sundimtarët e deridjeshëm, janë shumë të alarmuar. Çdo gjë e hedhin poshtë. Nuk duan ta prishin “rendin e tyre” që e kanë krijuar. Nuk duan t’i nënshtrohen ligjit, sepse nuk ka mbetur pa u prekur asnjë nga ato parti që kanë qeverisur deri në këto kohë

. Ndoshta, jo qind për qind, por pjesa më e madhe që kanë arritur të bëhen së paku pjesë e legjislacionit, janë të infektuar më keq se Virusi i Corona-s. Duhet të shërohen, më në fund, mos me hatër me zor. Këtu po u dhemb tepër, prandaj i hidhen në qafë qeverisë së re të VV dhe koalicionit. Me çdo kusht duhet deklasuar. Ata e konsiderojnë veten superfuqi. Për këtë vrapojnë në politikë edhe ata që nuk kanë lidhje me të. Edhe ata që mund të jenë analfabet.

Edhe ata që kanë bërë krime. Edhe ata/ato që nuk kanë ndërgjegje e sjellje humanitare. Edhe ata që i pengon ligji dhe gjyqi. Edhe ata që, pas çlirimit e shohin veten një supremen. Edhe ata/ato që deri dje ishin në krahun e armikut. Edhe ata (në Shqipëri) që e ndihmonin armikun atëherë, kur bota po e shihte krimin e dizajnuar të Serbisë, kundër vëllezërve apo (miqve) në Kosovë. Të gjithë e të gjitha, si me rastin e çlirimit, mund ta pastrojnë superfuqitë, me keqardhje.

As Sali Berisha e as Edi Rama, as Hashim Thaçi e as Ramush Hajredini... sot kërkohet dije dhe besnikëri, i lidhur me dashuri atdhetare e njerëzore, i pa interes personal, i pa emocione e që nuk fluturon pas qejfeve, dhe shumë i dijshëm edhe i guximshëm, punëtor i pa fjalë. Të gjitha këto janë elemente që e identifikojnë një personalitet nëpër institucione për t’i shërbyer qytetarëve dhe vendit. Atëherë bota demokratike do të bëhet e sinqertë dhe do të jetë bashkë me ne.

Vetëm forcat amerikane do të mund ta qetësonin këtë vend dhe shqiptarët në  përgjithësi

Meqë amerikanët kanë filluar me izolime si rasti i Sali Berishës, do të ishte shumë mirë, që në këtë kohë të ndërmarrin diç edhe në Kosovë. Shumë e dëshirueshme dhe shumë e nevojshme. Nuk e di, a janë të vetëdijshëm shqiptarët se, nuk mund të bëjnë çka duan e çka u teket grupeve dhe liderëve analfabet e interesxhinj. Politika globale nuk vrapon pas ndonjë panlaveri, kur strategjia e fuqive të mëdha është e dizajnuar.

Asgjë nuk duan të bëjnë për shtetin shqiptarët në Kosovë. Kështu ishte deri më sot prej pas luftës. Koalicioni në pushtet nuk mund të zhvillojë veprimtarinë e vet pa pengesat që do t’ia krijonte opozita – llom. Ata me turpin janë të pajtuar ka mot. Këta e njohin veç pasurinë familjare.

Për këtë arsye, mendoj, që amerikanët dhe evropianët do të duhej të përziheshin dhe ta marrin në dorë çështjen e gjykatave dhe prokurorive dhe të bëhet wetting-u. Meqë nuk po duan të marrin vesh në mënyrë të kulturuar e demokratike, vetëqeverisëse e vetëkritike, atëherë le të veprojë forca euro-atlantike. Këta po dihet, ia kanë humbur legjitimitetin veti edhe këtij vendi, i cili ka mundur të bëhet një shtet shumë i mirë i pavarur e i perfeksionuar, për të jetuar të gjithë në mënyrë të barabartë. Kur nuk i kryen punët vetë në shtëpinë tënde, atëherë pranoje se nuk je i aftë. Të tjerët do t’i kryejnë ato punë...

o të ishte mirë që secili prej këtyre zyrtarëve tanë që nuk i nënshtrohet ligjit në Kosovë, amerikanët t’i tërheqin nëpër biruca si njerëz që pengojnë. Sa më shpejt që do të pastrohet rrethi nga këta tipa, më mirë do të bëhej për Kosovën. Le që janë të interesit privat e parcial, krejtësisht individual, por edhe janë shumë injorantë. Këta vishen me rroba të shtrenjta, këmisha të bardha e kravata të porositura me emër e mbiemër, janë me shëndet fizik mirë, e sa për atë mendor duken si të traumatizuar. Një drojë e frikës i ka përshkuar çdo njërin prej tyre që e di veten se në ç’shkallë ndodhet sa i përket veprimeve të liga.    

 Pushtetet e krijuara sipas dëshirës së individëve

 Kur bëhet fjalë për themelimin e shtetit, jo veç të shpallet Republikë Parlamentare me gojë e me shkrim, si Kosova për herë të parë, ose Shqipëria që është shtet më tepër se një shekull, jo të vijohet në mënyrë vërtet, sui generis e me ligje individuale egërsisht, por shteti të qeveriset praktikisht me instrumente juridike (me kushtetutë e ligje). Në kushte e rrethana si ndodhet Kosova është pak më vështirë, pas shumë peripecive, me luftë të pabarabartë me armikun, humbjet në njerëz, në ekonomi, etj. Pak mund të flitet ndryshe për Republikën e Shqipërisë shekullore.

Por në asnjë mënyrë nuk mund të rehabilitohen njerëzit për njëzet e sa vite të qeverisjes së shtetit më të ri – Kosovës. Megjithatë, ekziston një farë euforie e ngazëllimi se, jemi bërë shtet. Nuk duhet ta dëmtojmë menjëherë. Nuk duhet të flasim shumë, se, mezi jemi çliruar, e në anën tjetër, ata që filluan ta qeverisin këtë vend, qytetarët u ngashënjyen tepër pas tyre. Ata zotërinj e keqpërdorën zemërgjerësinë e qytetarëve tashmë të lodhur, por edhe të dëshiruar për lirinë e tyre përherë të parë. Krimi është krim. Plaçka është plaçkë. Vjedhja është vjedhje. Këto veprimtari s’kanë sinonime.

Si në Kosovë edhe në Shqipëri, përafërsisht një sistem komunist ka ekzistuar. Janë lindur njerëzit dhe janë rritur në atë ideologji. Nën diktatin e ego-s të një kursi ideologjik që gradualisht lideri i një partie sundimtare është shndërruar në kult. Ky lider bëhet figura markante e një zoti mbi njerëzit – robër. Me çlirimin nga monizmi, Shqipëria, por edhe vendet tjera ballkanike e edhe Kosova (pak më vonë nga thundra e xhelatëve të Serbisë), ka qenë një lehtësim për të gjithë qytetarët e këtyre shteteve. Dukej sikur ua hapë deriçkën vathit a torishtës dhe të gjitha delet përnjëherë mundohen të dalin jashtë.

Filloi tregu i lirë, lëvizja e njerëzve, dashuritë e reja. Zgjedhja sipas mundësive për të bërë biznes secili individ, meqë kufizimet nuk ishin si në monizëm. Fjala është për jetën private të qytetarit. Nisi lëvizja e kapitalit edhe nëpër duart e proletariatit të dikurshëm, por kjo ndodhi me uzurpime të aty për atyshme, sigurisht nga oligarkët dhe me bashkëpjesëmarrje të politikanëve, krejt me një kurs gjuhe, tash pak me një ngjyrë më ndryshe, por esenca ka dalë më e ashpër ndoshta se në kohën e monizmit.

Investimet e të tjerëve në shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe devijimet

Në rehabilitimin dhe çlirimin e vendeve ballkanike, amerikanët ishin ata që investuan të parët bashkë me evropianët dhe ndihmuan në pengimin e katastrofave humanitare, sikur që ishte rasti me Kosovën. Mirëpo, zullumi dhe stërkeqja ishte nga ata që proklamonin dashuri njerëzore dhe demokraci veç me fjalë. Ata filluan të uzurpojnë më tepër se që ishte mundësia. Shpeshherë njeriu i jonë ka pyetur: – A nuk po u del aq sa kanë bërë deri më tash për veten e tyre?

Grupet e interesit që i kanë shkuar Ego-s pas, si servilë, ia kanë arritur qëllimit që të pasurohen brenda një kohe të shkurtër, por qytetarët e rëndomtë, që e kanë menduar ndryshe qeverisjen, kanë mbetur të pakënaqur, si në punësim, në drejtësi, në arsim, në shëndetësi, në administratë dhe kudo tjetër. Por, e keqja më madhe, nuk kanë pasur ku të ankohen dhe ku të realizojnë të drejtën e tyre. Kështu fasada e ndërtesës ishte inauguruar me ngjyrën Demokracie, ndërsa brendësia e kësaj Ndërtese ishte krejtësisht e pabanueshme për qytetarët.

Aq më keq, kur kjo ndërtesë e madhe shtetërore dita më ditë po humbiste kuptimin me rendin shtëpiak duke u përvetësuar dhe duke u pronësuar nga udhëheqësit, përkatësisht liderët e ashtuquajtur. Është qesharake, kur një panlaver i ardhur nga malet në qendra urbane, i cili nuk kishte një palë rroba si duhet, as s’ka pasur nënkrese e jorgan për fjetje, brenda një kohe shumë të shkurtër i bëri të gjitha si të ishte një kapitalist prej pesëdhjetë vjetëve. Kjo gjendje vinte duke shtrënguar qytetarin e rëndomtë dhe të segmenteve tjera të shoqërisë.

Bie fjala, punëtorët e asnjë sektori nuk ishin të barabartë me të ardhurat e tyre: arsimi ishte bërë lojë partiake, shëndetësia gjithashtu, policia, gjykatat gjithsesi ishin pronë shumë e përvetësuar e liderëve dhe partive. Punësimet ishin krejt me lidhje pushteti dhe s’ka pasur rëndësi kualifikimi dhe aftësia për vendin e punës. Punësime partizane në çdo hap. Vijnë donacione për qytetarët, por këto pjesa më e madhe nuk i kanë parë dhe nuk i dinë se ku janë strukur dhe për çfarë qëllimi.

As të dijshëm e as të moralshëm

Gabimi i parë i politikanëve shqiptarë – të ashtuquajtur politikanë ishte, sipas meje, pronësimi individual i çdo gjëje që ka ekzistuar si pasuri e paluajtshme dhe pastaj edhe i asaj të resorëve financiarë. Gjithnjë pa ndonjë kujdes e racionalizëm të duhur. – Çka të qëllojë para silleni se për mua (ose: na-  e jona, unë- e imja. Kupto familjarisht e klanisht) është dhe askush tjetër s’mund ta prekë! Çka shihet krejt ego-ja i merr. Kjo ishte hapur në opinionin shoqëror. U munduan të bëjnë një politikë me liderët e shteteve të fuqishme, më mirë të themi, t’i gënjejnë e t’i mashtrojnë. Fjalë të mira para tyre.

Fotografoheshin me ta dhe ktheheshin te qytetarët me një entuziazëm se, çka kanë arritur dhe se vetëm ata e kishin atë mundësi, assesi tjetër kush. Në këtë mënyrë dikush prej këtyre liderëve ishte familjarizuar me amerikanë, sikur ishte rasti me Salih Berishën e Shqipërisë, por edhe disa të Kosovës.

Amerikanët i lavdëronin, duke menduar se këta do të vejnë në “Vrimë” dhe do sillnin ndonjë dobi për popullin dhe vendin e tyre, po këta “mendtë pas kreje”. Evropianët dhe amerikanët dilnin me porosi, zhdukeni një herë korrupsionin dhe krimin e organizuar, se populli i juaj do të mbetet në “oborrin e ngujuar”, në qoftë se nuk merreni me këtë problematikë shoqërore seriozisht. Këta zotërinjtë tanë, politikën e kanë bërë si rrugaçët, duke sharë njëri-tjetrin dhe duke ia thënë edhe ato ofendimet më të ndyta në këto parlamentet shqiptare (më parë ata në Shqipëri), i mësuan edhe këta në Kosovë. Asgjë tjetër. Kanë bërë luftë për të mbrojtur kapitalin e uzurpuar, jo të fituar. Janë munduar kush prej tyre tjetrin ta hedhë në hendek për të mbijetuar vetë dhe të vijojë sërish të njëjtën këngë.

Salih Berisha me atë tjetrin e “kallët” Shqipërinë 

Për punët në Shqipëri nuk jam përzier asnjëherë, veç këtij rasti, që duhet t’ua përkujtojmë të gjithë atyre që kur po vijnë në rend gjë s’po lënë pa bërë. “Kanal bir se ka hendek!” Për secilin ka fund! Dhe ky fundi varet se si do të jetë. Me faqe të bardhë apo me faqe të zezë.

Salih Berisha, ti iu ke dashur popullit tënd edhe më tutje. Ti ishe i parë nga fillimi. Ti është dashur të mbetesh hero ndoshta për kohën e re. Është dashur të mbështetemi në krahët e tu që nga para dhe fillimi i luftës (s’po përmendi marrëdhëniet me të tjerët që i kanë thënë të tjerët) në Kosovë. Ishe edhe mik i amerikanëve. Por sa është folur prej qytetarëve nuk po del ashtu. Tash miku i yt dhe i joni, më i forti po të kundërshton. Ai nuk do të pranojë më as mysafir. Kjo është për keqardhje. Kjo na përket edhe ne, sepse është dashur të shpresojmë në personalitetin tënd. Kur një figurë politike futet në regjistër të zi, ky është dënim nga ana e amerikanëve. Keni kundërshtuar dhe nuk i keni dëgjuar këshillat e tyre. Pse i rritni tensionet me miqtë? Po pse i rritni tensionet në mes veti? Cili është shkaku që nuk mund të ulë kokën njëra palë? Pse aq të shara në mes veti? Ky është një inspirim edhe për masën e gjerë.

Rezultati: pa qeverisje të duhur veç potera në popull dhe skandale edhe me vdekje për përfitime personale...Nuk duhet të mendojnë shqiptarët se i bëjnë budallë amerikanët dhe të tjerët! Sikur na jemi më të mençurit dhe i hipnotizojmë të tjerët. Nuk mund të “luani...”, sepse mendja e juaj është më e vocërr si duket. Këto fjalët në thonjëza i thoshte njëri prej këtyre të Kosovës. Amerikanët s’e kanë për herë të parë me njerëz pa “terbije”. Më në fund, nuk bën t’i kthehet shpina mikut të mirë e besnik, veç atij cilitdo që nuk njeh tjetër pos interesit personal.

 Dostat e Kosovës

Hiç më mirë s’është gjendja në Kosovë. Njëzet vjet e më tepër po bëhen, ego-ja nuk është ndalur dhe nuk ka të ndalur në punë të ndyta, në korrupsion dhe krim të organizuar, pa i numëruar të gjitha që dihen. Qeveritë e deritashme ishin mafi. Vizat nuk ua ka ndaluar Europa qytetarëve të Kosovës si fajtorë, por liderëve të partive për keqpërdorim të qeverisjeve për kaq kohë. Nga mesi i atyre partie (PDK, LDK, AAK, etj.) vazhdojnë avazin që e kanë mësuar deri më tash. Ka uzurpatorë, ka plaçkitës dhe hajdutë, ka gënjeshtarë e besëprerë, pa ligj, ka gjakësorë të cilët punojnë nëpër institucione. Si e bëjnë këta shtetin. Ndoshta këta njerëz e konsiderojnë këtë shtet, sipas tyre të përkohshëm, derisa të pasurohen vetë, pastaj nëse munden ta ndezin e t’ia japin flakën në të katër anët. Sërish në rrënoja. – Le t’i rregullojë këto punë pas meje kush të dojë! Ose, pas meje “guri mbi guri mos mbettë”!

Popullin e gënjeni, ndërsa bota e dinë më mirë se çfarë të keqeje i keni sjellë këtij popull. Kush duhet të turpërohet? Sjelljet e këtilla nuk do t’i bënin edhe ata të rrugëve pa “pikë uji në sy”. Dikush thotë, “mendjendritur-a”: – Mos i thoni botës e mos të alarmohet se ka keqpërdorues në mese tona, se ka korrupsion e krim, e ndërsa bota e di më mirë se kushdo prej nesh brenda në vend. Kaq ua rrok rrezja e dritës së tyre! Kaq kanë njohuri. As për vetveten nuk dinë gjë.

Bota e di si u veprua me privatizimin në këtë truall. Privatizim po, por jo të plaçkitet dhe të lihen punëtorët pa kurrfarë statusi. Pa kurrfarë dëmshpërblimi. Jo të luhet me fatin e njerëzve. Jo të mos dihen ku shkuan ndihmat e vendeve të tjera për Kosovën. Jo të keqpërdoret çdo tender, jo të ikin njerëzit nëpër botë shkaku i një grupi, dhe ju (sot në opozitë), të cilët ende nuk doni të kërkojnë falje. Jo të bisedohet me serbin dhe të mos kontribuohet në anën tjetër asgjë lidhur me luftën vrasjet, shkatërrimet materiale, etj.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".