Misteret më të mëdha të botës moderne

  • 18 July 2019 - 15:14
Misteret më të mëdha të botës moderne

Misteret e nxisin imagjinatën dhe lindjen e teorive të konspiracionit. Mistere ka pasur gjithmonë, që nga antikiteti, e deri më tani, por ne ua paraqesim misteret më interesante të “kohëve moderne” 

Çka ndodhi me “Carroll A. Deering”?

Më 31 janar të vitit 1921, anija “Carroll A. Deering” ishte parë duke ngecur në brigjet e Karolinës veriore. Kur anijet shpëtuese përfundimisht ishin afruar te ajo, ato nuk gjetën asgjë tjetër, pos një “anijeje fantazmë”. I tërë ekuipazhi i saj mungonte. Ushqimi gjendej i përgatitur për ditën e nesërme, por asnjë anëtar i ekuipazhit nuk shihej në anije. Spekulimet kishin përmendur mundësinë e fenomeneve paranormale, sidomos për shkak se anija kishte qenë në vendin që sot njihet si Trekëndëshi i Bermudeve. Teoritë alternative flisnin për një komplot komunist, të organizuar nga Rusia, për të rrëmbyer anijet amerikane.

Kush ishte D.B. Cooper?

Më 1 nëntor të vitit 1971, në Portland, Oregon, një njeri që e quante vetveten Dan Cooper, kishte rrëmbyer një avion “Boeing 727” që ishte nisur për Sietëll, duke ia treguar stjuardesës bombën që e mbante të fshehur dhe duke ia dorëzuar asaj një pusullë. Me t’u lëshuar avioni poshtë dhe me të dalë udhëtarët e tjerë, të cilët nuk e kishin idenë se çka ishte duke ndodhur, autoritetet plotësuan kërkesën e Cooperit duke i dhënë 200,000 dollarësh dhe disa parashuta. Më pas ai urdhëroi pilotin ta çonte avionin, për t’u lëshuar më pas me parashutë dhe për të mos u gjetur kurrë më. FBI insiston se ai ka vdekur derisa është lëshuar me parashutë, por më pas ka dalë një grua, e cila ka thënë se burri i saj, tani i ndjerë, i kishte thënë se ai ishte Dan Cooper. Athua, cila është e vërteta?

Çka ndikon në zgjerimin e universit?

Kozmologët dhe astrofizikanët thonë se universi është duke u zgjeruar, por ata nuk mund ta thonë pse. Shpjegimi më i qëndrueshëm është se ekziston një forcë e cila duket se është e kundërt me forcën e gravitetit. Duke qenë se nuk ekziston një shpjegim definitiv, ata ia dhanë kësaj force një emër të çuditshëm: energjia e zezë. Ata besojnë se energjia e zezë është forca dominuese në univers, duke përbërë rreth dy të tretat e tij. Në fakt, ata shkojnë edhe një hap më tej, duke thënë se 30% të tjera të universit përbëhen nga materia e errët, një koncept po aq i paqartë sa edhe energjia e zezë. Ju është përzier e tëra? Mos u mërzitni! As sajuesit e këtyre termave nuk e kanë më të qartë. 
 

Çka ndodhi me të vërtetë në Zonën 51?

Entuziastët e UFO-ve me vite të tëra janë mbledhur rreth asaj që quhet Zona (Area) 51 në Nevada të SHBA-së, duke shpresuar të shihnin një copë sado të vogël të anijes kozmike të alienëve, për të cilën thuhet se gjendet aty, në një vend sekret të qeverisë. Askush nuk ka bërë më shumë për fuqizimin e këtyre spekulimeve, sesa Bob Lazar. Sikur që tha Bob në vitin 1989, qeveria e SHBA-së ka nëntë fluturake UFO në atë zonë dhe ato janë duke pritur një fizikan gjenial, i cili do të zbulojë sesi funksionojnë ato. Të tjerët thonë se, në këtë zonë, qeveria e SHBAsë ka prodhuar fluturake sekrete, pra jo aliene, por amerikane. Sido që të jetë, kjo zonë e ka atë magjinë e vet, e cila si duket nuk do të fanitet edhe për një kohë të gjatë. 

(Kosova Sot Online)