Elektriciteti në kohët antike

  • 12 May 2019 - 09:17
Elektriciteti në kohët antike

Bateria e Bagdadit ~ viti 250 para erës së re Emri Bateria e Bagdadit është një emër i përgjithshëm për një seri artefaktesh, të zbuluara në fshatin Khuyut Rabou, afër Bagdadit, në vitin 1936. Këto artefakte janë gjetur në qendër të vëmendjes që nga viti 1938, kur Wilhelm König, drejtori gjerman i Muzeut kombëtar të Irakut, i gjeti këto objekte në koleksionet e muzeut dhe publikoi një shkrim ku spekulonte se ato mund të kishin qenë qeliza galvanizuese, të përdorura ndoshta për galvanizimin e arit në objektet e argjendit. Përshkrimi Artefaktet në fjalë përbëhen nga enë rreth 130 mm të terakotës, që përmbajnë një cilindër të bakrit, të përbërë nga një fletë e mbështjellë e bakrit, e cila përmban një shkop të hekurit. Në majë, shkopi i hekurit është i izoluar nga bakri nga ana e izoluesve dhe, si shkopi, po ashtu edhe cilindri, hyjnë lirshëm në hapjen e enës. Cilindri i bakrit nuk është i papërshkueshëm nga uji, prandaj kur ena mbushej me ndonjë lëng, ai do ta rrethonte edhe shkopin e hekurit. Artefakti i ishte ekspozuar ambientit të jashtëm, për çka dëshmon edhe korrozioni i pranishëm. Por, disa shkencëtarë kanë menduar se lëngu i limonit, i rrushit, apo uthulla, mund të jenë përdorur si një agjent acid, për ta nisur reagimin elektrokimik me dy metalet.

Elektriciteti antik Bakri dhe hekuri formojnë një çift elektrokimik, kështu që, në prani të cilitdo elektrolit, përfitohet një potencial elektrik (voltazh). König kishte analizuar disa objekte shumë të imta të argjendit, të gjetura në Irak, të cilat ishin të mbuluara me shtresa tepër të holla të arit, dhe kishte spekuluar se ato ishin veshur me anë të përdorimit të baterive nga këto “qeliza”. Pas Luftës së Dytë Botërore, Willard Gray demonstroi prodhimin aktual të korrentit, duke rikonstruktuuar dizajnin e baterisë, të cilën ai e mbushi me lëng rrushi. Por, edhe në mesin e atyre që besojnë se këto artefakte ishin pajisje elektrike, kjo nuk dmth se galvanizimi shikohet me sy të mirë në kohët tona. Një shpjegim alternativ, por prapëseprapë elektrik i kësaj meseleje është përmendur nga Paul Keyser.

Ai kishte sugjeruar që një prift, apo shërues, ta kishte përdorur një shpatull të hekurt, për ta përgatitur një pije me uthull, me ç’rast duhej të kishte ndier një dridhje elektrike, të cilën do ta kishte përdorur më pas për t’i mahnitur të tjerët. Janë bërë edhe disa testime, ku është parë se duhej të lidheshin shumë bateri të tilla, për të prodhuar elektricitet. A thua, paraardhësit tanë e kanë bërë këtë, apo e tëra kjo është vetëm pjellë e imagjinatës tonë?!

(Kosova Sot Online)