Është koha e rizgjimit në ofensivë të diplomacisë Kosovare kundër propagandës serbe

Është koha e rizgjimit në ofensivë të diplomacisë Kosovare kundër propagandës serbe

Gani Qarri

  • 07 September 2021 - 07:48

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Duke pasur parasysh faktin se Kosova aktualisht, nuk ka ambasador në hiq më pak se 23 misione diplomatike, që përfaqësonin shtetin në vendet e ndryshme, roli i të cilëve do të ishte me peshë shumë të madhe, sidomos në procesin e lobimit për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, si UNESCO dhe INTERPOLI, të provuara por të pa realizuara në mandatin e dy qeverisjeve të kaluara, kërkohet që me urgjencë të plotësohet ky vakum i paprecedent dhe të ketë koncesione ligjore për personat përgjegjës, qoftë ai edhe vet kryeministri Kurti, presidentja Vjosa Osmani apo Ministrja e Punëve të Jashtme zonja Gërvalla.

Mjerisht Qeveria e Kosovës me sakatimin e diplomacisë së saj, pikërisht në këto momente kaq delikate dhe mungesës së ambasadorëve në mese 23 vende të ndryshme të botës, për shkak të ndërprerjes së mandatit, të cilët e përfaqësonin shtetin tonë, sikur zgjodhi me qëllim, pikërisht momentet e përfundimit të moratoriumit njëvjeçar, të marrëveshjes së Vashingtonit, për të mos pasur më, as kush të merret me punë diplomatike e riaktivizimin e politikës së jashtme dhe nisjen e përpjekjeve për njohje të reja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Madje megjithëse marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në prani të ish presidentit të atëhershëm amerikan Donald Trump, e cila atëbotë, sado që e nënshkruar në dy versione të veçanta, një për Kosovën dhe një për Serbinë, nga zyrtarët e atëhershëm amerikanë dhe kosovar u vlerësuan si marrëveshje shumë premtuese për zhvillim të hovshëm dhe një fillim të ri për Ballkanin Perëndimor, përveç njohjes së Kosovës nga Izraeli dhe përfitimit të mbi 400 milion dollarëve amerikan nga Serbia, asgjë tjetër nuk ka ndryshuar as nuk është ndërmarrë për një vit, në këtë rajon.

Mirëpo edhe pse me 4 shtator moratoriumi njëvjeçar i marrëveshjes së Uashingtonit përfundoi dhe Kosova si shtet i pavarur, praktikisht mund të rifillonte serish lobimin për njohje të reja, anëtarësim në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe forcim të subjektivitetit të vet ndërkombëtar, në gjendjen çfarë ndodhet aktualisht Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia e vendit, si sektor i sakatuar tërësisht e me staf të dorëhequr dhe të pa zëvendësuar ende, askund në botë, duket se sektorët përkatës në Qeveri, jo vetëm që nuk janë gati për asgjë, por as për të dëshmuar se ekziston diplomaci dhe ministri e jashtme.

Kjo për vet faktin se pikërisht data në të cilën përfundoi moratoriumi, Kosovën e gjeti pa përfaqësues në 23 ambasada, me prezencë të shuar, apo dhe ambasada të mbyllura dhe pa asnjë përfaqësues shtetëror si në Kanada, e ndoshta edhe në vende të tjera të botës.

Për aq më tepër me avashllëkun që u shkon punëve Qeveria Kurti, jo vetëm që nuk do të mund ta marr veten si duhet, dhe të zgjohet me kohë nga “gjumi” i imponuar njëvjeçar, por politika e jashtme kosovare, me ngathtësinë si vepron aktualisht, as që do ta zë me kohë, hapin e humbur, për të rifilluar lobimin për njohje të reja dhe anëtarësim në Organizata ndërkombëtare, fushë e cila për shkak të marrëveshjes së Vashingtonit, për një vit, konsiderohej si "mollë e ndaluar".

Për aq më tepër, përveç faktit se muajin e kaluar, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kishte kërkuar që të vijojë kjo statuskuo edhe më tej nga pala kosovare, me kërcënimin se përndryshe Serbia do të rinisë menjëherë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës, ditën e skadimit të afatit të moratoriumit në fjalë, edhe Departamenti i Shtetit të SHBA-ve, për Punë të Jashtme kërkojë që të dy vendet,  Kosova dhe Serbia ta vazhdojnë moratoriumin edhe për një kohë të pacaktuar.

Mirëpo ajo që brengosë më shumë qytetarët e Kosovës, janë vonesat e pafund dhe mos koordinimi i  të vepruarit, sidomos në sektorin për punë të jashtme, prej të cilit edhe sikur të kërkonte vet SHBA dhe mbarë bota, që diplomacia dhe Ministria e Punëve të jashtme ,të nisnin menjëherë përpjekjet për njohje të reja dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare me rëndësi, shihet publikisht, se duke filluar që nga Qeveria e shtetit, Ministria e Punëve të Jashtme dhe diplomacia gati inekzistente e Kosovës, jo vetëm që nuk janë askund gati, por nuk kanë as përfaqësues diplomatik në shumë vende të botës, nuk kanë staf diplomatik të kompletuar, nuk kanë as diplomat të zot, të cilit do të ishin në gjendje ta thyenin murin e heshtjes dhe siguronin njohje të reja apo anëtarësimin e Kosovës si në UNESCO, INTERPOL etj.

Dhe duke parë se pikërisht, mu këta sektor të rëndësishëm, as që janë zgjuar fare nga gjumi, sikur ta kishin çdo gjë në rregull dhe në vend se të punonin për të kryer më me përkushtim e kujdes detyrat me përgjegjësi aq të lartë, që i kanë për obligim ti kryejnë, me hapat e breshkës me të cilët vazhdon të zvarritet kjo ministri dhe vet Qeveria Kurti, nëse nuk ndryshon trendi aktual, ndoshta do të duhen edhe vite që ky shtet, të riaktivizohet si duhet në politikën e jashtme dhe diplomaci.

Koj për vet faktin se aktualisht qeveria në Serbi është jo vetëm stabile por edhe shumë aktive dhe jashtëzakonisht agresive, si dhe në avantazh të madh sidomos në politikën e jashtme e cila përveç diplomatëve të zot dhe përvojës së gjatë në diplomaci, Kosova mu në këto momente kaq kritike, ka shkatërruar edhe atë pak diplomaci që kishte  dhe me ndërprerjen e mandatit për 12 ambasador, të cilët Qeveria Kurti as që u kujdes ti zëvendësoj me kohë, sot Kosova në ndonjë vend të madh e me rëndësi si Kanadaja ka mbyllë tërësisht ambasadën ndërsa në 23 vende tjera të botës, për shkak të sakatimit të diplomacisë nuk ka as ambasadorë. 

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".