Ekspertët paralajmërojnë: Kujdes nga “Dieta e Hirushes”, është e rrezikshme…

  • 27 February 2018 - 17:11
Ekspertët paralajmërojnë: Kujdes nga “Dieta e Hirushes”, është e rrezikshme…

Një trend i ri është përhapur në rrjetet sociale që njihet si “Dieta e Hirushes”. Kjo e fundit inkurajon femrat të bien në peshë në mënyrë drastike për tu dukur si personazhi i Disney.

Mediat ndërkombëtare shkruajnë se dieta e Hirushes kërkon një indeks të masës trupore (BMI) 18, e cila nga mjekët klasifikohet si nënpeshë. BMI është një numër që krahason peshën trupore me gjatësinë, dhe i llogarit duke ndarë peshën në kilogramë nga gjatësia.

Lidhur me këtë modë që po flasin të gjitha mediat botërore, ekspertët janë shprehur se është e pashëndetshme. Thuhet se kjo dietë e ka origjinën nga Japonia, dhe ka tërhequr vëmendjen dhe në vende të tjera, teksa është bërë trend dhe në “Twitter”.

Sipas dietologes Lyndi Cohen, “Dieta e Hirushes” është e frikshme dhe e rrezikshme.

“Është një trend i tmerrshëm. Kur BMI bie në 18, jeni në rrezik serioz të humbjes së funksioneve të shëndetshme të trupit tuaj”, shton ajo.

Kjo e fundit thotë se dieta e rreptë për të arritur një peshë të tillë është e rrezikshme dhe mund të ndjeheni letargjikë, ndryshime drastike të humorit, vështirësi të socializoheni. Madje, sipas Cohen gjendja është aq alarmante sa do të duhet ndihmë mjekësore.

Ndërsa dietologia Susie Burrell thotë se nuk ka dyshime se është dieta më e rrezikshme që kishte dëgjuar.

“Racione të paarsyeshme, dhe të papërshtatshme do të nxisnin një uri të madhe dhe çrregullime në ushqim. Karakteret e filmave vizatimore me trupat e tyre janë thjesht imagjinare”, thotë Burrell.

(Kosova Sot)