NASA: Njeriu i parë në Mars do të shkelë në vitin 2035

  • 15 May 2019 - 09:11
NASA: Njeriu i parë në Mars do të shkelë në vitin 2035

Në Simpoziumin Lunar Evropian, i cili është mbajtur në Muzeun Historik të Londrës, shkencëtari i NASA-s, Dr. Ellen Stofan, dhe teknologu i saj, Jim Adams, kanë thënë që NASA është duke planifikuar të dërgojë një ekip të njerëzve në planetin Mars rreth vitit 2035.

‘Për ta vërtetuar në mënyrë të saktë, nëse ka pasur ndonjëherë jetë në planetin e kuq, apo nëse ndonjëherë do të ketë mundësi të zhvillohet jeta në sipërfaqen e tij, është shumë e rëndësishme që shkencëtarët të shkelin vetë në Mars,’ ka thënë Dr. Stofan. Teknologjia e nevojshme Njëra nga mënyrat, të cilën pretendon ta përdorë NASA për këtë mision të padëgjuar më parë, është huazimi i praktikave dhe teknologjive, të cilat paraprakisht ishin përdorur nga shkencëtarët, të cilët kishin shkelur për herë të parë në sipërfaqen e Hënës. Megjithatë, ndonëse dërgimi i njerëzve në Mars është misioni primar i NASA-s, ka shumë për t’u bërë deri në atë kohë, pasi të gjitha teknologjitë duhet të testohen paraprakisht, ndërsa viti 2035 është caktuar si vit, në të cilin besohet të përfundojnë të gjitha përgatitjet.

Para se të udhëtohet për në Mars, do të bëhen përpjekjet për zhvendosjen e një asteroidi në mes të tokës dhe hënës, vend i cili më pas do të vizitohej nga ana e astronautëve. Për ta bërë një gjë të tillë, natyrisht që zyrtarët e Agjencisë së hapësirës janë duke planifikuar edhe detajet më të vogla, për të evituar çdo mundësi të rrezikimit të astronautëve. Në mesin e përgatitjeve duhet të përfshihen sigurimi i veshjeve speciale për astronautët, të cilat do t’i mbronin ata nga ekspozimi ndaj rrezatimeve të dëmshme. Qëllimi i astronautëve ‘Pikësynimi ynë i ardhshëm është zbarkimi i astronautëve në sipërfaqen e Marsit dhe një gjë të tillë shpresojmë që ta përmbushim në vitet e 2030-ta.

Është ëndrra ime që pasi të kemi zbarkuar në planetin Mars dhe pasi të kemi zbuluar që aty ka jetë, natyrisht, nëse një gjë e tillë ndodh, të fillojmë të mendojmë se cili do të jetë destinacioni ynë i ardhshëm’, ka thënë Adams. Pas zbarkimit në Mars do të krijohet një lloj sistemi prej ku mund të planifikohet edhe e ardhmja e njerëzimit në planetin e kuq. Megjithatë, shkencëtarët paralajmërojnë se deri atëherë ka shumë punë për t’u bërë.

(Kosova Sot Online)