A mund të komunikojnë të vdekurit me ne?

  • 04 July 2019 - 14:47
A mund të komunikojnë të vdekurit me ne?

Njerëzit gjithmonë kanë dashur të komunikojnë me të vdekurit, sepse u mungojnë momentet e mira kur ata njerëz kanë qenë gjallë. Pothuajse të gjithë njerëzit që i kanë humbur më të dashurit e kanë ndier të nevojshme që të komunikojnë të paktën edhe një herë me ta, për ta ditur se a janë mirë, kudo që janë, dhe a janë çliruar më në fund nga problemet e jetës në tokë. Nëse ne mund të komunikojmë me të vdekurit, atëherë automatikisht ne do të vërtetojmë edhe një gjë shumë të rëndësishme: Ekzistencën e botës së përtejme. Kohët e fundit janë zhvilluar një sërë metodash, në përpjekje për të komunikuar me të vdekurit, dhe ne kemi pranuar shumë sinjale. Megjithatë, origjina e sinjaleve të pranuara është shumë e dyshimtë dhe ne nuk mund të themi me saktësinë e plotë që kemi komunikuar me të vdekurit. Të shohim disa nga metodat, për të cilat shumë njerëz thonë që janë kanale, përmes së cilave mund të komunikojnë të vdekurit. Seancat me ndërmjetësues Seancat, në të cilat një grup i vogël njerëzish mblidhet në një dhomë të errët, përreth një tavoline, janë praktikuar të paktën që prej shekullit të tetëmbëdhjetë.

Ndërsa, famën më të madhe e kanë arritur në mes të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzet. Udhëheqësit e këtyre seancave zakonisht kanë pretenduar që kanë marrë mesazhe të rëndësishme nga të vdekurit, duke thënë që ata janë kanali për përçimin e këtyre mesazheve nga bota e përtejme. Versioni i sotëm i ndërmjetësueseve, apo personave të cilët udhëheqin këto seanca, mund të shihet tek të famshmit si John Edward dhe James Van Praagh, të cilët pretendojnë që në dhomat e errëta mund të dëgjojnë zërat e të vdekurve, të cilët, gjithmonë sipas tyre, u dërgojnë mesazhe familjarëve. Mirëpo, kjo metodë nuk ka qenë shumë funksionale për faktin që askush nuk mund ta vërtetojë nëse ndërmjetësuesi është duke folur më të vërtetë me të vdekurit, pasi që shumica e mesazheve që janë transmetuar, me pretendimin që kanë ardhur nga bota e përtejme, kanë qenë klishe, pra, gjithmonë është thënë se të vdekurit po thonë që kjo botë është më e mirë, nuk ka dhimbje, apo diçka e ngjashme.

Komunikimi përmes letrave Komunikimi përmes letrave është shumë i ngjashëm me seancat me ndërmjetësues, vetëm se kjo metodë është shumë më e thjeshtë dhe kërkon vetëm dy persona. Rolin e ndërmjetësuesit e luajnë letrat, për të cilat thuhet se manovrohen nga ana e djallit. Pikërisht për këtë pretendim, historikisht është besuar që kjo formë e komunikimit me të vdekurit mund të jetë e rrezikshme, mirëpo, deri më tani nuk është raportuar për asnjë person që është lënduar, apo i ka ndodhur diçka e keqe gjatë seancave të komunikimit përmes letrave. Mirëpo, sikurse edhe në rastin e parë, pjesëmarrësit e këtyre komunikimeve pretendojnë që kanë komunikuar me të vdekurit dhe thonë që shumë prej tyre, në formë shpirti, u janë afruar fare pranë tavolinës, duke u pëshpëritur në vesh, mirëpo, asnjëri prej pretendimeve të tyre nuk është vërtetuar ende, dhe me këto kushte, është shumë vështirë për t'u vërtetuar. Megjithatë, askush nuk mund të thotë që ndërmjetësuesit, apo edhe pjesëmarrësit e tjerë, janë duke gënjyer, pasi që zërat që ata kanë dëgjuar mund të kenë qenë nga të vdekurit! Komunikimi i drejtpërdrejtë Ka disa raste që njerëzit kanë pretenduar që librat, muzikat apo mesazhet që ata i kanë përcjellë të kenë qenë të frymëzuar nga ana e të vdekurve. Në mesin e tyre janë: Jane Roberts me serinë e librave 'Seth', Pearl Curran me 'Patience Worth', muzika e Rosemary Brown-it, për të cilën thotë që ka ardhur nga Franz Liszt-i, Helen Schucman, e cila pretendon që Jezus Krishti e kishte shkruar 'A Course in Miracles' përmes saj, e shumë e shumë raste të tjera, të cilat shihen si provë për komunikimin në mes të vdekurve dhe të gjallëve.


(Kosova Sot Online)