E vërteta mbi vampirët

  • 10 December 2018 - 10:33
E vërteta mbi vampirët

Legjendat dhe të vërtetat që rrethojnë krijesat që ushqehen me gjak

Etja e njerëzve për të ditur sa më shumë rreth vampirëve duket aq e pafundme sa dhe etja e vampirëve për gjak. Shkrimtarët modernë të librave fiksion me vampirë, përfshi Stephenie Meyer, Anne Rice, Stephen King dhe shumë të tjerë, kanë prirje t’i studiojnë ato. Por nga erdhën vampirët?


Vampiri më i njohur është padyshim Drakula i Bram Stoker-it megjithëse historianët tregojnë se Drakula i vërtetë përkon me princin roman Vlad Tepes (1431-1476), pas të cilit thuhet se Stoker ka modeluar disa aspekte të karakterit të Drakulës. Por karakteri i Vlad Tepes-it si vampir, nuk është parë si një sadist gjak-pirës por si një hero kombëtar. Ai gjithashtu njihet si Vlad Dracula “djali i dragoit”.
Llojet e vampirëve që shumica e njerëzve njohin (përveç Drakulës) janë trupat e njerëzve që thuhet se kthehen nga varret e tyre për të dëmtuar të gjallë të quajtur revenant. Këto lloje vampirësh kanë origjinë sllave disa qindra vjeçare. Këto versione vampirësh nuk mendohej të ishin njerëzore, por me fuqi mbi-natyrore, mundësisht djallëzore.
Autori i librit “Nga djajtë tek Drakula” (From Demons to Dracula), Matthew Beresford, thotë se vampirët e parë kanë lindur nga një magji në Egjiptin e Lashtë. Pra, ka shumë versione të origjinës së vampirëve nëpër botë. Ekzistojnë edhe vampirët aziatikë, shpirtra të këqinj që sulmojnë njerëzit dhe thithin energjinë e tyre të jetës.


Interesi dhe besimi tek revenantët u rrit në Europë gjatë Mesjetës. Edhe pse në pjesën më të madhe të tregimeve moderne, mënyra më klasike për t’u bërë vampir është të kafshohesh nga një i tillë. Folkloristi Paul Barber në librin e tij “Varrimi dhe Vdekja e Vampirëve” thoshte që shumë shekuj më parë vampirët konsideroheshin fëmijët që lindnin me defekte, anormalitete, dhe dhëmbë. Dyshime të ngjashme ka për fëmijët që lindin me dhëmbë shtesë, ose me mungesë të kockës së hundës. Këto janë shenja treguese që fëmija të jetë vampir. Deformime të tilla konsideroheshin si ogure të këqija, dhe ka gjasa që fëmijët e lindur me këto deformime të vriteshin menjëherë.

Besimi tek vampirët buron nga supersticione ose supozime të gabuara. Fatkeqësi të pashpjegueshme u ndodhnin personave, familjeve dhe qyteteve. Vampirët ishin përgjigja më e lehtë që mund t’i jepej pyetjes se pse gjërat e këqija i ndodhin njerëzve të mirë.
Fshatarët kishin besimin se diçka i kishte mallkuar ata me frikën e të vdekurve. Ata mendonin se të vdekurit e kohëve të fundit ktheheshin nga varret e tyre me qëllime të këqija. Në Europën Mesjetare këto shiheshin si shenja të pagabueshme se vampirët ishin realë dhe ekzistonin mes tyre.


Sipas traditës besohej se mënyra më e mirë për të ndaluar një vampire është të mbash një çantë të vogël me kripë me vete. Nëse një vampire po të ndjek, duhet vetëm të shpërndash kripë mbrapa teje. Në këtë pikë, vampire është i obliguar të ndalojë dhe të numërojë çdo thërrime kripe përpara se të vazhdojë ndjekjen. Të tjerë thonë se ekziston një rregull i pashkruar që nuk i lejon vampirët të futen në shtëpi vetëm nëse ata janë të ftuar të hyjnë brenda.


Legjenda e vampirëve ka qenë gjithnjë me ne, që prej hijeve të piramidave të Egjiptit të lashtë e deri tek dritat e qiellgërvishtësve të Nju Jorkut. Çdo kulturë ka përcaktimin e saj për krijesat e natës. Fjala me të cilën jemi më të njohur vjen nga sllavishtja “vam”, që do të thotë gjak dhe Tpir (monstër). Paraqitja fizike tradicionale e vampirëve sipas folklorit evropian është groteske, një krijese e frikshme me dhëmbë të helmatisur dhe kthetra. Përshkrimi kinematografik i vampirëve në filmin “Nosferatu” të vitit 1922 i prezanton shikuesit me një përshkrim të saktë të vampirit tradicional. Në këtë film, i cili ishte versioni i paautorizuar i Drakules së Murnau-t, shohim aktorin Max Schreck si një gjakpirës me sy të zinj, i cili përvidhet hijeve me veshët e mprehtë si të djallit dhe dhëmbët helmues. Pasi novela e Bram Stoker “Dracula” u bë një shfaqje popullore në vitin 1931 dhe filmi po me të njëjtin titull në vitin 1931 korri majat e suksesit me personazhin kryesor që ishte një vampir aristokrat dhe i sofistikuar atëherë për vampirët u krijua një imazh popullor se ata ishin ata të panjohurit tërheqës që kafshojnë në premtim të jetës së pasosur.


Merticus është administratori i “Zërave për Komunitetin e Vampirëve”, një komunitet njerëzish që përdorin fjalën vampir për të përshkruar veten. “Kur një anëtar serioz i komunitetit të vampirëve e përshkruan veten si vampir ata nuk duan të thonë se mendojnë se janë personazhe me aftësi mbinatyrore apo se shpresojnë që ju të besoni se janë qindra vjeçarë dhe jetojnë në një kështjellë”, thotë Merticus. Faktori unifikues i këtij grupi është se komuniteti beson se ata janë vampirë, një qëndrim që mbështetet nga fakti se, siç shprehet Merticus “nuk ka përcaktim funksional të një vampiri të vërtetë”. “Kjo ndodh sepse askush s’e di se cili është shkaku i këtij fenomeni dhe komuniteti sillet rreth një seti perceptimesh dhe simptomash të përbashkëta e jo në bazë të një principi ekzistues. Prandaj, ne mund të përshkruajmë disa eksperienca që kanë të bëjnë me të qenit vampir, por këto s’duhet të përdoren si listë e plotë e përcaktimit të vampirëve. Nuk ka kushte të nevojshme dhe të mjaftueshme që duhen plotësuar për të qenë vampir. Vampirët që ushqehen me gjak duhet të konsumojnë sasi të vogla gjaku nga donatorët. Pjesa më e madhe e atyre që konsumojnë gjak raportojnë se marrin një sasi shumë të vogël një herë në javë. Ushqyerja është një nevojë shëndetësore, vampirët kanë raportuar simptoma negative shëndetësore, kur janë përpjekur të injorojnë ushqyerjen me gjak”, shprehet Merticus.


Konti Vlad Drakula ka ngelur një nga personazhet, i cili nuk do të harrohet kurrë nga historia e njerëzimit. Mbi të gjitha, ai do të kujtohet i veshur me simbolin kryesor të së keqes që herë-herë është krahasuar me vetë djallin, i cili kishte marrë formë njerëzore. Drakula ishte një prej luftëtarëve më guximtarë në luftimet që kryheshin kundër Perandorisë Osmane. Ai ndiqte taktika të ndryshme për tmerrimin e kundërshtarit. Taktika e tij më e njohur psikologjike ishte ngulja në hell e kundërshtarëve të kapur rob, duke ndërtuar kështu një pyll të tërë me trupa njerëzish. Nguleshin hunjtë e mëdhenj në tokë dhe mbi ta nguleshin kundërshtarët e kapur robër, që rrinin pezull në ajër deri sa vdisnin ashtu, të ngulur mbi ata hunj të mprehur mirë. Kokat ishin sheshit, gjithandej dhe këto ishin skenat me të cilat përballeshin nëpër fusha osmanët. Tmerri kalonte çdo kufi dhe shumë shpejt Drakula konsiderohej nga osmanët si vetë djalli. Arritën deri aty sa të besonin se nuk ishte njeri. Një pamje në të cilën mund të vërehet qartë profili i këtij luftëtari të tmerrshëm, është edhe një gravurë në të cilën tregohet Vlad Drakula duke ngrënë mëngjes. Ai tregohet i ulur në një tavolinë në mes të një fushe, i rrethuar nga qindra trupa të ngulur në hell. Shijimi i kësaj atmosfere, ndërsa ha mëngjesin e tij, tregon sesa i pangopur ishte ai me vuajtjen e kundërshtarit. Tmerri dhe reputacioni i këtij njeriu u bë legjendë aq sa dhe sot besohet se ai ishte përfaqësues i djallit ose djalli vetë. Konti Vlad ?epes, vendbanimi i të cilit ishte vendosur në Sighisoara, Rumani, nuk ishte as vampir e as ndonjë krijesë tjetër mbinatyrore. Ky pseudonim i keq i erdhi kontit nga nofka e tij. Megjithatë, tregimet mizore për të kanë shumë gjasa për të qenë të vërteta. Dhe Tepes ishte një pseudonim gjithashtu dhe jo mbiemri i tij, pasi Vlad kënaqej kur ndëshkonte mbi hunj popullin (tep do të thotë “shtizë” në rumanisht). Thuhet madje se njëherë ai iu gozhdoi kapelet në koka ambasadorëve të Francës, sepse ata refuzuan t’i hiqnin ato para tij. Pas kësaj, ai preu kokën e shërbëtorit të tij për ta vendosur atë po mbi hu, pasi ai ishte një djalë i dobët, i cili nuk mundi të duronte dot erën e kufomave. Një tjetër histori që tregohet për të tmerrshmin kont është se një herë ai mblodhi të gjithë lypsët e zonës së tij për një gosti dhe pas saj, ai i dogji ata të gjithë. Batakçinjtë nga ana tjetër besonin se ai vrau dy zogj me një gur, çliroi vendin nga lypësit dhe i shpëtoi ata nga vuajtjet. Po ashtu, tregohet se Drakula urdhëroi t’i priteshin duart bashkëshortes së një fshatari dhe pastaj koka e saj të vendosej sipas zakonit të tij mbi një hu, sepse ajo u takua me burrin e saj e veshur me rrobat e grisura. Kjo pastaj u përdor si një argument frikësues për fshataret e tjera që ato të arnonin rrobat e tyre gjithmonë.

Një nga krimet më të përgjakshme të Drakulës ka qenë kur ai urdhëroi që të shpoheshin dhjetë mijë njerëz në të njëjtën kohë në një qyteti të vogël që ishte vonuar në pagimin e taksave tek ai, taksë që ishte rreth dy monedha argjendi. Pas këtij akti makabër, Drakula duke qeshur iu tha pakicës së mbijetuar: “Kjo do të bëjë të tjerët të paguajnë gjithmonë në datën fikse atë çka më detyrohen”. Po me urdhër të tij, një herë tjetër shumë njerëzit u dogjën në shtëpitë e tyre dhe kufomat iu hodhën si ushqim gaforreve në një pellg të zonës.Pastaj ai mblodhi gaforret dhe ua dhuroi familjeve të atyre që guxuan të shkelin mbi fuqinë e tij. Gjatë mbrëmjeve që ai organizonte i pëlqente të shtronte në një sallë tjetër kufomat e armiqve të tij me fyt të prerë dhe të hapur dhe në duart e tyre vendoste gotat e mbushura me verë. Mbi një mal në Brasov të quajtur kalaja e zezë është një kështjellë të cilën pronari ia dha Drakulës dhuratë për ditëlindje. Drakula pasi nuk i pëlqeu diçka e vogël te kështjella, urdhëroi ta vrisnin vasalin brenda ditës.Por duhej të kalonin disa qindra vjet kur ekspertët mjekësorë nxorën përfundimin se Drakula ka pas vuajtur nga skizofrenia e vazhdueshme dhe e ngadaltë dhe si nga një tjetër sëmundje e rrallë, që quhet porphyria. Simptomat e kësaj sëmundjeje janë fobia nga rrezet e diellit (ultraviolet mund të shkaktojnë tumoret kanceroze) qime të gjata që duken si veshje trupi, mprehje e dhëmbëve etj. Por më kryesore për këtë sëmundje është nevoja konstante e pirjes së gjakut. Kjo shpjegon edhe legjendat e vampirizmit.Mendohet se gjatë sundimit të tij (1456-1462), “Vlad gjakpirësi” është thënë se ka vrarë nga 40.000 në 100.000 civilë evropianë (rivalët politikë, kriminelët dhe cilindo tjetër të cilin ai e konsideronte “të padobishme për të njerëzimit”), kryesisht duke përdorur metodën e tij e preferuar e të nguljes së kokave mbi heshta në shtylla të mprehta. Burimet kryesore që kanë të bëjnë me këto ngjarje janë të dhënat nga Transilvani fqinj, i cili kishte përleshje të shpeshta me Vlad III. E megjithatë Vladi III respektohet si një hero i popullit nga rumunët për mundjen e pushtuesve turq. Viktimat e tij thuhet se janë më shumë të 100.000 myslimanëve osmanë.

Historikisht, emrin “Drakul” është nxjerrë nga një urdhër sekret vëllazërore e kalorësve të quajtur Urdhri i Dragoit, i themeluar nga Sigismundi i Luksemburgut (mbretit të Hungarisë, Kroacisë dhe Bohemis dhe Perandori i Shenjtë Romak) që të mbrojë krishterimin dhe mbrojtjen kundër Perandorisë Osmane.
Ka spekulime gjithashtu për faktin se Drakula ushqente një urrejtje të madhe për gratë, dhe si pasojë e kësaj, krimet e tij ishin të shumta kundër tyre. Ai bëhej edhe më mizor me gratë e pabesa, vajzat që nuk e ruanin virgjërinë e tyre dhe të vejat pasionante, me sa duket duke u përpjekur për të imponuar një moral puritan në mes subjekteve të tij.
Por paçka krimeve të tij mizore, kohët e fundit disa zyrtarë rumunë hodhën idenë e ndërtimit të një parku të madh horror në territorin e Sighisoara. Në park do të paraqiten atributet e inkuizicionit dhe nga periudhat të tjera të përgjakshme në historinë njerëzore si kafka, gijotina, karrige elektrike dhe pajisje të ndryshme të torturës.Por janë disa organizata të ndryshme sociale dhe ekologjike, duke përfshirë edhe UNESCO-n, të cilat janë kundër këtij ndërtimi. Ata besojnë se parku do të jetë i dëmshëm për mjedisin dhe do të prishë atmosferën historike të vendit.


Që prej lindjes së tij më 23 maj 1950 dukej se Richard Trenton Chase nga Sakramento, Kaliforni kishte lindur nën një yll fatkeq. Kur ishte fëmijë ai lagte shtratin natën, ndizte zjarre dhe vriste kafshë të vogla. Kur nisi shkollën e mesme, Chase filloi të mendonte se një sindikatë krimi naziste e kishte vënë në shënjestër dhe po paguante nënë e tij që ta helmonte me një lëndë kimike që po ia kthente gjaku nnë pluhur. Që të mbante zemrën e tij në funksion, Chase filloi të vriste dhe t’u nxirrte zorrët kafshe të vogla, duke i përzier organet e tyre me coca-cola në një përzierës dhe më pas pinte përbërjen. Në vitin 1975, pasi kishte injektuar gjak lepuri në venat e tij dhe pësoi helmim gjaku Chase u shtrua në një institut psikiatrik. Edhe atje ai e gjeti mënyrën për të vazhduar fiksimin e tij duke kapur zogj që uleshin në dritare dhe duke i ngrënë. Në vitin 1976 Chase iu dorëzua së ëmës bashkë me ilaçet. Në mes të vitit 1977 ai u gjet duke u endur në zonën e lumit Tahoe me një kovë të mbushur me gjak, por që nuk ishte gjak njeriu. Ai vrau njeriun e parë më 29 dhejtor 1977 dhe një muaj më vonë ai vrau 22-vjeçaren, Teresa Ëallin. Ai tërhoqi trupin e saj në dhomën e gjumit dhe i nxori gjakun duke lyer gjithë fytyrën e trupin e tij. Dy ditë më vonë Chase bleu dy këlyshë nga një fqinj e më pas i vrau dhe u piu gjakun. Më 27 janar të atij viti, Chase vrau katër persona, të cilëve u nxori organet dhe u piu gjakun, por u arrestua shumë shpejt nga policia pasi kishte lënë gjurmë gjithandej.


Kur ishte 13 vjeç, Sean Seller i quante veten “Fëmija i djallit” bëri një pakt me djallin dhe e vulosi duke pirë gjakun e tij. Që prej asaj kohe ai mbante një kavanoz me gjakun e tij në frigorifer të fshehur pas vezëve. Më vonë ai u tha autoriteteve se pinte shumë gjak, njësoj si një vampir. Adoloshenti Sean filloi të kryente rituale të përnatshme në shtëpinë e tij, ku ftonte demonët që të zotëronin trupin e tij. Shumë shpejt, demonët e quajtën atë “Ezurate” dhe i thanë se fuqitë e tij mund të rriteshin nëse ai vriste dikë. Më 8 shtator 1985 pas mesnatës, Sean vrau viktimën e tij të parë, një punëtor nate nga Oklahoma, të quajtur Robert Bower. Vetëm disa minuta para mesnatës së 14 marsit 1986, Sean u zhvesh në të brendshmet e tij të zeza dhe kreu një ritual demoniak, teksa prindërit e tij flinin në dhomën tjetër. Më pas, u tha ai policëve, temperatura ra me dhjetë gradë. Gishta të mprehtë iu ngulën në mish dhe ai u rretha nga demonët që fluturonin rreth e përqark tij. Në minutat e ardhshme Sean hyri në dhomën e prindërve dhe i qëlloi në kokë. Ai insistonte se i kishte dashur vërtet prindërit e tij, por kishte qeshur teksa gjaku u rridhte nga plagët. Më 2 tetor 1986, Sean Sellers u dënua me vrasje të shkallës së parë. Në moshën 15-vjeçare ai u bë i dënuari më i ri në moshë që u dënua me vdekje.


Sigurisht që janë të pakta në numër kafshët e vërteta vampirike, përfshi shushunjat, një lloj peshku dhe lakuriqi i natës. Dhe në të gjitha rastet qëllimi i këtyre kafshëve është të thithë sa më shumë gjak, por nuk arrin të vrasë gjahun. Por çfarë dimë rreth vampirëve njerëzorë? Ka shumë vampirë të vetë-identifikuar të tillë që marrin pjesë subkulturat gotike. Disa ndjekin ritualet e tyre ose bëjnë operacione dentare për dhëmbët. Por gjak-pirja është një çështje komplet tjetër. Problemi është se gjaku është toksik sepse është i pasur me hekur. Dhe kushdo që konsumon rregullisht sasi gjaku ka rrezik të ketë overdozë hekuri në trup që shkakton sëmundje të ndryshme, veçanërisht me sistemin nervor.
Vampirët kanë qenë pjesë e kulturës dhe folklorit human në forma të ndryshme përgjatë mijëvjeçarëve.

 

(Kosova Sot)