India e anulon në momentet e fundit dërgimin e një sonde në Hënë

  • 15 korrik 2019 - 08:50
India e anulon në momentet e fundit dërgimin e një sonde në Hënë

Misioni hapësinor i Indisë në Hënë, i cili kishte për qëllim hulumtimin e polit jugor të Hënës, është anuluar për kohë të pacaktuar vetëm një orë para lëshimit të planifikuar të sondës për shkak të një problemi teknik.

Vetëm 56 minuta para nisjes së fluturimit, numërimi mbrapsht u ndërpre dhe një transmetim i drejtpërdrejtë në medie u ndalua. Pak më vonë, Organizata Indiane për Kërkime Hapësinore konfirmoi se lëshimi i sondës është anuluar tash për tash.

“Një problem i vogël teknik është vërejtur në sondë. Si masë parandaluese të rrezikut, lëshimi i sondës është anuluar për sot”, njoftoi kjo agjenci përmes rrjetit social, Twitter.

Ky mision është përpjekja e parë e Indisë për ta dërguar një pajisje në Hënë, diçka që më parë është arritur vetëm nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina. Nëse tregohet i suksesshëm, ky gjithashtu do të ishte lëshimi i parë në një pjesë të Hënës, që pak është hulumtuar më parë.

Shkencëtarët po shpresojnë që në këtë pjesë të marrin të dhëna për përbërjen minerale dhe kimike të Hënës dhe të kërkojnë burime të mundshme të ujit.

Sonda që po planifikohet të dërgohet në Hënë nga India peshon katër tonë dhe do të qëndrojë në sipërfaqen e saj për dy javë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online )