Kosova duhet ti përgjigjet me unitet politik agresivitetit të Serbisë

Kosova duhet ti përgjigjet me unitet politik agresivitetit të Serbisë
Kosova duhet ti përgjigjet me unitet politik agresivitetit të Serbisë

Arsim Haziri

  • 06 November 2022 - 09:18

Shkruan:ANALISTI- Arsim Aziri

Tash është momenti kritik i bashkimit të klasës politike kosovare për veprim unik strategjik në planin diplomatik. Aq sa ka përgjegjësi për shtetin, pozita aktuale e cila e ka në dorë pushtetin, aq përgjegjësi në rrafshin diplomatik ka edhe opozita e cila për një periudhë të gjatë kohore politike, në drejtim të shtetit, ka krijuar kanale dhe lidhje të fuqishme e stabile diplomatike. Detyrat dhe obligimet për shtetin, në rrafshin ndërkombëtar janë të baraspeshuara, nuk duhet të matet se kush e ka pushtetin.

 

Me afrimin e kohës nën presion ndërkombëtar për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, dhe anëtarësim të Kosovës në organizatat me peshë ndërkombëtare, roli destruktiv i sjelljes së politikës serbe po shpërfaqet në rritje akoma më të madhe. Pra, Politika agresive serbe kundër shtetit të Kosovës po sillet me negativitet të pa parë , duke u përpjekur që ta minon thellësisht investimin e faktorit ndërkombëtar në përpjekje për dialog dhe arritje të një marrëveshje pajtimi dhe normalizimi në mes dy vendeve. Mobilizimi i ri i diplomacisë serbe kundër Kosovës po bëhet me plan të mirë menduar për tu shndërruar në një pengesë serioze për ta dështuar dhe pamundësuar suksesin në dialog dhe ndërmjetësimin me fuqi në rritje lotuese në favorin e Kosovës. Në Beograd, edhe pas zgjedhjeve të fundit nuk kemi ndryshim, kemi restaurim të politikës së vjetër që ka qenë e zhytur ne gjenocid dhe në krim. Ministri i ri i jashtë i Serbisë Ivica Daçiq, me të marr të detyrës së re, sikur që ka vepruar edhe kur ishte në mandatin e kaluar, ka nisur një fushatë të re kundër Kosovës, aty ku e kishte lënë gjatë mandati të parë. Përveç betejës për ti bindur shtetet e luhatshme që ti tërheqin njohjet e tyre në raport me Kosovën, Daçiq ka thënë se po mobilizohet fuqishëm, edhe për ta penguar Kosovën për anëtarësim në organizmat ndërkombëtar, duke ju referuar edhe përpjekjes për anëtarësim eventual në OKB, me ndihmën e aleatëve perëndimor. Diplomati serb ka deklaruar se tashmë ka strukturë të re në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe një pretendim eventual i Kosovës për anëtarësim mund të shkojë fare keq, meqë shumë pak shtetet do të votonin pro Kosovës. Këtij paralajmërimi të politikanit ekstremist nacionalist serb, politika Kosovare duhet ti përgjigjet me mobilizim dhe unifikim për veprim unik politik, të koordinuar dhe në mbështetje me miqtë ndërkombëtar të cilët gjithmonë, në momentet vendimtare nuk kanë munguar. Sipas Daçicit, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nga 193 anëtarë, Kosova nuk mund të marrë më shumë se 83 vota. Këtu duhet të fokusohet edhe agjenda e përbashkët politik e e shtetit të Kosovës për lobim dhe përfitim, për ballafaqim diplomatik me shtetin serb kundër stazhit politik e diplomatik. Nuk është për tu nënçmuar deklarimi i Ivica Daçiqit kur thotë se tashmë e ka të garantuar që edhe shtete që e kanë njohur Kosovën nuk do votojnë për Kosovën, sepse Serbia vazhdimisht është deklaruar për agjendën e pa ndashme kundër pavarësisë së Kosovës, duke punuar për të ndikuar edhe te disa shtete të vogla të tipit klanore e fisnore. që nuk kanë qenë stabile, qeveritë e të cilave mundë të shiten e blihen lehtë me para të krimit të organizuar. Tash është momenti kritik i bashkimit të klasës politike kosovare për veprim unik strategjik në planin diplomatik. Aq sa ka përgjegjësi për shtetin, pozita aktuale e cila e ka në dorë pushtetin, aq përgjegjësi në rrafshin diplomatik ka edhe opozita e cila për një periudhë të gjatë kohore politike, në drejtim të shtetit, ka krijuar kanale dhe lidhje të fuqishme e stabile diplomatike. Detyrat dhe obligimet për shtetin, në rrafshin ndërkombëtar janë të baraspeshuara, nuk duhet të matet se kush e ka pushtetin. Revanshi politik dhe diplomatik serb në këtë periudhë kohore do të jetë shumë intensiv dhe agresiv. Diplomacia serbe do të bëjë gjithçka që ta dëmtoj pozitën ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, pasi që edhe ashtu dihet që akoma Kosova nuk e ka më një shumicë në OKB, dhe në të njëjtën kohë një vendim i tillë për anëtarësimin në OKB duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit, dhe kjo është arsyeja pse qëndrimi i Rusisë dhe Kinës është shumë e rëndësishme për Serbinë. Pikërisht për këtë arsye duhet të mobilizohet diplomacia kosovare akoma më shumë, përballë agresivitetit të ri të shtuar të Serbisë Kundër Kosovës, sidomos tash në betejën për anëtarësim në organizatat e fuqishme ndërkombëtare, dhe përpjekjen e shtetit serb për të lobuar dhe penguar këtë depërtim të ri të shtetit të Kosovës kudo që synohet të anëtarësohet.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".