Prokurori i ri i shtetit, i pa ndikuar nga strukturat e SHIK-ut!

Prokurori i ri i shtetit, i pa ndikuar nga strukturat e SHIK-ut!

Hajrullah Tërnava

  • 11 February 2022 - 07:45

Shkruan: ANALISTI- Hajrullah Tërnava

Kjo periudhë kohore kur po pritet zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të shtetit, është momenti i zgjedhjes së një njeriut që përfaqëson vlera të larta profesionale e morale, është momenti kritik “historik” i shkëputjes së KPK-së dhe gjithë përbërjes së prokurorëve, të të gjitha niveleve, nga personeli i trajnuar dhe dresuar për rreth dy dekada nga nëntoka e krimit të organizuar, nga “Qeveria” ilegale nën hije e SHIK-ut dhe satelitëve të tij në të gjitha partitë politike.

Në këtë kohë transitore kur po i skadon afati shtat vjeçar i Prokurorit Lumezi, e duke e pasur parasysh të kaluarën e tij në tërë këtë kohë, besohet se opinioni është optimist dhe kureshtar duke pritur se çfarë do të ndodhë, është në pritje e sipër, sepse ky post është një ndër postet më të rëndësishme shtetërore të luftimit të krimit në shtet. Këshilli prokurorial i Kosovës, i gjetur nën presionin mediatik dhe të opinionit publik të interesimit, i ka publikuar emrat e gjashtë kandidatëve të cilët në afatin 15 ditor pas shpalljes së konkursit qe kanë konkurruar për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Në Konkursin e shpallur më 17 janar 2022, të drejtën për aplikim e kanë shfrytëzuar 6 prokurorë, të cilët kanë dorëzuar aplikacionet brenda afatit të përcaktuar me konkurs, dhe emrat e tyre janë: Arben Ismajli, Prokuror në Prokurorinë e Apelit; 2 Armend Hamiti, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; 3.Blerim Isufaj, Kryeprokuror në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës; 4.Kujtim Munishi, Kryeprokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës; 5.Lulzim Sulejmani, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe 6.Shqipdon Fazliu, Prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Dosja e aplikacioneve do të kompletohet pasi të jenë pranuar, eventualisht edhe aplikacionet e tjera eventuale, të cilat mund të pranohen përmes Postës.

Për mënyrën se si është vepruar me shpalljen e konkursit, pa konsultuar partnerët nga ambasadat e huaja që mbështesin sistemin e drejtësisë, ka pasur një reagim nga Ambasada Britanisë, por pas këtij reagimi është deklaruar KPK-ja duke thënë se lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës ju ka bërë ftesë zyrtare edhe partnerëve ndërkombëtarë dhe organizatave të shoqërisë civile që përcjellin aktivitetet e sistemit prokurorial për të monitoruar procesin, ndërsa për të martën, më 8 shkurt 2022, i ka ftuar për të monitoruar hapjen e të gjitha aplikacioneve të prokurorëve që kanë aplikuar për këtë pozitë. Sa më publik që do të jetë ky konkurs për opinionin dhe organizatat e shoqërisë civile si dhe partnerëve ndërkombëtar, aq më me vlerë dhe më i suksesshëm do të jetë procesi i përzgjedhjes së tij, sepse megjithatë edhe kandidatët që kanë konkurruar tani i kanë përvojat e tyre që mundë të përzgjidhet njëri nga ta dhe të kontribuon suksesshëm në luftimin e krimeve në përgjithësi.

Koha në të cilën do të përcaktohen anëtarët e KGPK-së për përzgjedhjen e Prokurorit është një situatë e re kur opinionin publik kërkon ndryshime pozitive progresive, kur e tërë shoqëria është e përkushtuar që Kosova të spastrohet nga krimi në përgjithësi dhe në thellësi.

Nuk është pak që të konkurrencë e pakët dhe e mangët lista e publikuar sepse me përvojat tani të konsiderueshme që kanë kandidatët, mjafton që i përzgjedhuri në mesin e tyre të jetë realist reformist, që ky institucion të funksionalizohet plotësisht në drejtim të zbatimit të ligjit, të ndërrohet tërësisht principet dhe mënyrat ligjore të luftimit të krimeve, në mënyrë që luftimi i dukurive negative të jetë i pamëshirshëm në suaza të ligjit dhe kushtetutës së Kosovës, në mënyrë që të zhbllokohet dhe përshpejtohet rruga e shtetit më të ri në procesin e integrimit në BE.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".