Një ngjarje e vërtetë, e mbajtur sekret nga masonët

  • 05 May 2019 - 12:37
Një ngjarje e vërtetë, e mbajtur sekret nga masonët

Shkrimtari Paul Amadeus Dienach jetoi në Evropën qendrore në fillim të shekullit të kaluar. Dienach pretendonte se, gjatë gjendjes së tij në komë, e cila zgjati rreth një vit, si pasojë e një sëmundjeje serioze, vetëdija e tij e kishte vizituar të ardhmen në një trup tjetër dhe kishte qëndruar atje gjatë tërë kohës sa kishte zgjatur koma. Edhe pse kjo tingëllonte tepër e jashtëzakonshme, kujtimet e shkruara të Dienach-ut u morën shumë seriozisht nga Free-masonët, të cilët e mbajtën librin e tij si sekret mirë të ruajtur. Ekzistojnë shumë libra që përmbajnë profeci dhe vizione të së ardhmes, por asnjëra nuk i avitet afër tregimit të çuditshëm të Dienach-ut rreth një shekull më parë. Janë të paktë ata që kanë pasur rastin ta lexonin librin e detajuar të Dienach-ut, meqë libri i tij u botua në një tirazh të vogël në Greqi.

Kush ishte autori i këtij libri?

Paul Amadeus Dienach ishte profesor i studimeve të gjuhës gjermane. Ai nuk ishte shkrimtar dhe kurrë nuk kishte menduar të shkruante libra. Dienach vuante nga një firmë e rrallë e encefalitit letargjik dhe, në vitin 1921 ai ra në komë ku qëndroi për një vit të tërë në atë gjendje, derisa gjendej në spitalin e Gjenevës.

Cili ishte përjetimi i tij?

Pasi që Dienach u zgjua nga koma, ai në ditarin e tij shkroi se gjatë tërë asaj kohe kishte qenë i vetëdijshëm dhe i zgjuar, por jo në vitin dhe vendin në të cilin gjendej trupi i tij. Dienach bënte me dije se vetëdija e tij kishte udhëtuar me trupin e një njeriu tjetër, Andrew Northam, në vitin 3906 të erës së re. Sipas tij, njerëzit në vitin 3906 kishin vërejtur se në trupin e Andrew Northamit kishte hyrë një vetëdije e re, prandaj ia kishin shpjeguar të gjitha gjërat rreth asaj periudhe, apo thënë më mirë i kishin treguar gjithçka që kishte ndodhur nga shekulli XXI e deri në atë vit. Dienach tregonte se një specie e re e njerëzve, e quajtur Homo Occidantalis Novus, do ta pasojë specien e tashme, Homo sapiens, dhe në memoaret e tij ai flet si për hapat e mirë, po ashtu edhe për hapat e këqij që do të ndërmerren gjatë mijëvjeçarëve.

Si u botua ditari i tij personal?

Në moshën 36-vjeçare, me shëndet të brishtë, pas daljes nga koma, Dienach kishte vendosur që të shkonte në Greqi në vjeshtën e vitit 1922, për shkak të klimës më të butë, por edhe për të ligjëruar gjermanisht për studentët universitarë. Njëri prej studentëve të tij ishte Giorgos Papahatzis, i cili më pas arriti të merrte poste të larta në Greqi, duke qenë në të njëjtën kohë edhe anëtar i masonëve. Meqë shëndeti sa vinte e i përkeqësohej, Dienach vendosi që të shkonte në Itali. Por, para se të shkonte, ai ia dha në besim studentit të tij Papahatzis një çantë plot me shkrime. Ai vdiq nga TBC në vitin 1924. Giorgos Papahatzis i përktheu shënimet e Dienach-ut për një periudhë 14-vjeçare, nga viti 1926 deri në vitin 1940. Ai u befasua nga ato shënime. Më pas ai bëri disa tentime për botimin e këtyre shkrimeve, por pasi që arriti ta botonte përfundimisht në një tirazh të vogël, ai u akuzua nga Kisha për herezi dhe kopjet e librit u zhdukën me shpejtësi.

Prezantimi i denjë, për herë të parë

Meqë Dienach kurrë nuk kishte pasur ndërmend botimin e ditarit, shkrimet e tij ishin konfuze, të shkruara pa ndonjë lidhje. Por, botuesi aktual i ka përpunuar ato dhe, nëse jeni të interesuar, për herë të parë mund të lexoni (për momentin në anglisht, e jo ende në shqip) se si do të duket jeta në vitin 3906.

(Kosova Sot)