Liberalizimi i vizave për Kosovën po përdoret si karrota e fundit për kompromis në dialogun me Serbinë

Liberalizimi i vizave për Kosovën po përdoret si karrota e fundit për kompromis në dialogun me Serbinë
Liberalizimi i vizave për Kosovën po përdoret si karrota e fundit për kompromis në dialogun me Serbinë

Gani Qarri

  • 11 March 2023 - 09:10

Shkruan: ANALISTI - Gani Qarri

Liberalizimi i vizave për Kosovën paralelisht me procesin e dialogut, shihet hapur se po përdoret me mjeshtri nga BE, si shpërblim dhe joshje ndaj Kosovës për pranimin e propozimit franko gjerman, pasi të njëjtën ditë të vizitës së Lajçakut në Prishtinë, është marr edhe vendimi unanim i Këshilli të Ministrave të BE-së i cili ka miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën, në lexim të parë dhe pa asnjë kundërshtim!

-Vizita e të deleguarit të BE-së në Prishtinë Miroslav Lajcak, ishte për të marra garanci nga institucionet e Kosovës për gatishmërinë e nënshkrimit dhe planit kohor për zbatimin e Propozim marrëveshjes sipas projektit franko gjerman në takimin e 18 marsin në Ohër, për të cilin Kryeministri Kurti është deklaruar edhe nga Brukseli, se ka qenë i gatshëm ta nënshkruante edhe në takimin e fundit, por ishte pala serbe ajo që ka refuzuar dhe firmosja nga të dyja palët është prolonguar për takimin e Ohrit. Me të drejtë tash shtrohet dilema, a po përdoret edhe liberalizimi i vizave për Kosovën paralelisht me procesin e dialogut, si karrot për joshjen e Kosovës dhe “shpërblim” për pranimin e propozimit franko gjerman, pasi të njëjtën ditë të vizitës së Lajçakut në Prishtinë, është marr vendimi unanim i Këshilli të Ministrave të BE-së i cili e ka miratuar liberalizimin e vizave për Kosovën, sipas procedurës në lexim të parë, pa asnjë kundërshtim? Sa i takon liberalizimit të vizave, vendimi i Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian vjen pas votimit pozitiv që kishte ndodhur më 12 janar të këtij viti nga Komiteti për Liritë Qytetare, Drejtësi dhe Çështje të Brendshme, që shkurt njihet edhe si LIBE, i Parlamentit Evropian, i cili në pikën për Kosovën që ndërlidhet me procesin e liberalizimit të vizave kishte votuar me shumicë dërmuese pro liberalizimit të vizave. Ndërkaq, më 14 dhjetor të vitit të kaluar Ambasadorët e Bashkimit Evropian (BE) e kanë miratuar tekstin e kompromisit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, kurse për dialogun, arritjen e shpejtë të marrëveshjes me Serbinë, pajtimin e palës kosovare me planin evropian dhe liberalizimin e vizave, është biseduar edhe në takimin e fundit të zhvilluar nga Përfaqësuesi Special i BE-së Miroslav Lajçak me krerët e shtetit të Kosovës Presidenten Osmani dhe Kryeministrin Kurtit.

Nga Kabineti i Presidentes është njoftuar se në takim me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçk, u diskutua për zhvillimet e fundit në procesin e dialogut me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar se Republika e Kosovës mbetet e angazhuar për një proces, i cili i kontribuon paqes afatgjate, sigurisë dhe prosperitetit të qëndrueshëm në rajon.

Presidentja Osmani potencoi se aneksi i zbatimit të marrëveshjes bazë, të dakorduar në Bruksel, duhet të jetë në frymën e parimeve të miratuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës, gjegjësisht, paprekshmërisë së sovranitetit, integritetit territorial, kushtetutshmërisë dhe funksionalitetit të shtetit të Kosovës. Presidentja Osmani, po ashtu, ka thënë se Kosova mbetet palë konstruktive në procesin e dialogut dhe e koordinuar me partnerët e saj, përderisa ka ritheksuar se fjalën përfundimtare rreth një marrëveshjeje, duhet ta thotë Kuvendi i Kosovës në përputhje me procedurat kushtetuese, e cila ka mirëpritur vendimin unanim të Këshillit të Bashkimit Evropian ku është miratuar e drejta e qytetarëve të Kosovës për të udhëtuar lirshëm dhe pa viza në shtetet e zonës Schengen. Në fakt, rrugëtimi serioz me mbështetje pozitive kishte filluar në tremujorin e fundit të vitit të kaluar kur Ekipet negociuese të Parlamentit Evropian dhe kryesisë së Këshillit të BE-së, arritën marrëveshjen për projekt-rregulloren lidhur me udhëtimin pa viza për poseduesit e pasaportave të lëshuara nga Kosova.

Po ashtu edhe Institucionet e BE-së ranë dakord që kërkesa për liberalizimin e vizave për kosovarët të zbatohet nga data e fillimit të funksionimit të Sistemi Evropian të Informacionit dhe Autorizimit për Udhëtime (ETIAS) dhe në çfarëdo rasti, jo më vonë se 1 janari i vitit 2024.

Dhe sipas rregullave të parapara, mbajtësit e pasaportave të Kosovës që udhëtojnë në BE pa viza, do të mund të qëndrojnë për 3 muaj, apo 90 ditë, në çdo periudhë 180 ditore, në shtetet e marrëveshjes shengen. Kështu që vendimi i fundit i Këshillit të Ministrave të BE-së, është edhe një hap përpara drejt finalizimit të këtij procesi, i cili duket se me gjasë po përcillet hap pas hapi edhe më përparimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke përcjellur dhe vlerësuar qëndrimet parimore të bashkëpunimit të palës kosovare. Ndaj pas miratimit në lexim të parë të vendimit nga Këshilli i Ministrave, kjo çështje duhet të kalojë dhe miratohet edhe nga Parlamenti Evropian, dhe më pas vendimi publikohet në Gazetën zyrtare me datën përkatëse të hyrjes në fuqi dhe fillimin e zbatimit të liberalizimit të vizave edhe për Kosovën, si vendi i fundit në rajon.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".