Gjërat që jua fusin frikën në palcë (2)

  • 13 July 2019 - 09:59
Gjërat që jua fusin frikën në palcë (2)

Keni dëgjuar ndonjëherë për kafkën që bërtet? Apo për fustanin e nusërisë, të pushtuar nga shpirtrat? Përgatituni që të rrëqetheni nga frika.

Kafka “bërtitëse” nga Jorkshajri

Ky nuk është rasti i parë që flitet për kafka që bërtasin. Por, është më i dalluari. Bëhet fjalë për kafkën nga salla “Burton Agnes”, Drifild, Jorkshajër. Kjo sallë është ndërtuar gjatë sundimit të mbretëreshës Elizabeth I nga Henry Griffiths dhe motrat e tij. Gjatë ndërtimeve, njëra nga motrat e Henry-t, Anne, ishte vrarë nga një njeri i panjohur. Pak para se të jepte shpirt, ajo kishte kërkuar nga motrat e saj që, pasi të vdiste, t’ia prisnin kokën dhe t’ia linin në sallë. Por, ato nuk e respektuan këtë amanet të saj dhe e varrosën tërë kufomën bashkë. Por, pas varrimit në tërë sallën dëgjohej një ulërimë. Kjo bëri që motrat të shkonin te varri, ta merrnin kafkën e së motrës dhe ta vendosnin në sallë. Pas kësaj, ulërimat u ndalën. Pasardhësit e Henry-t më pas tentuan ta largonin kafkën, por muret filluan të dridheshin, prandaj e lanë kafkën në sallë, por e vendosën prapa mureve. 

Fustani i nusërisë, i pushtuar nga shpirtrat

Anna Baker ishte e bija e Elias Baker-it, pasanikut të madh nga Qarku Bler i viteve 1800. Asaj nuk i mungonte asgjë. I ati i kishte blerë asaj stoli të llojllojshme. Por, si një adoleshente tipike, Anna dëshironte atë që nuk mund të blihej me para – dashurinë e vërtetë. I ati i saj dëshironte që Anna të martohej me ndonjë të pasur, por ajo u dashurua në një punëtor të varfër të të atit. Elias e kundërshtoi këtë me vendosmëri, por e bija, e cila ishte po aq kryeneçe, sa edhe ai, vendosi që, nëse nuk do ta lejonin të martohej me djalin që i pëlqente, të mos martohej fare. Kështu, ajo vdiq e pamartuar. Kështu, asaj kurrë nuk iu dha rasti që ta veshte fustanin e nusërisë, të cilin e kishte blerë bashkë me të ëmën. Deri vonë ky fustan mbahej në Muzeun e Qarkut Bler, por meqë filluan të qarkullonin zëra se ai lëvizte gjatë natës, fustani u largua, duke mos u bërë e ditur se ku ishte dërguar.

Kukulla Annabelle

Kjo kukull antike ishte blerë si dhuratë nga një nënë për bijën e saj, Donna, në vitin 1970. Donna asokohe ishte studente dhe jetonte në një apartament të vogël me një shoqe. Ajo e vendosi kukullën Annabelle në shtratin e saj, por më pas filluan të ndodhnin gjëra të çuditshme. Gjoja kukulla ishte në gjendje që të lëvizte vetvetiu. Por, sikur kjo të mos mjaftonte, filluan të paraqiteshin edhe shkrime, sikur të ishin të shkruara nga fëmijët, ku thuhej: “Na ndihmoni”! Kush i shkruante ato porosi? Por, shoqet nuk patën kohë të bënin analiza rreth kësaj, meqë pas disa ditësh në kukull filluan të paraqiteshin shenja të gjakut. Ato organizuan një seancë me shpirtra, ku ranë në kontakt me një shpirt të quajtur Annabelle Higgins — një vajzë shtatëvjeçare, e cila ishte gjetur e vdekur në vendin ku ndodhej tani banesa e vajzave. Më pas kukulla kishte sulmuar një mik të vajzave, i cili u kishte thënë atyre që ta humbnin kukullën. Kjo bëri që vajzat ta dorëzonin kukullën në një muze në Konektikat, ku qëndron edhe sot e kësaj dite. Natyrisht, duke lëvizur dhe duke bërë grimasa para vizitorëve. 

Plantacioni i mallkuar

Plantacioni “Myrtles” dikur ishte fermë familjare, por sot ai është si një lloj bujtine në Baton Rouge, Luiziana. Aty shkojnë shumë turistë paranormalë. Çdo natë, rreth orës 3 të natës, paraqiten gjithsej 15 fantazma (djaj) për të vallëzuar. Katër nga këto fantazma vijnë nga një tregim tragjik – ai i familjes Woodruff dhe i një skllaveje të vogël, të quajtur Chloe. Në vitin 1817, Sara Mathilda e trashëgoi plantacionin nga i ati. Ajo u vendos aty me burrin Clark Woodruff dhe me tre fëmijët e tyre. Clark vendosi që ta sillte aty një robëreshë nga shtëpia e vjetër, me emrin Chloe. Një mbrëmje, Clark e zuri Chloe-n duke përgjuar një bisedë të tij privat, prandaj ia preu veshin. Me qëllim që ta fitonte sërish besimin e të zotit të saj, Chloe përgatiti një tortë për vajzën më të madhe të Clarkut, por i qiti tortës edhe gjethe të oleandrit, të cilat ishin helmuese. Ajo planifikonte që, pasi që familjarët të helmoheshin, ajo t’ua jepte kundërhelmin dhe, kështu, të binte në sy të mirë te ta. Por, gjërat shkuan më keq, duke shkaktuar vdekjen e gruas së Clark-ut dhe dy fëmijëve të tyre. Robërit e frikësuar për vete, pasi që e morën vesh këtë, e vranë Chloen dhe e hodhën në lum. (fund)

(Kosova Sot Online)