Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork lëshon këtë Memorandum

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork lëshon këtë Memorandum
Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork lëshon këtë Memorandum

Skënder Kodra

  • 08 February 2023 - 09:06

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork, më 3 shkurt 2023, lëshoi këtë

MEMORANDUM– JO miratimit të “Bashkësisë së Komunave Serbe” në Kosovë, POR Referendum plebishitar . Këtë të drejtë e garanton ligji, kushtetuta dhe e drejta ndërkombëtare.

Për këtë qëllim, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork u drejtohet titullarëve më të lartë të Republikës së Kosovës:

Presidentes së Republikës së Kosovës,

Zonjës Vjosa Osmani

Kryeministrit të Republikës së Kosovës,

Zotit Albin Kurti

Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës,

Zotit Glauk Konjufca

Të Nderuar Shkëlqesi,

Duke qenë se ne, edhe si institucion shkencor e kombëtar, edhe si autorë (jashtë këtij Institucioni akademik) me veprime, me analiza dhe vepra të veçanta qe më se tri dekada (1990-2023) në vijimësi kemi shpehur qëndrimet, pikëpamjet dhe argumentet tona historike, politike, diplomatike dhe juridike ndërkombëtare në favorin e mbrotjes së interesave vitale të shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës (17 shkurt 2008 -2023), duke dëshmuar se jemi në vijën e përligjjes së vlerave sublime dhe të interesit të përgjithshëm të SOVRANIT, jo të asnjë politike ditore, që është në shpërputhje me të drejtat dhe me liritë e tij qofshin   të brendshme a të jashtme.

Në këtë vështrim, ne, asnjëherë nuk kemi heshtur, nuk jemi pajtuar e as nuk kemi pranuar, dhe, as tani, e as kurrë nuk do të pranojmë ta fshehim dhe ta sakrifikojmë parimin e së vërtetës para padrejtësisë shekullore, që Serbia gjenocidale, të rikthejë sovranitetin kolonial të saj  në Kosovë, duke kërkuar formimin e “Bashkësisë së Komunave Serbe”, me qëllim të fundit, që këtë ta shpallë në një “Republika srpska” prototip të “Republika srpska” të Bosnjës, sepse kjo do të  shënonte  fundin e shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Ky është objektivi afatgjatë strategjik i Serbisë së Madhe, jo kurrfarë interesi nacional e as shtetëror i mbrotjes së të drejtave dhe lirive të minoritetit serb në Kosovë. Kjo është gënjeshtra më e madhe e Serbisë, që po u “servohet” Amerikës, BE-së, NATO-s, OKB-së dhe OSBE-së, me qëllim që të marrin masa sanksionuese për “disiplinimin” e politikës aktuale të Qeverisë së Kosovës, gjoja  për shkak të “diskriminimit” të  minoritet serb në Kosovë.  Mirëpo, gjendja reale faktike flet ndryshe, serbët gëzojnë të të gjitha të drejtat dhe liritë e tyre sipas ligjeve, Kushtetutës në fuqi, si dhe sipas konventave, marrëveshjeve, rezolutave dhe protokolleve ndërkombëtare  të OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare për mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave dhe lirive elementare të njeriut.

Vetëm me pëlqimin e SOVRANIT, mund të formohet “Bashkësia e Komunave Serbe” në Kosovë

Prandaj, pa dyshim se, është i domosdoshëm Referendumi (si mjet juridik, politik dhe demokratik) për zgjidhjen e konfliktit kolonial shekullor mes Kosovës dhe Serbisë.

Në rastin konkret, fjalën kryesore dhe vendimtare e ka SOVRANI-POPULLI i Kosovës, nëse do t’i thotë PO ose JO themelimit të “Bashkësisë së Komunave Serbe” në Republikën e Kosovës, jo të manipulohet, të injorohet dhe të anashkalohet (duke ia mbyllur gojën) sikurse më 19 prill 2013 dhe më 25 gusht 2015,  kur dy ish-kryeministrat e qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa nënshkruan  me Ivica Daçiqin dhe me Aleksandër Vuçiqin në Bruksel, formimin e “Asociacionit të Komunave Serbe”. Ky ishte fataliteti, sepse u shkel edhe Kushtetuta e Kosovës (15 qershor 2015), edhe e drejta ndërkombëtare, edhe e drejta e vetëvendosjes. Ndaj, një gabim i tillë nuk duhet të përsëritet nga shtetarët e tanishëm të Kosovës (Vjosa Osmani, presidente), Albin Kurti, kryeministër, Glauk Konjufca, kryekuvendar), ngase  do të rreshtoheshin në anën e politikës së gabuar të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës, duke u pajtuar me themelimin e “Srpska zajednicës” në Kosovë. Mirëpo, nëse vjen në shprehje një veprim i tillë nga tresh-ja  aktuale e “anijes drejtuese” të Kosovës, ky do të ishte rehabilitim  i politikës mashtruese të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës.

Për t’i shpëtuar kësaj gracke të rrezikshme dhe perfide të strategjisë gjeopolitike dhe gjeoekonomike, kolonialiste dhe neokolonialiste më se njëshekullore, të hartuar sipas doktrinës nazifashiste “Lebensraum”-bazament fashistoid i   Serbisë së Madhe të Nikola Pashiqit, të Vasa Qubriloviqit, të Ivo Andriqit, të Dobrica Qosiqit, të Slobodan Milosheviqit, të Ivica Daçiqit dhe të Aleksandër Vuçiqit, që Kosovën e kosniderojnë “djepi i Serbisë”, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork i  APELON kryeliderët e shtetit të Kosovës(Vjosa Osmani, presidente), Albin Kurti (kryeministër) dhe Glauk Konjufca (kryetar i kuvendit), që të mos bëjnë kurrfarë pazari politik me Beogradin zyrtar për formimin e  “Bashkësisë së Komunave Serbe
“  në Kosovë, ashtu si kanë vepruar dy ish-kryeministrat e qeverive paraprake të Kosovës, Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës, të drejtën e SOVRANIT dhe të drejtën ndërkombëtare  pa PËLQIMIN E DOMSDOSHËM PARAPRAK TË SOVRANIT,  i cili në mënyrë të ligjshme, demokratike dhe plebishitare-me REFERENDUM, do t’i thotë PO ose JO “Zajednicës serbe”.

Prandaj, të nderuar titullarë të Kosovës

Vjosa, Albin dhe Glauk,

Luteni, të mos e rrumbullakësoni me nënshkrimet e juaja  “Marrëveshjen e Bashkimit të Komunave Serbe” në Kosovë, sepse kjo është në kundërshtim edhe me Kushtetutën në fuqi, edhe me të drejtën ndërkombëtare, si dhe me Kartën e Kombeve të Bashkuara, duke qenë se është përzierje direkte  e Serbisë në punë të brendshme të Republikës së Kosovës,  që synon përmbysjen e rendit politik, juridik dhe kushtetues të shtetit të pavrur dhe sovran të Kosovës.

Po bëhen 15 vjet që kur Kosova u shpall shtet i pavarur më 17 shkurt 2008. Por, fatkeqësisht, që asokohe deri tani, problemi i Republikës së Kosovës vazhdon të mbetet pezull. Kjo për arsye se udhëheqja e mëparshme e Republikës së Kosovës, me ish-kryeministër Hashim Thaçin dhe me ish-kryeministër Isa Mustafa, pati nënshkruar marrëveshje të tilla me Serbinë në Bruksel (më 19 prill 2013 dhe me 25 gusht 2015), të cilat e kanë dëmtuar rëndë autoritetin e shtetit dhe të mbarë popullit të saj. Në mënyrë të veçantë, nënshkrimi i marrëveshjes për krijimin e ‘Bashkësisë së komunave serbe”  është një akt i rëndë ndëshkues ndaj Republikës së Kosovës, duke qenë se u anashkalua e drejta historike, legjitime dhe legale e SOVRANIT, që me votën e lirë të ligjshme dhe demokratike  të jepte verdiktin   për fatin e vet dhe të Kosovës.

Normalisht, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021, Ju duhej të kishit reaguar menjëherë për hedhjen poshtë të të gjitha atyre (33 marrëveshjeve), sidomos të asaj për krijimin e “Bashkësisë së Komunave Serbe”. Krijimi i asaj bashkësie ka për qëllim nguljen e përjetshme të Serbisë kolonialiste dhe fashiste në territorin e Republikës së Kosovës. Dhe zbatimi i asaj marrëveshjeje do të ishte një poshtërim i rëndë për mbarë popullin kosovar, të cilin bisha fashiste serbe e pati masakruar aq egërsisht gjatë 10-vjeçarit të fundit të shekullit që kaloi (XX) dhe Beogradi asnjëherë nuk u pendua dhe nuk ka kurrë ndërmend të pendohet. Prandaj, fill pas konstituimit të Kuvendit dhe të qeverisë së Republikës së Kosovës, Ju menjëherë duhej të kishit mbledhur Kuvendin, i cili duhej të merrte një Vendim të prerë për hedhjen poshtë të të gjitha marrëveshjeve  të lidhura me Beogradin. Pas marrjes së atij vendimi, duhej të kishit zhvilluar edhe Referendumin mbarëpopullor, për t’i vënë vulën përfundimtare Vendimit të Kuvendit. Ju nuk e bëtë një gjë të tillë dhe ky është një lëshim mjaft i rëndë për fatin e Republikës së Kosovës, po mjaft i vlefshëm dhe me leverdi të jashtëzakonshme për Beogradin.

Prandaj, nëse vërtet erdhët në krye të shtetit për t’i dalë zot Republikës së Kosovës, duhet të mblidhni urgjent Kuvendin për marrjen e Vendimit dhe fill pas tij të zhvilloni Referendumin. Në të kundërtën, lejimi i krijimit të “Bashkësisë së Komunave Serbe” PA PËLQIMIN DHE FIRMËN E SOVRANIT ME REFERENDUM,  do të vërtetojë se Ju jeni solidarë me marrëveshjet anti-SOVRAN të Hashim Thaçit dhe të Isa Mustafës. Kini parasysh se për pasuritë e Trepçes janë mjaft të interesuar jo vetëm kriminelët e Beogradit, por edhe peshqit e mëdhenj evropianë, të cilët, tradicionalisht, kanë mbajtur vetëm anën e serbosllavizmit kolonialist pushtues të territoreve autoktone të shqiptarëve në Ballkan.

–JO imponim as nga qeveria e as nga kuvendi, që të formohet “Bashkësa Njëetnike e Komunave Serbe” pa pëlqimin e SOVRANIT me REFERENDUM !

Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork, SHBA,  jemi me SOVRANIN   e Kosovës, nuk pajtohemi që për ndonjë kompromis të keq politik, t’i dhurojmë Serbisë ndonjë pëllëmbë territor të Republikës së Kosovës, sepse do të na mallkonte historia dhe mbarë kombi shiqptar në Ballkan.  Kompromisi është më se i qartë, Serbia të qëndrojë larg kufijve territorialë të Kosovës, mbase mjaft e ka shfrytëzuar Kosovën si koloni të saj njëshekullore (1912-1999). Kosova, duhet të kërkojë dëmshpërblim, jo assesi Serbia kolonialiste, e cila ka shumë borxhe të pashlyera ndaj Kosovës shqiptare (90%).

2.

Gjithashtu, Akademia Shqiptaro-Amerikane e Shkencave dhe e Arteve në Nju-Jork  prerazi hedh poshtë ndërrimin e tezave gjeopolitike dhe gjeostrategjike  serbo-ruse, se gjoja “Perëndimi po bën përpjekje që Kosovën ta shndërrojë në Ukrainë”!?

Përkundrazi, kjo tezë gjeopolitike, idiotike, shpifëse, politiko-propagandistike e agjenturave ruso-serbe sllave, është e “brumit” të gatuar çetniko-fashist antiamerikan, antievropianoperëndimor dhe antishqiptar në kuzhinat  e shërbimeve të ndryshme të nëndheshme  të zbulimit dhe të kundërzbulimit, si dhe të masmediave dezinformuese antiperëndimore të Beogradit.  Kjo amalgamë me lidershipin e Serbisë në krye po bën përpjekje dhe po zhvillon aktivitete maksimale politike dhe subversive, që vërtet Kosovën ta shndërrojnë në një “Ukrainë” të dytë në Ballkan.

Mirëpo, ne nuk duhet të biemë pre  nga propagandimi dhe nga përhapja e kësaj teze kërcënuese, sepse Perëndimi (NATO-ja dhe BE-ja) me Amerikën në krye së bashku me Kosovën dhe me Shqipërinë  si partnerë dhe miq  lojalë të tyre kanë marrë të të gjitha masat e nevojshme politike, diplomatike dhe të sigurisë, që të mos ndodhë “ukrainizimi” i Kosovës dhe as i Ballkanit Perëndimor.

Sa më sipër, duhet të ritheksojmë  faktin se, edhe ne  mbështesim pa asnjë rezervë  angazhimin dhe kontributin e madh dhe të jashtëzakonshëm të Amerikës dhe të BE-së, që “problemi verior” i Kosovës, të zgjidhet me mjete dhe me rrugë paqësore, ashtu siç parashikojnë normat e së drejtës ndërkombëtare dhe objektivat e parimet e Kartës së Kombeve të Bashkuara, jo siç po kërkon dhe po dikton Beogradi zyrtar, që në Kosovë të formohet “Bashkësia NJËETNIKE e Komunave Serbe” , sepse kjo do të shpierë në një luftë të re në Kosovë, për të cilën Beogradi, Moska dhe Pekini do ta akuzonin dhe fajësonin Amerikën, NATO-n, BE-në, Prishtinën dhe Tiranën zyrtare (gjoja për shkak të krijimit të një “Shqipërie të madhe” në Ballkan), JO agresionin eventual të Serbisë në Kosovë, të ndihmuar nga Rusia e Vladimir Putinit.

S’ka dilemë se akuzat e tilla ruso-serbe, të fabrikuara në industrinë politiko-propagandistike sllave (Moskë-Beograd) kundër interesave komplementare amerikano-shqiptare perëndimore përbëjnë rrezikun potencial, që po e kërcënon bashkëpunimin, stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Ballkan, edhe pse Kosova nuk është “probem minoritar”, por recidiv i politikës kolonialiste dhe gjenocidale të Serbisë (1912-1999).  Si rrjedhojë e gjithë kësaj  situate të rëndë dhe të ndërlikuar mes Kosovës dhe Serbisë, Uashingtoni zyrtar, NATO-ja, BE-ja dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara së bashku me Prishtinën zyrtare kanë të drejtën e plotë legale, që  të mos pranojnë kurrfarë ultimatumi të Serbisë për formimin e “Bashkësisë Njëetnike të Komunave Serbe” në Kosovë, por të bëjnë të mundur organizimin, shpalljen dhe mbështetjen de fakto dhe de jure të REFRENDUMIT, ku të gjithë qytetarët e Kosovës, në mënyrë të ligjshme dhe demokratike do të vendosnin për ose kundër “Zajednicës Njëetnike Serbe” në Kosovë.  Ky do të ishte kompromisi i drejtë, demokratik, paqësor dhe përfundimtar ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

Kryetari

Prof.dr. Skënder Kodra

Nju-Jork, më 3 shkurt 2023

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".