A e kemi të gjithë nga një engjëll roje?

  • 15 qershor 2019 - 13:36
A e kemi të gjithë nga një engjëll roje?

Një tregim i vërtetë që konfirmon ekzistimin e engjëjve roje

"Kur isha tetëmuajsh shtatzënë në vajzën time, isha aq e lodhur dhe e zhgënjyer me djalin tim dyvjeçar. Sjellja e tij ishte e ndryshme nga ajo e fëmijëve të tjerë. Më vonë, kur mbushi katër vjet, ai u diagnostikua me sëmundjen A.D.H.D. me çrregullime neurologjike dhe me sjellje problematike, por asokohe unë nuk dija çka nuk ishte në rregull me të. Kisha shumë frikë se edhe fëmija im tjetër do të bëhej si ai. Isha tepër e lodhur, meqë biri im thuajse nuk flinte gjatë tërë natës dhe kisha një burrë, në të cilin nuk mund të mbështetesha. Ndihesha sikur një dështake e madhe.

Vizita e gjyshit

Rreth orës 7:00 të mëngjesit dëgjova një të trokitur në derë. Ishte tepër herët që të vinte ndokush. U ngrita, por dera ime tanimë ishte e hapur. U frikësova për shkak se të vetmit që e kishim çelësin ishim unë dhe burri im i atëhershëm. Natyrisht edhe i zoti i shtëpisë. Burri ishte në punë, kurse i zoti i shtëpisë nuk do ta bënte një gjë të tillë. Por, a e dini kë e pashë duke ecur shkallëve? Gjyshin tim, duke buzëqeshur. Bërtita nga gëzimi. “Si munde të vije?”, e pyeta. “Kush të solli këtu? Pse nuk më ke thirrur”? Lajmi i fundit që dija për të ishte se gjyshi im ishte duke u dergjur në shtrat, lajm të cilin e kisha marrë disa ditë më parë. Më pas, ai më tha se kishte ardhur që të më vizitonte shkurt. Kjo gjë më shqetësoi.

Më pas ai më pyeti ku e kisha djalin. Unë i tregova se, përfundimisht, ai kishte fjetur. I tregova edhe se sa e vetmuar dhe e zhgënjyer ndihesha, por edhe sa e frikësuar. Ai ma preu fjalën, duke më përqafuar dhe më tha që t’ia bëja një kafe. Më pas më tha se kishte ardhur koha që të largohej. “Kam ardhur që ta bekoj djalin tënd dhe këtë e bëra”. 

Lajmet e mira

Kur shkova në shtrat, ai më tha se do të më lindte një vajzë e cila do të jetë shumë e mirë. Më pas më tha se edhe unë do të isha shumë mirë. Pasi i mbaroi këto fjalë, më kërkoi që ta përqafoja, gjë që edhe e bëra, por kur hapa sytë pashë se isha duke përqafuar ajrin. Askush nuk ishte me mua. Mendimi im i parë ishte se gjyshi paska vdekur, prandaj e thirra gjyshen. Duke qarë i tregova se çka kisha përjetuar, por ajo insistonte se gjyshi ishte gjallë dhe shëndoshë e mirë. Unë kërkova të flisja me të në telefon, gjë që edhe e bëri. Fola me të. Prandaj, shtrohet pyetja kush më kishte vizituar atë mëngjes dhe pse ai dukej si gjyshi im”?

Përfundim

Tregimet dhe librat me këtë tematikë janë të shumta. A ekzistojnë me të vërtetë engjëjt roje? A vijnë ata herë pas here që t’i ngushëllojnë njerëzit në nevojë? Pse ata paraqiten dhe u ndihmojnë disa njerëzve, e të tjerëve jo? A e kemi të gjithë nga një engjëll roje? Nëse po, si mund ta kontaktojmë atë? Përgjigjja në këtë pyetje varet nga besimi ynë fetar. Zakonisht engjëjt shihen nga ata që besojnë për ekzistimin e tyre.

(Kosova Sot Online)