Vdekja misterioze e familjes Jamison

  • 17 June 2019 - 15:07
Vdekja misterioze e familjes Jamison

Bobby dhe Sherilynn Jamison ishin zhdukur bashkë me vajzën e tyre gjashtë vjeçare Madison, në tetor të vitit 2009, diku në malet e Oklahomës. Policia kishte gjetur më pas kamionçinën e tyre me 32.000 dollarë në të dhe me çelësat, telefonat, GPS-në dhe qenin e sfilitur nga uria.

Mbetjet mortore të familjes janë gjetur nëntorin e kaluar, të renditur njëri-pas tjetrit dhe me fytyrë për toke, rreth 5 km larg vendit ku, pesë vjet më parë, ishte gjetur kamionçina. Policët kishin hetuar pohimet se anëtarët e familjes Jamison ishin vrarë për shkak të marrjes me magji, se ishin droguar me metamfetaminë, se i kishin vrarë racistët e bardhë, apo kishin vdekur rastësisht, ishin vrarë dhe vetëvrarë.

Krimi mbetet mister

As sot e kësaj dite nuk dihen shkaktarët e këtij krimi makabër. Të afërmit janë të bindur se këtu është përfshirë diçka e keqe.

- Nuk ka gjasa që vetëm ashtu, janë larguar dhe kanë humbur. Ajo që mendoj është se ata kanë shkuar atje, kanë parë diçka që nuk duhej dhe se dikush i ka vrarë. Kush ka qenë ai, nuk e di – ka deklaruar Cony Cocotan, e ëma e Sherilynnit.

Një hipotezë tjetër thotë se vrasjet i ka kryer Sherilynn, e cila vuante nga një depresion i rëndë pas vdekjes së motrës dy vjet më parë. Është interesant fakti se shoqja e saj, Nicky, thotë se të dy motrat ishin të dhëna pas magjisë. Afër shtëpisë së familjes Jamison, policia ka gjetur një porosi kërcënuese drejtuar fqinjëve, ku Sherilynn kishte shkruar se shtrigave nuk u pëlqen kur ua mbyt macen.

Fantazmat në shtëpi

Prifti i familjes, Garry Brandon, i ka deklaruar policisë se çifti Jamison ishte përfshirë në një “luftë shpirtërore” dhe se Bobby dhe Sherilynn i kishin thënë se kishin parë fantazma.

Një hipotezë tjetër, më pak e mbinatyrshme, është se Jamisonët kishin humbur dhe kishin vdekur nga ngrirja. Ata kishin dalë në kërkim të një trualli të ri në malet e thella San Boa. Një banor lokal që i kishte takuar rrugës thotë se ata ishin në disponim të mirë.

Nicky përfshihet sërish dhe thotë se kishte marrë një informatë nga një grua e cila ishte e afërt me grupin racist të bardhë “Kalorësit e bashkuar të bardhë”, e cila i kishte thënë se Bobby dhe Sherilynn ishin në listën e tyre për pushkatim.

Nuk përjashtohet as mundësia e përfshirjes së ndonjë sekti, apo që vrasjen ta ketë kryer i ati i Bobbyt, Bob, i cili nuk kishte fare marrëdhënie të mira me të birin dhe që kishte lidhje me mafinë meksikane. 

(Kosova Sot Online)