A ishte toka në të kaluarën xhehenem, apo xhenet?

  • 08 November 2018 - 15:02
A ishte toka në të kaluarën xhehenem, apo xhenet?

Katër miliardë vjet më parë, Toka ishte më e ftohtë dhe më mikpritëse sesa që është menduar deri më tani,raporton Gazeta Kosova Sot

Pikëpamja e përgjithshme mbizotëruese deri në fund të shekullit XX ishte se, pas formimit të planetit Tokë, 4.54 miliardë vjet më parë, planeti ishte një xhehenem i vërtetë, i mbuluar nga magma. Por, tani shkencëtarët thonë se rrethanat në Tokë gjatë 500 milionë viteve të para pas formimit të saj, ishin befasisht tepër të ngjashme me kushtet e sotme, me oqeane, bile edhe me kontinente. Kërkuesit shkencorë thonë se gurët antikë në Islandë tregtojnë se Toka e hershme kishte një temperaturë më të moderuar dhe ishte më mikpritëse sesa që mendohej deri më tani. Studimi është bërë nga një ekip gjeologësh nga Universiteti “Vanderbilt” në Tenesi. Ata ekzaminuan një teori të vjetër, sipas së cilës Islanda është analoge me Tokën e hershme. 

Eoni Hadean 500 milionë vitet e para të “jetës” së Tokës njihen me emrin Eoni Hadean. Edhe pse kjo periudhë është e barabartë me më shumë se 10% të historisë së Tokës, pak gjë dihet rreth saj, meqë janë të paktë gurët e gjetur, që janë më të vjetër se 3.8 miliardë vjet. Gjatë pjesës më të madhe të Hadeanit, Toka dhe planetët e tjerë simotra të saj në sistemin e brendshëm diellor, ishin prekur nga një numër jashtëzakonisht i madh i ndikimeve kozmike. Shkencëtarët kanë konstatuar se, derisa zirkonët në Islandë ishin tregues të një formacioni të nxehtë, ata nuk kishin përmbajtje të ngjashme me zirkonët e gjetur në pjesët e tjera të botës. Kjo d.m.th. se Islanda nuk është model për Tokën e re dhe, si rezultat i kësaj, 4 miliardë vjet më parë Toka nuk ishte një xhehenem ashtu sikur që ishte paramenduar më parë.

Çka thonë shkencëtarët? “Ne kemi zbuluar se zirkonët e Islandës janë shumë të ndryshëm nga kristalet e formuara në vendet e tjera të botës moderne”, thotë studentja e doktoratës Tamara Carley, e cila ishte pjesë e studimit. “Ne po ashtu kemi gjetur se ata janë formuar në magmë, në rrethana shumë të ndryshme nga ato në të cilat ishin formuar zirkonët e epokës Hadeane”. Ajo ka ndarë me mijëra kristale të zirkonit nga mostrat, të cilat mbulojnë diversitetin regjional të Islandës dhe paraqesin historinë e saj 18 milionë vjetësh. Bashkë me shkencëtarët e tjerë, ajo studioi rreth 1000 kristale të zirkonit në lidhje me moshën e tyre dhe përbërjen e izotopeve. Ajo që ka rëndësi, studimi i tyre tregoi se zirkonët e Islandës u rritën në magma shumë më të nxehta sesa zirkonët Hadeanë. Edhe pse sipërfaqja e ujit kishte luajtur një rol të rëndësishëm në formimin si të kristaleve të Islandës, po ashtu edhe të atyre hadeanë, në rastin e Islandës uji ishte tepër i nxehtë, kur kishte ndërvepruar me gurët burimorë.

(Kosova Sot)