Një porosi nga stërgjyshja e vdekur

  • 12 December 2017 - 09:40
Një porosi nga stërgjyshja e vdekur

Shpirti i stërgjyshes së vdekur të një gruaje i paraqitet asaj dhe e lut që t’ia bartë një mesazh një anëtari tjetër të familjes.

Vite më parë, Magda ishte në proces të shkurorëzimit dhe ndrikulla e saj ishte shumë e zemëruar me të, mu për këtë gjë. Pasoi një grindje shumë e rëndë dhe raporti i Magdas me ndrikullën e saj u përkeqësua edhe më shumë. Meqë që të dyja më parë kishin qenë tepër të lidhura emocionalisht, kjo grindje i kishte lënduar ato thellë, kështu që Magda ishte zhvendosur në një distancë të madhe nga ndrikulla. Thjesht, nuk mund të jetonte afër saj, duke qenë e hidhëruar me të,transmeton gazeta Kosova Sot.

Raporti i afërt

Para shkurorëzimit, Magda kishte pasur një raport shumë të afërt me ndrikullën dhe kishte qenë në kontakt me të dhe me familjen e saj për më shumë se 35 vjet. Rreth 5 vjet para shkurorëzimit, stërgjyshja e Magdas kishte pësuar një pikë në tru dhe kishte vdekur tri ditë më vonë. E gjithë familja kishin mbetur të tronditur, duke e përfshirë edhe Magdan. Rreth kohës kur vdiq stërgjyshja e saj, gjyshja e Magdas i kishte përkeqësuar raportet me vëllezërit dhe motrat e saj. Nejse, disa vjet pas shkurorëzimit të Magdas, derisa ajo një ditë ishte duke u përgatitur që të shkonte në punë, kur ishte shikuar në pasqyrë, kishte parë se nuk e kishte vënë grimin. Ishte kthyer me të shpejtë në dhomën e gjumit për ta vënë grimin, por për habinë dhe tmerrin e saj, aty ajo kishte parë stërgjyshen e vet. Ajo sikur rrinte pezull në ajër. Magda nuk kishte mundur ta thoshte as edhe një fjalë të vetme nga habia dhe tmerri. Stërgjyshja i kishte thënë asaj që t’i telefononte ndrikullës dhe t’i thoshte: “Çdo gjë është në rregull”. Më pas ishte zhdukur pa nam e nishan.

Magda kishte mbetur e ngarkuar me atë që pa gjatë tërë ditës, meqë kishte vite që nuk fliste më me ndrikullën e vet. Pas shumë hezitimeve, Magda kishte vendosur që ta thërriste atë dhe t’ia pasonte mesazhin që kishte marrë për të nga stërgjyshja e saj e vdekur.

Pajtimi

Pasi që ia kishte thënë këtë, ndrikulla e Magdas kishte filluar që të qante me dënesje dhe nuk kishte mundur të përgjigjej menjëherë. Ajo më pas i kishte treguar Magdas se vëllai i saj, i ndrikullës pra, ishte diagnostikuar me një formë të kancerit tepër të rrezikshme dhe se ata ishin pajtuar pak para se ai të vdiste. Ai kishte vdekur në të njëjtin moment kur edhe ishte paraqitur përfytyrimi i stërgjyshes së Magdas.

Ndrikulla më pas i kishte telefonuar Magdas, duke u ndier e ofenduar që shpirti i stërgjyshes së saj i ishte paraqitur Magdas, e jo asaj, meqë ato dikur ishin shoqe të mira. Ajo sikur nuk mund ta kuptonte mesazhin e vërtetë që kishte dashur ta bartte stërgjyshja. E, ai ishte mesazhi i faljes dhe pajtimit. Por, për fat të mirë, këtë e kishte kuptuar mirë Magda, e cila përkundër qëndrimit të egër të ndrikullës së saj, kishte shkuar dhe e kishte vizituar atë, duke i dhënë fund kështu periudhës së gjatë, gjatë së cilës ato nuk kishin komunikuar mes veti. Ndonjëherë të gjallët mund të marrin mësim edhe nga të vdekurit, apo jo? 

(Kosova Sot)