Stërkeqja udhëhiqet në institucionet tona prej pakicës –e quajtur OPOZITË!

Stërkeqja udhëhiqet në institucionet tona prej pakicës –e quajtur OPOZITË!
Stërkeqja udhëhiqet në institucionet tona prej pakicës –e quajtur OPOZITË!

Shefik Shkodra

  • 18 December 2021 - 14:08

Shkruan: Shefik Shkodra

Me rastin e raportimit të presidentes së Republikës së Kosovës, për punën e saj njëvjeçare në udhëheqjen e punëve shtetërore. Raportimi bëhet për të pranishmit e pozitës dhe opozitës, në Sallën e Kuvendit e Kosovës.

Por, Opozita e nderuar nuk do të jetë të pranishme: PDK, AAK, LISTA SRPSKA, nga LDK kishin mbetur disa në Kuvend. E pse mos të dëgjohet e para e shtetit çka flet? Çfarë alergjie shkaktohet? Një femër e re, të cilës i është dhënë mundësia e besimi të jetë përgjegjëse e vendit, madje e aftë dhe pa ndonjë gabim, e cila është për integritetin territorial dhe zhvillimin e demokratizimin e vendit. E pse nuk janë të kënaqur PDK, AAK dhe LS me Vjosa Osmanin? Çka u ka bërë dhe çfarë plagësh u ka shkaktuar dy partive shqiptare, se për atë serbë e dimë. Cili inati e ka molisur këtë opozitën tonë?

Ndoshta, këtyre dy partive tona shqipfolëse u ka ardhur marre me lënë vetë LS dhe e kanë shoqëruar. Kanë kaluar bukur këto parti me LS. Tregtia dhe allishverishi u ka shkuar për qejfi. Andej e këndej. Kush e ka këqyrë çka do të ndodhë me Kosovën?! “Deti kos le të bëhet!” kanë bashkëpunuar së bashku me LS, nëpërmes kësaj me Serbinë, e cila nuk ka kërkuar as falje për vrasjet dhe ndjekjet që i ka bërë në këtë vend. Lë këtë, ajo po kërkon dëmshpërblim, si gjoja, ajo qenka e dëmtuara. Mirë e ka. Për këtë i ka pasur dostat shqiptarë që kanë menduar për të, ia kanë bërë të mundshme, që shqiptarët të mbeten të akuzuar si fajtorë. Ndryshe, shtrenjtë do t’i dilte Serbisë...Jo aq për ne, sa edhe NATO të sulmohet në ndërmarrjen humanitare për shpëtimin e qytetarëve të pafajshëm në vendin e tyre.  

Po, a bën t’i pyesim këta të opozitës: - Cilin president/e për shtetin po e dëshirojnë në vend të Vjosa Osmanit, dhe cilin kryeministër në vend të Albin Kurtit? Mund të jemi të sinqertë, nëse vërtet kanë ndonjë opsion më të qëlluar. Për njëzet vite që i keni kaluar si pozitë PDK LDK AAK, etj. ju nuk keni pasur as president e as kryeministër që ka luftuar politikisht e ekonomikisht për këtë vend. Ne na intereson qeverisje e vendit si duhet, jo për themelime të piramidave të oligarkëve, korrupsionit e krimit, nepotizmit e ngecjeve në zhvillim si shoqëri bashkëkohore. Për reciprocitet dhe dialog të barabartë me Serbinë, dhe jo të shëmtojmë çdo ditë duke i hequr kësaj Republikës tonë nga një diçka. Jo të bëjmë plane për ndarje territoresh, etj. Pra, opozita, a janë për themelimin e Asociacionit të Komunave serbe në Kosovë? Nëse janë, atëherë forcat tjera nuk duhet t’i lejojnë, gjithnjë në bashkëpunim me aleatët tanë që nga fillimi i luftës, e ata janë vetë amerikanët. Por, jo lobistët serbë në të katër anët për përfitime të Serbisë, madje edhe shqiptarët me ta. A jeni për sundimin e ligjit? Të gjitha prokuroritë dhe gjykatat pinë ujë ende nga vada e Opozitës së sotme, ish pozitë, pra, me korrupsion e krim të organizuar, me shkelje të kushtetutës, etj.

A jeni kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar? Nëse jeni pro, nuk do të duhej të lejohen këto veprimtari më...Opozita, a janë për një unitet kur është fjala për mbrojtje të atdheut? Nëse po, atëherë s’keni pse e lëshoni sallën, kur shefi i shtetit mban konferencë vjetore. Nuk duhet të tregoheni aq injorantë. Nuk mund të kuptohet pse...?! Nuk duhet të dilni qesharak para botës, si ai “profesori” me një parullë që e ngjet në foltore: Vuline, pusti vodu! Çka ka dashur të thotë me këtë? Çfarë ishte kjo farë shenje? Stërkeqja udhëhiqet prej pakicës. Prej atyre që kanë zemër të ngushtë.

Për ata që nuk tregojnë pjekuri morale. Për narcisët. Për ata që janë betuar me zemër për padronin e tyre, e jo në institucionin për punën që paguhen. Sjellin mjegullnajë e pështjellime. Me inat. Po me shumë urrejtje, se unë, na nuk jemi aty, ashtu si kanë qenë të mësuara këto parti të shkarravitin kah duan...Me sjelljet dhe veprimet e tyre, tregojnë lehtë se i gëzohen humbjeve të kohës, humbjes së tërësishme. Reagimet për çdo gjë bëhen prej atyre që janë me gabime, me ngarkesa korrupsioni e kriminaliteti.

Që të jemi të bashkuar për çështje të shtetit, do të duhej të mos pranohet puna e Asociacionit të Bashkimit të komunave serbe; nuk do të duhej të pranohej as Mini-Shengeni (Ballkani i hapur) për ne shumë i rrezikshëm sa Asociacioni...; nuk do të duhej të lejoni të akuzohen shqiptarët nga Serbia me gjithë ato viktima, përndjekje e dhunime. Një zë një kuptim, një çast i saktë për të gjithë vlen, atëherë kemi mbaruar me shtetin. Shteti është forcuar nga forcat e përbashkëta politike. Vazhdojmë me rendin e ligjin, në zhvillimin ekonomik, në mënjanimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

E nëse mbetemi duke lavdëruar vetveten se, cili ishim luftëtar më i madh dhe cilit i takojnë beneficione më shumë, atëherë koha do të na mbarojë kështu më këto llafe. Kjo Serbisë i duhet, jo ne. Më lehtë është të duheni në mes veti, se sa të urreheni pa ndonjë kuptim. Pa ndonjë sjellje të dobishme. Duhet njëherë të braktisni të ligen nga vetja, secili/la, dhe të punoni sepse jeni të deleguar e të punësuar nga qytetarët. Jo Kuvendi dhe institucionet si “Lëmë e dreqit”, po diçka që i ka hije këtij vendi. Diçka që do të edukonte edhe gjenerata të reja më ndryshe.    

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".