Shkencëtarët: Universi ynë është vetëm një flluskë në ‘detin e shkumëzuar’

  • 12 June 2019 - 15:31
Shkencëtarët: Universi ynë është vetëm një flluskë në ‘detin e shkumëzuar’

Universi mund të jetë vetëm një flluskë në ‘detin e shkumëzuar’, kanë thënë shkencëtarët. Ata shpresojnë që një seri e re eksperimentesh mund të ndriçojë teorinë e ‘multiversit’, që thotë që universi ynë është vetëm një në mesin e shumë të tjerëve.

Hulumtuesit kanë thënë që shpresojnë se kjo do të jetë një provë e teorisë së tyre për ekzistencën e të ashtuquajturit, ‘multivers’, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Hulumtuesit nga Instituti i Fizikës Teorike në Kanada kanë thënë që teoria e ‘multivers’-it rrjedh nga fakti që në fillim të kohës ka pasur vakum.

‘Vakumi është përzier me energjinë që shpeshherë është quajtur energji e zezë, energji vakumi apo edhe fusha e Higgs-it. Ashtu sikur që ndodh me ujin, për shkak të energjisë së madhe, kanë filluar të shfaqen flluskat’, kanë shpjeguar hulumtuesit.

Krijimi i universeve

Secila flluskë ka pasur vakumin e vet, energjia e të cilit ka qenë më e ulët, mirëpo ka qenë e mjaftueshme. Pikërisht kjo energji ka bërë që flluskat të shpërthejnë. Rrjedhimisht, disa prej flluskave janë përplasur me njëra-tjetrën dhe me shumë gjasë disa prej tyre kanë prodhuar flluska dytësore. Secila prej këtyre flluskave përfaqëson një univers.

‘Kështu, i bie që universi ynë është vetëm një flluskë në një det të madh e të shkumëzuar, me shumë flluska të tjera’, ka shpjeguar ekipi. Teoria vjen nga ideja e inflacionit kozmik, që thotë që universi është zgjeruar shumë shpejt pas Big Bang-ut (Shpërthimit të madh).

Ndonëse kjo është teoria më e qëndrueshme dhe më e përkrahura sa i përket mënyrës së formimit të universit, ekipi thotë që ajo nuk është vërtetuar kurrë, andaj edhe besojnë që mund ta ndryshojnë.

‘Jemi duke u përpjekur të gjejmë fakte, të cilat do ta vërtetonin edhe më tepër teorinë tonë’, ka thënë Matthew Johnson, anëtar i Institutit, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Mundësia e përplasjes

Hulumtuesit kanë shqyrtuar edhe rastet e rralla kur universi ynë do të mund të përplasej me një univers tjetër.

Për ta vërtetuar një gjë të tillë, ne simulojmë multivers-in në tërësi dhe në të fillimisht vendosim vetëm dy flluska. Ne bëjmë që këto dy flluska të ndeshen në kompjuter, për të parë se çka ndodh më pas, dhe ne përkujdesemi të vendosim observator në secilin skaj, në mënyrë që ndodhitë të jenë të dëshmuara, ka thënë hulumtuesi. Ai më pas ka shtuar që kjo provë mund të bëhet lehtë dhe e tëra që i nevojitet atij është graviteti.

Kjo është hera e parë që ekipi i ka hedhur gjërat në letër, në mënyrë që secili prej tyre të dalë me idenë e vet rreth mundësisë së përplasjes së flluskave, apo thënë ndryshe, universeve në multiversin, që besohet se ekziston. 

(Kosova Sot Online)