Të mbyllet kufiri për të gjitha vizitat e zyrtarëve serb në shtetin e Kosovës

Të mbyllet kufiri për të gjitha vizitat e zyrtarëve serb në shtetin e Kosovës

Gani Qarri

  • 30 November 2021 - 07:49

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Qëndrimet refuzuese të Serbisë, ndaj vizitave edhe ashtu shumë të rralla, të zyrtarëve shtetëror të Republikës së Kosovës në komunat e banuara me shqiptar si Presheva, Bujanoci e Medvegja, duhet të praktikohen urgjentisht edhe sa u takon vizitave të pakicës serbe, pjesëtarët e të cilës Serbia tash e mbi dy dekada, i përdor si kalë troje në vendin tonë dhe i ka kthyer publikisht në element të brendshëm antishtetëror kundër Republikës së Kosovës.

-Mjerisht Serbia fashiste e dehur nga përqafimet s’kruspullose të Edvin Kristaq Ramës dhe ledhatimet e vazhdueshme të ndërmjetësueseve të dialogut nga BE, tregoi edhe një herë fytyrën e saj të vërtetë cinike dhe diskriminim e thellë e të pashembullt ndaj bashkëkombësve tanë, shqiptarëve të Kosovës Lindore të mbetur padrejtësisht nën Serbi.Kështu që duke zënë shkas vetëm pse 28 Nëntori është data e shpalljes së pavarësisë tonë kombëtare dhe ministri Liburn Aliu ka prejardhjen nga Kosova Lindore, si dhe “arsyen” se ministrat e LVV-së, njëjtë si edhe shumica e shqiptarëve, mbështesin bashkimin e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës me Republikën e Kosovës, të gjitha këto u keqpërdoren qëllimisht nga Serbia,jo vetëm për ndalimin e një vizite të thjeshtë, por për kamuflimin e diskriminimit fashit që u bëhet, në vijimësi shqiptarëve në këto troje të veta autoktone.

Madje ajo që habit mbi të gjitha,nuk është më vetëm moslejimi i vizitës së ministrave Liburn Aliu, Hekuran Murati, Arbërie Nagavci dhe Hajrulla Çeku, por jo-serioziteti i skajshëm dhe loja perfide e Serbisë, me ministrat e Kosovës, e cila kërkesën e tyre për vizitimin e bashkëkombësve tanë në komunat shqiptare me 27 dhe 28 nëntor, e ka refuzuar me cinizëm, vetëm mëngjesin e 27 nëntorit, apo ditën e parë, kur ministrat e Republikës së Kosovës, do duhej të gjendeshin në mesin e tyre, për të festuar e gëzuar së bashku me shqiptarët e Kosovës Lindore, festat tona kombëtare edhe atje. Për aq më tepër, siç njofton edhe vet ministri Liburn Aliu, kërkesa për ta vizituar Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën,ministrave të Kosovës u është refuzuar pa asnjë arsyetim dhe atë vetëm në orën 07 e 13 minuta, të mëngjesit të 27 nëntorit, pra në momentet kur ata faktikisht do duhej ta kishin filluar vizitën në komunat e banuara me shqiptar.

Ndaj përderisa kërkesa është bërë me kohë e në mënyrë të rregullt zyrtare, qysh me 24 nëntor dhe është paraqitur edhe agjenda e plotë e vizitës, për datat 27 dhe 28 Nëntor, në të tri këto komuna, duke cekur në detaje edhe takimet me krerët e subjekteve politike dhe kryetarët e komunave si dhe përfaqësuesit në parlament dhe ata në nivelin lokal, në harmoni me procedurat e marrëveshjeve të nënshkruara në Bruksel, vendimi i qeverisë së Serbisë, nuk është vetëm refuzim i thjeshtë i kërkesës për vizitë, por edhe pengim i qëllimshëm publik, për ta pamundësuar, ndihmesën edhe ashtu të kufizuar të Republikës së Kosovës, për shqiptarët e diskriminuar në Kosovën Lindore, të cilët jetojnë si qytetar të dorës së dytë në trojet e veta stërgjyshore në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Shto kësaj edhe faktin e pretendimeve territoriale që Serbia në vazhdimësi shpreh publikisht, ndaj shtetit tonë, Kosova medoemos, më mirë tani se sa kur mund të bëhet tepër vonë, duhet të vendos rregulla strikte me konsekuenca të thella reflektive, ndaj vizitave të ministrave të Serbisë, në Kosovë.

Kurse për ndalimin e padrejtë dhe të pa arsyetuar të vizitës, bashkëkombësve tanë në të tri komunat e banuara me shqiptarë, Kosova duhet të ankohet sa më parë që të jetë e mundur, në Bruksel,për shqyrtimin urgjent të këtij problemi madhor dhe mjaft serioz e të komplikuar për Kosovën dhe shqiptarët autokton në Kosovën Lindore. Dhe përderisa të mos arrihet normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve, Kosova medoemos, është e detyruar që të vendos reciprocitet veçanërisht sa u takon vizitave të ndërsjella ministrore në të dy shtetet, derisa BE- të vendos rregulla të njëjta për vizitimin dhe të drejtat e barabarta të pakicave.

Prandaj, kjo çështje, nuk guxon të vazhdoj më shkel e shko, si deri më tani, por të rregullohet urgjentisht si për pakicën serbe në Kosovë, ashtu edhe për bashkëkombësit tanë në Kosovën Lindore të mbetur padrejtësisht nën Serbi. Kjo për vet faktin se marrëdhëniet me këtë shtet hegjemonist dhe okupator të shqiptarëve, asnjëherë nuk mund të jenë dhe as të konsiderohen normale, përderisa Serbia, ndërhynë brutalisht në punët e brendshme të Kosovës dhe diskriminon vazhdimisht shqiptarët në trojet e veta në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, e cila sidomos me ndërhyrjet e pandërprera në rregullimin shtetëror të Kosovës, vazhdon të paraqes rrezik të vazhdueshëm potencial edhe për vendin tonë, si për sigurinë e brendshme, ashtu edhe për kufijtë e vendit, shtetësinë dhe vet ekzistencën e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".