Tregime të vërteta rrëqethëse rreth personave 'të dyfishtë' (2)

  • 11 qershor 2019 - 15:39
Tregime të vërteta rrëqethëse rreth personave 'të dyfishtë' (2)

Guy de Maupassant, romancieri francez dhe shkrimtari i tregimeve të shkurtra, pak para se të vdiste, ankohej se përndiqej nga “doppelganger”-i i tij. Në një rast, kishte thënë ai, dyshja e tij kishte hyrë në dhomë, ishte ulur përballë tij dhe kishte filluar t’i diktonte atë që Maupassant ishte duke shkruar. Ai ka shkruar rreth kësaj përvoje në tregimin e tij të shkurtër “Lui”. John Donne, poeti anglez i shekullit XVI, veprat e të cilit shpesh preknin sferën metafizike, derisa ishte në Paris një herë ishte vizituar nga një “doppelganger”, jo nga ai i tiji, por i gruas së tij. Ajo i ishte paraqitur duke mbajtur në dorë një bebe të sapolindur. Gruaja e tij asokohe ishte shtatzënë, por paraqitja në fjalë ishte një ogur i zi. Në të njëjtin moment që poeti e pa “doppelganger”-in, gruaja e tij kishte lindur një fëmijë të vdekur.

Mbretëresha Elizabeth I e Anglisë kishte mbetur e tronditur, pasi që kishte parë “doppelganger”-in e vet, shtrirë në shtrat. Nuk vonoi shumë dhe ajo vdiq. Johann Wolfgang von Goethe, poeti gjerman i shekullit XVIII, ishte takuar me “doppelganger”- in e tij derisa ishte rrugës për në Drusenheim. Drejt tij duke kalëruar vinte dyshja e tij besnike, por e veshur me një veshje të hirtë, me dekorime të arta. Tetë vjet më pas, von Goethe sërish ishte duke udhëtuar në të njëjtën udhë, por tani në drejtim të kundërt. Kur shikoi, pa se kishte veshur të njëjtat rroba të hirta, me dekorime të arta, që i kishte parë te dyshja e vet tetë vjet më herët. A dmth se von Goethe e ka parë veten e tij në të ardhmen? Raste të bilokacionit Duket se bilokacioni (kur një njeri gjendet në të njëjtën kohë në dy vende) është ana tjetër e medaljes, në raport me dukurinë “doppelganger”. Ja disa raste të kësaj dukurie: St. Anthony nga Padova, një frat françeskan portugez, në vitin 1227 gjendej në Limoges, Francë, duke mbajtur predikimin e së Enjtes së shenjtë. Gjatë predikimit, atij iu kujtua se i duhej të recitonte lutje me fretërit e tjerë në kishëzën e tyre në pjesën tjetër të qytetit. Pasi që iu kujtua kjo, ai e ndërpreu predikimin, u gjunjëzua në një vend, mbuloi kokën me kapelë dhe u bë shumë i heshtur.

Në atë moment, frat Anthony ishte paraqitur te fretërit në pjesën tjetër të qytetit, ku i kishte recituar lutjet. Më pas, ai ishte ngritur dhe kishte vazhduar predikimin në vendin e parë. Sir Gilbert Parker, pjesëtar i Parlamentit britanik, në vitin 1905 ishte duke marrë pjesë në një debat në Dhomën e poshtme të parlamentit. Gjatë atij debati, ai vërejti se i pranishëm aty ishte edhe Sir Frederick Carne Rasch, i ulur në vendin e tij të rëndomtë. Por, kjo ishte e pamundur, meqë Sir Frederick ishte tepër i sëmurë nga gripi dhe, sipas anëtarëve të familjes së tij, gjatë tërë ditës kishte qëndruar në shtrat. 


(Kosova Sot Online)