Aplikimi i Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës,test për seriozitetin ne interes për shtetin

Aplikimi i Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës,test për seriozitetin ne interes për shtetin
Aplikimi i Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës,test për seriozitetin ne interes për shtetin

Gani Qarri

  • 18 May 2022 - 07:44

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Me rastin e aplikimit të Republikës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës, si lajmi i parë më i mirë për vendin, që vije pas një stagnimi bukur të gjatë të njohjeve dhe avancimit të shtetësisë tonë në organizata të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare, sidomos pas dështimit të përsëritur për anëtarësim në Interpol dhe pasigurisë për të aplikuar për anëtarësim në UNESKO, do të testohet më në fund, edhe serioziteti i opozitës së inkriminuar në ofrimin e mbështetjes së Qeverisë Kurti, për anëtarësim të vendit, fillimisht në Këshillin e Evropës.

-Opozitë e cila me sjelljet e saj si pjesë e institucioneve të shtetit të Kosovës, lë jo pak, por shumë, për të dëshiruar, megjithëse në raste të tilla të veçanta, sidomos uniteti i brendshëm politik për veprim dhe lobim e ka rëndësinë e vetë vendimtare për anëtarësimin me sukses të shtetit të Kosovës në organizata kaq të rëndësishme evropiane dhe ndërkombëtare. Sjelljet e tilla destruktive dhe bllokuese, që po përdor opozita, mundë tu shpërbëjnë vetëm kundërshtarëve të Kosovës dhe pa mëdyshje qojnë ujë vetëm në mullirin e Serbisë hegjemoniste edhe me rastin vendimtar të votimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Prandaj, partitë shqiptare të Kosovës pozitë dhe opozitë duhet të tregohen sa më të unifikuara edhe për faktin se pas bllokimit të liberalizimit të vizave për Kosovën, që në momentin e parë të publikimit të lajmit për aplikimin e vendit tonë për anëtarësim në KE, serish vijnë sinjale jo të mira nga Franca e cila njëjtë sikurse në rastin e vizave, ka filluar të shprehë padrejtësisht rezerva edhe për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Megjithëse sa i takon aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, Franca deklaron se i takon Kosovës si shtet sovran, të aplikojë në KE dhe e ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e kësaj organizate me rëndësi, indirekt ajo sikur paralajmëron mundësinë e përmbajtjes nga votimi pro pranimit, që po e kundërshtohet nga Serbia, kinse jo për shkak të Serbisë, por në emër të “përmbajtjes nga veprimet e njëanshme”, siç e quan ajo aplikimin e Kosovës, me arsyetimin se Franca prioritet i jep dialogut me Serbinë dhe arritjes së marrëveshjes dypalëshe. Ndërsa për dallim nga Franca, fatmirësisht mbështetje të plotë dhe tërësisht pa kushte, Kosovës i kanë ofruar për aplikimin dhe anëtarësim të shpejtë, Britania e Madhe dhe Gjermania, si miket më të sinqerta evropiane të vendit tonë, të dëshmuara në vepër, shtete këto që janë zotuar edhe për lobim të fuqishëm në favor të Kosovës.

Madje i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, tha se Kosova është zemra e Evropës, ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur dhe Gjermania do ta mbështes me të gjitha kapacitetet aplikimin e shtetit të Kosovës për pranim në KE dhe anëtarësimin e saj në të gjitha institucionet tjera evropiane. Përveç reagimit shumë të shpejtë në mbështetje të Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm të rëndësishëm, nga Britania e Madhe,Ambasadori britanik në Kosovë, Nicholas Abbott, i ka uruar suksese Kosovës në aplikimin për pranim në Këshillin Evropian, duke e cilësuar aplikimin për anëtarësim në KE, edhe si shenjë të gatishmërisë dhe vendosmërisë së Kosovës, për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar.

Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve si dhe shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë për të mbështetur, si shtet i pavarur, vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin ndërkombëtar të Kosovës, të cilës i uroj suksese!”, ka shkruar ambasadori britanik.

Por përveç mbështetjes së shteteve të fuqishme si Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, për ta realizuar me sukses këtë proces kaq të rëndësishëm integrues, kërkohet unitet maksimal dhe stabilitetit afatgjatë i brendshëm politik e institucional edhe brenda Kosovës, për ti finalizuar sa më parë reformat në sistemin e drejtësisë, që është një akt jetik dhe dëshmi kohezioni e bashkëpunimi duke reflektuar më fuqishëm edhe në diplomaci, për lobim të përbashkët. Në mënyrë që me unitetin e shprehur politik, shteti ynë i ri, ta fitoi mbështetjen ndërkombëtare, për tu anëtarësua, përveç në Këshillin e Evropës edhe në OSBE, Intetrpol, UNESKO dhe në NATO, që sidomos pas agresionit okupues të Rusisë në Ukrainë, është sa e drejtë legjitime, aq edhe nevojë imediate e vendit tonë, për anëtarësim, në paktin më të fuqishëm ushtarak në botë si NATO, ku përveç reformimit dhe modernizimi të forcave të armatosura, anëtarësimi në NATO, do ti siguronte Kosovës edhe garanci maksimale në aspektin e mbrojtjes së tërësisë territoriale dhe kufijve shtetëror të vendit nga invazioni i mundshëm i Serbisë, e cila edhe 23 vite pas çlirimit, vazhdon të shpreh hapur, pretendime territoriale nda pjesëve më vitale të Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".