Çka, në të vërtetë, ndodhi në Vestal të Australisë?

  • 19 March 2019 - 14:41
Çka, në të vërtetë, ndodhi në Vestal të Australisë?

Misteri me UFO, për të cilin autoritetet heshtin tash e 50 vjet

Një vajze, që gjendej afër vendit të ngjarjes, i ra të fikët, e fati i saj nuk dihet as sot e kësaj dite

Më shumë se 50 vjet më parë, më 6 prill të vitit 1966, disa klasë të shkollës fillore dhe të mesme në Vestal, në jug të Australisë, sapo kishin mbaruar orën e edukatës fizike. Vëmendjen e tyre, në atë moment, ua kishin tërhequr tri objekte të jashtëzakonshme fluturuese që lëviznin me një shpejtësi tepër të madhe dhe me manovrime po aq të shpejta. U krijua një panik i vërtetë. Një pjesë e nxënësve vendosën që të iknin, e disa prej tyre, ata më të guximshmit, vendosën që të rrinin dhe u nisën kah vendi në të cilin objektet filluan që të lëshoheshin. Disa fëmijë që u afruan më së shumti, më pas treguan të kishin parë tre objekte të rrumbullakëta, që nuk kishin asnjë shenjë dhe kishin madhësi sa dy automobila të mëdhenj. Një vajze, që gjendej afër vendit të ngjarjes, i ra të fikët, e fati i saj nuk dihet as sot e kësaj dite, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 

 

Kush i pa UFO-t?

UFO-t u panë edhe nga disa profesorë, ku ata morën urdhrin që fëmijët t’i mbanin brenda shkollës derisa të mos largoheshin përfaqësuesit e mediave. Por, disa njerëz të veshur mirë, në të zeza, kishin qasje te fëmijët. Ishin tre sish dhe, për disa orë, ata i kishin marrë fëmijët në pyetje. Thuhet se ata përqeshnin deklaratat e fëmijëve rreth UFO-ve, duke u munduar që t’ua bënin atyre bajat tërë këtë mesele. Iu thoshin se gjithçka ishte pjellë e imagjinatës së tyre. Por, disa nga fëmijët kishin pasur aq guxim, saqë të tregonin gjithçka para kamerave. Ato incizime më pas u zhdukën. Dëshmitarëve iu kujtohen rrathët në bar, ku bari ishte sikur i zier, por jo i djegur. UFO-t ishin parë edhe nga disa bujq lokalë. Por, çdo gjë ishte shukatur shumë shpejt. Qeveritarët silleshin sikur të mos kishte ndodhur asgjë, e mediat thuajse nuk kishin informuar fare rreth këtij incidenti. Reagimet e fëmijëve ishin konsideruar pjesë e histerisë masive. Se fëmijët dhe bujqit me të vërtetë kishin parë diçka, në vitin 2014 ishin bindur përfundimisht edhe pushtetarët australianë. Në fakt, në kuadër të programit australian-amerikan HIBAL, ushtria kishte matur nivelin e radioaktivitetit në atmosferë pas testimeve kontroverse bërthamore. Edhe pse kombinimi i këtyre matjeve dhe histerisë masive mund ta shpjegojë këtë incident, ky shpjegim hap shumë pyetje tjera. Pse qeveritarët do ta heshtnin matjen e nivelit të radioaktivitetit, nëse nuk i kishin heshtur testimet bërthamore dhe pse ishin përpjekur t’ua mbyllnin gojën dëshmitarëve të shumtë? Lëvizja tepër e shpejtë e objekteve, lëshimi i tyre dhe gjurmët e lëshimit – të gjitha këto nuk përputhen me këtë shpjegim. Po ashtu, forma e balonës që ishte përdorë nga projekti HIDAL, nuk ishte e ngjashme me formën e UFO-ve, të parë nga më shumë se 200 dëshmitarë, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

 

Vajza që nuk u pa kurrë më

Njëri ndër elementet më të pazakonshme të kësaj ngjarjeje ka të bëjë me zhdukjen e vajzës së quajtur Tania. Ajo në fakt, ishte e para që arriti në vendin ku ishin lëshuar objektet fluturuese. Kur aty ishin afruar edhe disa fëmijë, e kishin parë Tanian pa ndjenja. Fëmijët arritën ta zgjonin Tanian, e cila pa ndihmën e askujt u kthye në shkollë.

“Në oborrin e shkollës ishte autoambulanca, e dikush më tha se, në autoambulancë, gjendej Tania. Por, unë kurrë nuk e pash atë më“, thotë shoqja e saj, Jacqueline Argent. 

(Kosova Sot)