Rrathët e arave habisin fshatarët në Rusi

  • 15 June 2019 - 09:01
Rrathët e arave habisin fshatarët në Rusi

Regjioni Krasnodar edhe më parë është ndeshur me rrathë misteriozë në ara. Por, paraqitja e një rrethi misterioz në ara, këtyre ditëve, ka bërë që fshatarët të besojnë se këtu gisht kanë alienët.

Formacioni jo i rëndomtë, me rreth 40 metra në diametër, u paraqit në një fushë me luledielli në një fermë të regjionit Krasnodar të Rusisë.

Një video e ngarkuar të dielën në rrjetin social rus “Vkontakte” tregon pjesën e brendshme të formacionit rrethor, i cili përbëhet nga një seri e katrorëve dhe drejtkëndëshave, të bashkuar në një mënyrë të rregullt.

Në fillim nuk dihej se kush i kishte shkaktuar ato formacione, por më pas një fshatar kishte thënë të kishte parë një objekt të paidentifikuar që ngrihej nga arat, duke emituar një dritë të fortë, me diametër pesë metra. Një videokamerë e instaluar në ara, nuk regjistroi asnjë elektricitet jo të rëndomtë dhe askush nuk shihej të hynte në arë, në momentin kur besohej se ishte bërë rrethi misterioz.

(Kosova Sot Online)