Tash kërkohet që Kosova të propozoi pa vonesë Statusin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe

Tash kërkohet që Kosova të propozoi pa vonesë Statusin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe
Tash kërkohet që Kosova të propozoi pa vonesë Statusin e Bashkësisë së komunave me shumicë serbe

Muhamet Kelmendi

  • 08 June 2023 - 07:41

Shkruan: ANALISTI - Muhamet Kelmendi

Ndërtimi i një mekanizmi juridik për minoritetin serb në Kosovë del nga marrëveshjet e bëra me shtetin serb,nën ndërmjetësimin e BE-së dhe të ndihmuar nga SHBA-të. Edhe Marrëveshja e fundit në Bruksel dhe Aneks marrëveshja e Ohrit e përcaktojnë këtë obligim për Kosovën. Në këtë kontekst është e drejtë kërkesa e z Eskobar.

- Kosova domosdo duhet të del, dhe atë pa humbur kohë, me një projekt të vetë për statusin e bashkësisë serbe në Kosovë. Kjo nuk duhet të vonohet, sepse është e dëmshme për Kosovën, pasi që si pala serbe, ashtu edhe ajo ndërkombëtare, veç i kanë projektet. Duket se projekti serb është shumë i dëmshëm dhe përcakton një Republikë serbe në miniaturë në Republikën e Kosovës. Këtë nuk duhet lejuar Kosova. Nuk mjaftojnë të propozohen vetëm parimet. Jo. Republika e Kosovës kërkohet të nxjerr një STATUT për bashkësinë e tillë dhe të propozon si formë të zgjidhjes së çështjes.

Shembuj ka mjaftë. Është diskutuar Bashkësia serbe në Kroaci dhe ajo e minoritetit danez në Gjermani. Ka edhe shembuj të tjerë. Çdo herë në përputhje me aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2015 dhe me Kushtetutën e Republikës. Krahas kësaj, është mirë që të tërhiqen njësitë speciale nga komunat në veri, duke u zëvendësuar me forcat e KFOR-it. Njësitë speciale në veri kërkohet të vendosen në vendet ku sigurohet rendi dhe ligji. Në objekte komunale nuk duhet lejuar organet inkompetente serbe të vendosen. Objektet e komunave në veri pa u mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk duhet të lirohen nga forcat ndërkombëtare. Me zgjedhje caktohet udhëheqja. Në këtë anë ka edhe disa obligime që dalin nga marrëveshjet. Këtu duhet përmendur: 1. Njohjen de-fakto të ekzistencës së Kosovës nga Serbia. 2. Ndalimin e grupeve kriminale serbe që po veprojnë në veri. 3. Kapjen e kriminelëve serbë që bënë dhunë terroriste në veri të vendit. 4. Ndalimin e aktivitetit kundër Kosovës kudo në botë dhe 5. Futjen në veprim të mekanizmave për gjetjen e personave shqiptarë që janë masakruar dhe zhdukur nga Serbia. Futja në zbatim e këtyre çështjeve e zbutin domosdo gjendjen dhe fillon që zgjidhjet të marrin kahen e duhur juridike. Kurdo dhe në çfarëdo situate kërkohet që mos të preket tërësia territoriale dhe sovraniteti i shtetit të Kosovës. Kjo është gjë e shenjtë.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".